Nga ARTEMISA HOXHA
Pronat dhe reforma në drejtësi janë dy çështjet për të cilat Shqipëria do të fokusohet gjatë këtij viti.
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, prezantoi sfidat që qeveria “Rama” ka në plotësimin e kushteve të vendosura nga BE-ja. “Është shumë e vërtetë që është një nga çështjet ku do të thoja që kemi qenë për disa kohë edhe në kundërshtim në fakt dhe me MSA, sepse ishte një çështje totalisht e pezulluar. Në momentet që ne flasim i është dhënë një fuqizim i plotë këtij prioriteti, ka qenë një prioritet i paprekur dhe i lënë pak a shumë si në mëshirë të fatit”, theksoi Gjosha.
Ndër të tjera, duke u ndalur në procesin e integrimit, ministrja e vuri theksin edhe te vonimi i ngritjes së një prej organeve të rëndësishme në procesin e integrimit siç është për ngritjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, organ i cili pritet që të ketë dy drejtues, një nga mazhoranca dhe një nga opozita. Ajo i ka bërë dhe një herë thirrje opozitës që të marrë pjesë me anëtarët e saj, pasi vetë deputetët e djathtë kanë kundërshtuar drejtimin me dy kryetarë, duke pretenduar që PD-ja, konkretisht deputetja Majlinda Bregu, të jetë kryetare e këtij këshilli. “Dukë qenë se tashmë kemi një opozitë të kthyer në Parlament, më në fund do të kemi një diskutim së shpejti në Komisionin e Integrimit, për ngritjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Ngritja e kësaj strukture është shumë e rëndësishme, sepse ky Këshill do të japë idetë dhe platformat si do të ecë Shqipëria për hapjen e negociatave. Ky Këshill do të ketë pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve që janë kyç në procesin e integrimit. Shpresojmë që Komisioni të mblidhet sa më shpejt në mënyrë që të procedojmë me tej me Këshillin”, tha Gjosha.
Ministrja nënvizoi se reforma në administratën publike, lufta kundër krimit të organizuar dhe të drejtat e njeriut, janë prioritete që po ecin shumë mirë. “Sigurisht që arrestime apo ndëshkime të kësaj natyre, ju jeni të parët që i merrni vesh. Por doja të thoja se kjo është përtej kompetencës së qeverisë, e cila mund të ketë dorëzuar dosjet. U takon organeve të drejtësisë të ndjekin çdo sinjalizim, apo kallëzim që lidhet me çështjet e korrupsionit”, ishte përgjigjja e ministres në lidhje me kërkesat e Brukselit për masa konkrete nga vendi ynë për ndëshkimin e zyrtarëve të lartë për korrupsion.