(Mos) Kthimi i pronave

Botuar në Gazetën Telegraf më 21/11/2014

pronatEvidencë ekskluzive përgatitur për “Telegraf”, mbi situatën kaotike të (mos)kthimit të pronave

Batërdia me pronat, në 22 vjet 170 mijë mbivendosje parcelash

Një raport zyrtar, i dërguar ekskluzivisht dje për gazetën “Telegraf” nga “Komiteti Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave në Shqipëri”, bën prezent me shifra e argumente një problem të madh e pothuajse traumatik për kaosin e krijuar konfliktual e shkatërrimtar 22- vjeçar me pasoja të rënda pronësore, sociale, njerëzore, familjare, fisnore, ekonomike e psikologjike, ku janë “zhytur” me ligje shteti, vendime qeverie e miliona procese gjyqësore pronarët legjitimë, të cilët edhe pse janë pronarë, prej 70 vitesh vazhdojnë të quhen “ish-pronarë” si nga regjimi komunist që i shpronësoi me dhunë pas vitit 1944, ashtu edhe prej sistemit aktual “kapitalist alla-shqiptar” në këto 22 vite.

Shteti, ka futur 80% të shqiptarëve, në luftë me njeri-tjetrin për pronat

Ajo që ka ndodhur me procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave në Shqipëri, nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër ish-komunist. Shteti shqiptar e nisi katrahurën dhe masakrën njerëzore me pronat, duke miratuar e futur në veprim ligjin “vrastar” 7501, ligj që krijoji kaosin dhe konfliktin popullor mes shqiptarësh. Sa janë vrarë për pronat, nuk janë vrarë as në Luftën e Dytë Botërore!

Sa hasmëri janë bërë prej konfliktit të pronave me ligjin 7501, nuk janë shkaktuar as prej luftës 45- vjeçare të klasave gjatë diktaturës. Në këtë kaos, sipas informacionit që na vjen prej komitetit Shtetëror të Pronave, janë përfshirë për shkak të pronës 1 milion e 398 mijë “pronarët e rinj” të fshatrave e fermave në qytete që u bënë pronarë me Ligjin Agrar të ndarjes popullore të tokës me Nr. 7501. Janë përfshirë edhe 273 mijë e 856 individë, që janë bërë “pronarë” në pronat e pronarëve legjitimë me letra false, me vendime gjyqi fiktive, me “tapi” të kohës së “Mesharit”, por të vulosura e firmosura me falsifikime pas vitit 1992. Në betejën ligjore e fizike për pronat, janë përfshirë edhe 67 mijë e 422 individë e familje që janë bërë “pronarë” tokash, trojesh e pyjesh me akte-noteriale trashëgimie e shitje-blerje të sajuara me firma të hedhura edhe prej personash që kanë vdekur qysh në kohën e Ali Pashës! Janë futur e nuk po dalin dot prej këtij kaosi “lufte për pronën” edhe 33 mijë e 657 individë e familje që janë bërë “pronarë” me vendime false e mbivendosjesh prej komisionesh lokale e qendrore të kthimit të pronave në komuna, bashki, prefektura e qarqe. Po kështu, në zallamahinë e “konfliktualitetit mbarë popullor” të pronave, janë që përfshirë edhe 245 mijë familje e individë, të cilët janë bërë “pronarë” me ligjin për legalizimet e objekteve të ndërtuara mbi prona të zaptuara me dhunë me bekimin dhe mbrojtjen e e shtetit. Në këtë kaos konfliktesh, gjyqesh e vrasjesh janë përfshirë edhe 1.3 milion qytetarë të tjerë, të cilët janë vendosur prej 70 vitesh me banesa e oborre mbi tokat, kullotat dhe trojet e pronarëve legjitimë. Të gjithë këta, prej 22 vitesh janë vendosur “ushtarakisht” përballë njeri-tjetrit me gjyqe deri në Strasburg, me denoncime në prokurori, me konflikte fizike e vrasje edhe brenda familjeve e fiseve. Edhe pse në këto 22 vite kanë dalë 138 ligje, dekrete, vendime, udhëzime, urdhra, formularë, amendime dhe shfuqizime ligjesh e vendimesh, problemi i kthimit të pronave u fut dhe vazhdon të mbetet në “llumin” e një paligjshmërie zyrtare e popullore dhe në “kurthin” e një kaosi problematik për shoqërinë shqiptare, kaos që e kanë krijuar vetë krerët e shtetit shqiptar në këto 22 vite, jo prej “paaftësisë”, por sepse ishin ata “pronarët e rinj të mëdhenj”, që zhvatën të parët me falsifikime pronat e pronarëve legjitimë të përpara vitit 1945.

Komiteti Pronave nuk ka funksionuar, ishte një bordero qeveritarësh

Bashkëngjitur informacionit me shifra, që na dha zyrtari i Komitetit të Kthimit e Kompensimit të Pronave është edhe një kujtesë lidhur me aktivitetin e këtij komiteti shtetëror. Çfarë thuhet? Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është ngritur si strukturë qeveritare për të orientuar dhe mbështetur me realizëm e drejtësi procesin e kthimit e dhe kompensimit të çdo prone deri tek pronari dhe “plisi” më i vogël që ka patur titull pronësie përpara vitit 1945. Por nuk e kreu këtë mision jo prej paaftësisë, apo neglizhencës, por prej tjetërsimit të komitetit si një institucion kukull, formal, që nuk duhej të vepronte, vetëm të ishte si “spot” publik për të mashtruar pronarët se gjoja… “shteti po punon për kthimin e pronave”. Faktikisht, ky komitet nuk funksionoi. Ai është krijuar, shpërndarë, rikrijuar e aktivizuar disa herë që prej vitit 1998 kur është krijuar në trajtë zyrtare, pranë këshillit të Ministrave, me status institucioni Kushtetues me fuqi vepruese të plota mbi institucio0net dhe agjencitë që merreshin me pronat. Komiteti u krijuar fillimisht në vitin 1994, me VKM Nr .402, datë 01. 08. 1994 “Për përbërjen e Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ish-pronareve”. Ky komitet nuk morri asnjë vendim deri në vitin 1998, por ishte një “autoporlant” i qeverisë, i financuar prej qeverisë, sepse varej si strukturë zyrtare nga qeveria dhe bënte vