Rilindja Demokratike, Entela VRAPI, 8 Januar 2015
Fatura që qeveria duhet të paguajë ndaj pronarëve për shkak të çështjeve të humbura në Gjykatën e Strasburgut pritet të krijojë një gropë të thellë në buxhetin e shtetit. Aktualisht, qeveria Rama vetëm për 10 pronarë detyrohet të paguajë një shifër të kripur prej jo pak, por 8.3 milionë eurosh. Një gjobë kjo, e vendosur nga Gjykata e Strasburgut ndaj qeverisë shqiptare për shkak të shkeljeve që kjo e fundit ka bërë në rastin e 10 pronarëve që kanë ankimuar pranë kësaj gjykate.
Partia Republikane, e cila mbron të drejtën e pronarëve deklaron se kjo faturë pritet të rritet edhe më tej pas vendimit arbitrar të qeverisë në lidhje me kompensimin e truallit deri në 200 metra katrorë.
Përmes një deklarate për shtyp, Maksim Begeja, tha dje se vendimi bie në kundërshtim me vendimet e Gjykatës së Strasburgut, që në vitin 2005 detyroi qeverinë e Tiranës të tërhiqej nga kompensimet për këtë sipërfaqe. Në emër të pronarëve, Begeja tha se nuk kërkohet mëshirë. Ai paralajmëroi se për këtë qëllim PR do të paraqesë në Kuvend nisma ligjore, duke mos lejuar ndarjen e tokës familjeve bujqësore dhe kalimin e saj në pronësi të pushtetit vendor.
Partia Republikane ka dalë në krah të Shoqatës së Pronarëve, duke kundërshtuar vendimin e qeverisë për skemën e kompensimit të pronave.
Republikanët theksojnë se vendimi për kompensim truall deri në 200 m2, bie ndesh me vendimet e Gjykatës së Strasburgut dhe kjo skemë është rrëzuar po nga kjo gjykatë në vitin 2005.
“Vendimi i fundit i qeverisë për rivendosjen e skemës së kompensimit financiar për sipërfaqet e truallit deri në 200 metra katrorë është që t’i mashtrosh pronarët dhe t’u mbushësh gojën me lugë bosh. Ky vendim do të nxisë akoma më shumë pronarët që t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut për të kërkuar të drejtat e tyre. Kjo do të thotë se fatura prej 8.3 milionë eurosh që kjo qeveri i detyrohet vetëm 10 pronarëve të rritet në kufij tërësisht të papërballueshëm nga shteti shqiptar”.
Ndërkohë përsa i përket fondit të përcaktuar për vitin 2014, republikanët e cilësojnë shumë të vogël në krahasim me numrin e aplikuesve.
“Në vendimin e marrë me fondin e akorduar nga qeveria, llogaritet që të kompensohen çdo vit vetëm 7 mijë metra katrorë, pra, për kompensimin e pronarëve do të duheshin jo më pak se 10 mijë vjet, e përsëris edhe një herë 10 mijë vjet”.
Tallja e qeverisë me pronarët
Një ulje drastike të fondit, i cili ishte premtuar nga Kryeministri Rama për kompensimin financiar të ish-pronarëve pëson dhe fondi për këto kategori. Dhe nuk është një ulje modeste, por shkon plot në 2 milionë dollarë më pak nga sa ishte realizuar nga qeverisja Berisha për vitin aktual. Kompensimi në vlerë i pronarëve me 1.4 miliardë, nga 1.6 miliardë lekë që parashikoi një vit më parë. Sipas të dhënave, pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të sigurohen nga legalizimi i banesave. Faturat e legalizimeve siç edhe duket për qeverinë është i vetmi burim financimi për kompensimin e kësaj shtrese. E gjithë katrahura e krijuar lë të kuptohet hapur se, qeveria nuk ka asnjë lek nga burime të tjera financimi siç është vepruar më parë.
Por, fatura për kompensimin e ish-pronarëve shkon në pikiatë pas hyrjes në fuqi të çmimeve të reja të trojeve, që do të miratojë qeveria edhe për 2015 kompensimin e ish-pronarëve. Nga 20 miliardë dollarë që llogaritet borxhi që shteti ju ka ish-pronarëve për tokat e zëna, me çmimet e reja sërish kjo vlerë do të vijë duke u ulur, pasi vetëm për vitin 2014, ajo kap shumën e 4 miliardë dollarëve.
Ish-të përndjekurit dhe pronarët janë dy prej kategorive më të diskriminuara në buxhetin e vitit të ardhshëm. Por, prezantimi i buxhetit tashmë edhe nga qeveria shqiptare ka zbehur shumë mundësitë dhe shpresat e të përndjekurve dhe pronarëve, të cilëve iu ishte premtuar një kompensim siç nuk ishte zbatuar deri më parë nga qeveria e djathtë. Për të dyrin vit me radhë qeveria jo vetëm që nuk ka rritur fondet për kategori të tilla siç premtoi në fushatë, por nga ana tjetër ka ulur me 10 herë më shumë fondet në raport me kompensimet e aplikuara nga qeverisja e djathtë për plot 8 vjet me radhë.
Me këtë qëndrim, qeveria po ridel edhe një herë në fjalët e saj, duke dëshmuar hapur se e ka të pamundur të përballojë nga ana financiare të gjitha premtimet e dhëna.
Siç edhe del, pra, vlera nuk është e mjaftueshme për përmbylljen e procesit, pasi fatura totale e tij është rreth 400 milionë euro, kujtojmë këtu dhe një detaj tjetër që në zyrën e Kryeministrit ish-të përndjekurit kanë dorëzuar edhe faturën prej 250 milionë dollarë për kompensimin e të gjitha kategorive.
Entela Vrapi
Qeveria dhe Parlamenti Shqipetar se fundi kane nxjerre Ligjet 171 dhe 172, date 18.12.2014, me te cilet paisin Pronaret e fabrikuar nga Shteti Shqipetar me Aktin e marrjes se tokes ne pronesi, duke mashtruar edhe nje here Strukturat e BE dhe GJEDNJ per kthimin e prones Pronareve te ligjshem qe e trashegojne.
Partia Republikane e drejtuar nga Fatmir Mediu ku ben pjese edhe Maks Begea nuk ka aspak moral te flasi sot per prona e per pronare, sepse kete e ben vetem kur afrohen fushata elektorale. Kjo Parti e keta zoterinj kane qene ne koalicion e ne Qeverisje per 14 vjet me PD dhe nuk kane bere asgje. Ata ( PR ), kane patur ne dore edhe te rrezonin qeverine Berisha, per kthimin e prones dhe nuk e kane bere per oportunizem. Qendrimi i tyre per pronat dhe Pronaret eshte hipokrit prandaj pronaret nuk duhet te kene asnje besim ne deklaratat e tyre. Sjellja e tyre nuk ka pike dinjiteti.