Rilindja po zbaton ligjin e legalizimeve “Berisha”, që e quajti anti-kushtetues

Gazeta Telegraf, 11/12/2014

Legalizime_ALUIZNI_Durres_01-520x25083 mijë legalizime në qershor 2013… 2 ditë para hyrjes së ligjit në fuqi, Lame i firmos si “të ligjshme”

Duket qartazi, që as nga kjo qeveri e “kurorëzuar” në “fronin” e pushtetit me mandatin kryesor popullor për “ndëshkimin e korrupsionit dhe luftën anti-korrupsion”, nuk ka as vullnet politik e as moral zyrtar për të ndëshkuar dhe luftuar korrupsionin në këtë vend, të cilin e ka uzurpuar, e ka kapur për fyti dhe prej 22 vjetësh po e drejton e keqja politike e shtetërore, aplikuar e shfrytëzuar barbarisht, pandalshmërisht e qëllimisht prej individëve e grupeve, që janë pjesë komanduese e kupolës politike-shtetërore shqiptare. Jo vetëm nuk po ndëshkohen krimet ekonomike të ndodhura në vitet 2005-2013, por po ndodh “mbivendosje” skandalesh edhe prej pushtetit “Rilindja”, duke vijuar skandalet, në mbrojtje dhe fshehje të skandaleve që kanë ndodhur.

 ALUIZNI nxori urdhër zbatimi, 2 ditë përpara se ligji të hynte në fuqi

 Është fjala për një ligj elektoral anti-kushtetues, të hedhur në veprim prej ish-pushtetit “Berisha” për efekt votash vetëm 52 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, për të dhënë leje legalizimesh pa kufizime edhe për ata ndërtues të paligjshëm që i përjashtonte në formë përfundimtare Ligji Nr. 9482, datë 03. 04. 2006. Sipas ligjit elektoral të 2 majit 2013, çdo individ që kishte ndërtuar pa leje mbi truallin e tij, ose që kishte zaptuar një truall pa “zot” edhe pas vitit 2006, pavarësisht numrit të kateve, konstruksionit dhe sipërfaqes ndërtuese, i jepej e drejta të futej në proces legalizimi të objektit.

Ja, më konkretisht:

Në prag të fushatës elektorale të zgjedhjeve të vitit 2013, saktësisht në datën 02. 05. 2013, ish-qeveria “Berisha”, me propozim të Sali Berishës, me urdhër të Sali Berishës, shpallur elektoralisht në miting qysh në datën 20 prill 2013 prej Sali Berishës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, u votua dhe u miratua në Parlament Ligji Nr. 141/2013: “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 9482, datë 03. 04. 2006, ‘Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje’ (të ndryshuar)”, duke iu bërë disa ndryshime e shtesa ligjore, që bëheshin për të “mbledhur” vota për ish-pushtetin. Aq elektoral e anti-kushtetues ishte ky ligj legalizimesh i veshur me “mballoma” antikushtetuese, sa kulmi i skandalit e anti-kushtetutshmërisë shprehet qartë në ndryshimin e Nenit 30 të ligjit , ku pikës 2 të Ligjit Nr. 9482, datë 03. 04. 2006, i shtohet pika 2/1 me këtë përmbajtje: “Përcaktimet e këtij neni zbatohen edhe në rastin kur njëri, apo disa nga subjektet, që disponon ndërtimin pa leje, nuk shlyen detyrimet financiare të parashikuara në ligj, në lidhje me parcelën ndërtimore/objektin pa leje. Në këtë rast, për pjesën takuese të subjektit debitor, bëhet regjistrimi përkatës në ZRPP, në emër të ALUIZNI-t, deri në momentin e shlyerjes nga subjekti të detyrimeve financiare”. Skandali thellohet akoma më tepër, me hyrjen në fuqi dhe zbatimin e ligjit elektoral.

Çfarë ka ndodhur?

Institucioni i ALUIZNI-t, me vulë e firmë të ish-Drejtorit të Përgjithshëm, Ardian Kollozi, ka nisur zbatimin e ligjit, pa hyrë ende në fuqi ligji sipas afatit kushtetues. Po e argumentojmë me fakte e me shkresa zyrtare. Sipas Kushtetutës, në nenin 84, pika 3, përcaktohet kështu: “Ligji hyn në fuqi, jo më pak se 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare”. Kuptimi ligjor: Dita e botimit në fletoren zyrtare, nuk llogaritet në ditët e futjes së ligjit në fuqi. Ligji Nr. 141/2013 është miratuar në Parlament në datën 02.05.2013. Ky ligj është botuar në Fletoren Zyrtare në datën 20.05.2013, në numrin 83 të kësaj fletoreje. Sipas llogarisë numerike të afatit, ligji duhej të futej në fuqi në datën 05.06.2013. Por, drejtoria e ALUIZNI-t, po elektoralisht në shërbim të ish-pushtetit, patjetër që me urdhër të ish-pushtetit e ka nisur zbatimin e ligjit 2 ditë përpara se ligji të hynte në… fuqi! Këtë e konfirmon Urdhri Nr.388, datë 03. 06. 2013, lëshuar me firmë e me vulë prej ish-drejtorit të përgjithshëm të ALUIZNI-t, zotit Ardian Kollozi. Në fund të urdhrit, përcaktohet: Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë, dmth në datën 2 qershor 2013, kur vetë ligji që lejon nxjerrjen e këtij urdhri, hynte në fuqi 2 ditë më vonë, konkretisht në datën 5 qershor 2013! Ky urdhër, shoqërohet edhe nga formulari “TIP”, i miratuar po nga ish-drejtori Ardian Kollozi, madje edhe me skandalin tjetër: formulari është shpërndarë me vulë të njomë i… paplotësuar!

 83 mijë e 279 aplikime në qershor 2013… pa hyrë ligji në fuqi

Ajo çfarë është bërë prej shtetit, pushtetit dhe drejtuesve e specialistëve të ALUIZNI-t në 8 vite me legalizimet e gjatë këtij viti “Rilindje” është një “gropë e zezë” abuzimesh e krimesh urbanistike, sociale e financiare, që as ka përfunduar dhe as mendohet të përfundojë as për 1000 vjet. Një nga “pisllëqet” e kësaj “grope të zezë” me emërtimin “Legalizim” është edhe miratimi i ligjit anti-kushtetues Nr. 141/2013, datë 02. 05. 2013. Është edhe nxjerrja dhe zbatimi po antikushtetues, i Urdhrit Nr.388, datë 03. 06. 2013, lëshuar prej Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t. Ky ligj, i hapi rrugë abuzimit me procesin e legalizimit, duke hedhur në “koshin e plehrave” Ligjin ekzistues Nr. 9482, datë 03. 04. 2006 dhe duke e futur procesin në një kaos të plotë. Duke shfrytëzuar ligjin elektoral Nr. 141/2013, datë 02. 05. 2013, ndërtuesit e paligjshëm vërshuan në zyrat e ALUIZNI-t, duke mbushur formularë, që u hodhën në qarkullim 2 ditë përpara se të ligji të hynte në fuqi. Ky plotësim formularësh, nuk bënte asnjë dallim e specifikim teknik për objektin. Ndërtuesit e paligjshëm, plotësuan formularët pa asnjë pagesë detyrim legalizimi, mbasi kështu e përcaktonte “ligji i ri” parazgjedhor në nenin 30, pika 2/1. Sipas të dhënave tona, brenda 2 ditëve përpara hyrjes së ligjit në fuqi, me Urdhrin Nr.388, datë 03. 06. 2013, në krejt zyrat e legalizimeve në Shqipëri janë bërë 83 mijë e 279 aplikime legalizimesh “të reja”, të cilat vazhdojnë ende, mbasi procesi po lihet i hapur, sepse ligji elektoral “Berisha” me Nr. 141/2013, datë 02. 05. 2013, nuk ka përcaktuar afat kohor fundor të mbylljes së procesit të aplikimeve. Vetëm një fakt: Brenda datës 20 qershor 2013 ishin bërë 148 mijë e 569 legalizime “të reja”! Nëse deri në fillim të muajit maj 2013, ishin regjistruar e mbyllur si proces 245 mijë e 782 aplikime sipas Ligjit Nr. 9482, datë 03. 04. 2006, aktualisht… thuhet se ky numër ka shkuar në 500 mijë aplikime, por këtë nuk e di saktësisht as vetë zyra qendrore e ALUIZNI-t.

 Drejtor Lamja po zbaton ligjin “Berisha”, që u quajt anti-kushtetues

Ne u interesuam në shërbimet “sportel” të zyrave të ALUZNI-t, duke u paraqitur “si klient për aplikim legalizimi banese”, (gjoja) të ndërtuar pas daljes e hyrjes në fuqi të Ligjit “Berisha” Nr. 141/2013, datë 02. 05. 2013 dhe Urdhrit “Kollozi” Nr. 388, datë 03. 06. 2013. Shkuam me një formular “Tip” të vulosur, të cilin inspektorët e ALUIZNI-t e kishin hedhur 3 ditë më parë nën derën e një ndërtimi ilegal. Pyetëm në zyrën e ALUIZNI-t dhe atje na konfirmuan se ligji është ende në fuqi dhe aplikimet vazhdojnë pa kushtin e afatit kohor të ndërtimit, mjafton të plotësosh formularin “Tip”. Nuk e dimë, nëse drejtor Lamja e zbaton këtë ligj me “trimërinë” e tij, por dimë faktin që gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve 2013, kur u miratua ligji “Berisha” Nr. 141/2013, datë 02. 05. 2013 dhe Urdhri “Kollozi” Nr. 388, datë 03. 06. 2013, drejtor Lamja dha alarmin duke e quajtur “antikushtetues, mashtrim, abuzim, ligj për të vjedhur vota” e madje ish-drejtorin Kollozi e quajti “Shaban Tapia” dhe deklaroi në media, se sa të vinte PS në pushtet, ky ligj do të përfundonte si “një copë letër higjienike”. PS, e bashkë me të edhe Lamja, erdhi në pushtet. “Fati” e deshi, që Lamja të bëhej e të vazhdojë të jetë “drejtor i madh” i atij institucioni që ka lidhje me ligjin në fjalë. Drejtor Lamja, jo vetëm që nuk po e quan më “anti-kushtetues” ligjin elektoral të legalizimeve, por po nxjerr edhe urdhra në mbështetje të tij, duke e mbështetur këtë ligj me… Kushtetutë!

 37 mijë aplikime me firmën e Lames, për objekte në zonat e ndaluara

Procesi i legalizimeve është futur vit pas viti në një turbullirë e kaos, që nuk “del” dot. Këtë kaos e krijon edhe një ligj tjetër që është ende në fuqi, ligj i cili bllokon legalizimet, dmth që nuk i lejon të kthehen në pronësi të certifikuara, të atyre që i kanë ndërtuar. Ky bllokazh është Vendimi i KM, Nr. 994, Datë 06.10.2010: “Për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin Nr. 438, datë 28. 06. 2006, të Këshillit të Ministrave: “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit të zbatueshëm, për të kualifikuar objektet në ndërtim, që legalizohen ose jo”. Ky vendim, braktis parimin themelor të ligjit të legalizimit, i cili parashikonte procesin në dy faza. Së pari, legalizim dhe pastaj urbanizim. Ligji respektonte studimet urbanistike, të miratuara deri në momentin e hyrjes në fuqi, të Ligjit Nr. 9482, datë 03. 04. 2006, i ndryshuar, me objekt: “Për legalizimet”. Në këtë ligj përjashtohen nga legalizimi, gjithë zonat e mbrojtura me ligje të veçanta, si dhe që janë specifikuar në mënyrë konkrete territoret e tjera që përjashtohen nga procesi. Ky vendim vazhdon të zbatohet edhe sot, duke pranuar aplikime në zonat e ndaluara dhe ky numër aplikimesh “të reja” ka shkuar në 37 mijë e 243 raste ndërtimesh në zonat e ndaluara, por që po lejohen të mbushin formularë legalizimesh me firmën e drejtor Lames!

 Vendimi Nr. 438 nuk lejon legalizime në mjedise publike, por ato vazhdojnë, sepse 2 studime nuk janë miratuar në KKRT

 Vendimi i Këshillit të Ministrave Nr. 438, datë 28. 06. 2006 është krejtësisht jashtë kuadrit të përgjegjësive të ngarkuara për Këshillin e Ministrave, mbasi e ndalon Ligji bazë i Legalizimeve me Nr. 9482, datë 03. 04 .2006: “Për legalizimin, urbanizmin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar. Po e argumentojmë. Në pikën 1 të këtij vendimi kërkohet të mos kualifikohet, ose të ndërpritet legalizimi në çdo kohë, për objektet dhe shtesat e ndërtuara pa leje, nëse ato shkelin vijën e ndërtimit në rrugët e kategorisë së parë, të dytë dhe të tretë, të parashikuara nga plani i përgjithshëm rregullues, studimet urbanistike, apo nga projektet e veçanta infrastrukturore rrugore të çdo niveli, të miratuara ose të gjendura në proces. Këtu mund të përmendim dy prej tyre: Studimet e miratuara me Vendim Nr. 284, datë 05. 07. 2004 të KRRT, Bashkia Tiranë, me sipërfaqe 32 hektarë në fundin e Fushës së Aviacionit, në Unaza e Re si dhe Vendimin e KRRT, Bashkia Tiranë, me Nr. 430, datë 17. 09. 2004, që mbulon sipërfaqen prej 160 hektarë në zonën Allias, Tiranë. Sipas këtij vendimi, këto dy studime konsiderohen në proces, mbasi janë miratuar në KRRT e Bashkisë Tiranë, por nuk kanë kaluar në KRRTSH e Republikës. Bllokimi i këtyre studimeve lejon vazhdimin e aplikimeve për legalizime objektesh të ndërtuara sipas dëshirës.

Neni 45/1, i ligjit elektoral Nr. 141/2013, datë 02. 05. 2013

Për ndërtimet pa leje të ngritura pas vitit 2006, ALUIZNI merr masa nëpërmjet evidentimit faktik të situatës ndërtimore në terren, si dhe fotografimit ajror dixhital apo përdorimit të imazhit satelitor të konvertuar në fotografi ajrore, të korrektuar gjeometrikisht (ortofoto). Rregullat e hollësishme për këtë qëllim përcaktohen nga Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, me miratimin e ministrit që mbulon procesin e legalizimeve.

2. Subjektet, që posedojnë ndërtime pa leje/shtesa informale në objekte me leje, të ngritura pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 9482, datë 03. 04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, duhet të paraqesin pranë drejtorive të ALUIZNI-t, brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, kërkesë për legalizim, sipas formularit tip të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t”.

  1.  Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
  2.  Miratuar në parlament, në datën 02. 05. 2013.

Shpallur me Dekretin Nr. 8178, datë 14.05. 2013

Presidenti Republikës së Shqipërisë

Bujar Nishani

Afati i vetëdeklarimeve për legalizimet

Drejtori i Aluiznit Artan Lame raportoi dje për procesin e legalizimeve pranë Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, ku deklaroi se është realizuar legalizimi i 12 mijë objekteve.“21 mijë e 750 banesa deri në fund të shtatorit janë legalizuar, janë bërë matje dhe rimatje për shumë se 50 mijë objekte, në 8 vite qeveria tjetër ka bërë vetëm 42 mijë matje”, është shprehur ai. Lame deklaroi se nga shtatori janë arkëtuar 8 milionë dollarë nga legalizimet dhe njoftoi se në fund të këtij viti, pra me 31 dhjetor mbyllet procesi i vetë-deklarimeve. “Kemi patur 41 mijë vetë deklarime muajt e fundit. Janë skualifikuar 350 objekte këtë vit që nuk mund të legalizoheshin, edhe pse mund të kenë bërë pagesën e legalizimeve disa prej tyre”, u shpreh Lame. Lame shtoi edhe se ka banesa të palegalizuara se qytetarët s’kanë pasur mundësi financiare.

 Vendimi pilot i Strasburgut

“Vendimet e Gjykatës së Strasburgut do të sjellin falimentimin e shtetit shqiptar” është shprehur në një intervistë zv/ministri i Drejtësisë z. Idlir Peçi, duke referuar qindra pronarëve shqiptarë të cilët i janë drejtuar Strasburgut për të drejtën e tyre për pronësinë. Vendimi pilot i Gjykatës së Strasburgut i ka lënë detyra shtëpie qeverisë shqiptare, të cilat ende nuk janë ekzekutuar. Janë rreth 101 dosje të shqyrtuara nga Gjykata e Strasburgut dhe pritet të vijnë me ditë. Kjo, sepse shteti shqiptar nuk kontaktoi me subjektet (pronarët e shpronësuar nga diktatura) për të gjetur zgjidhje paqësore. Ndaj Strasburgu do të vijojë me zbardhjen e vendimeve dhe shuma që duhet t’i paguajë qeveria (taksapaguesve shqiptarë) pronarëve, flitet të jetë rreth 1.5 miliard Euro. Nga ana tjetër pronarët duan së pari kthim të pronave dhe nëse bëhet fjalë për nevoja publike, kompensim 100 % me çmimet e tregut.

 Kompensimi nga legalizimet

Pronarët të cilët preken nga ndërtimet informate përfitojnë kompensim nga fondet e ALUIZNI-t. Në vendimin pilot të Strasburgut thuhet që për procesin e legalizimit, kostot e legalizimit duhet të paguhen nga ai që përfiton në thelbin e vetë. Përpos problematikave të shumta gjatë këtij procesi,në nenin 34, lë Ligjit nr. 9482/2006, mbi njohjen e sipërfaqes së parcelës ndërtimore për efekt kompensimi, përcaktohet se subjektet, që bëhen pronarë të parcelave ndërtimore, në zbatim të dispozitave të këtij ligji dhe që në të njëjtën kohë janë subjekt i zbatimit të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, përfitojnë kthim ose kompensim vetëm në masën, që i përgjigjet diferencës ndërmjet vlerës së pasurisë së paluajtshme të shpronësuar dhe vlerës së parcelës ndërtimore. Në rast se kjo diferencë është negative, ata nuk përfitojnë nga ligji nr.9235.

Përparim HALILI


Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.

Advertisements
Ky zë u postua te Albanian Authorities, Posts in Shqip dhe u etiketua me nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s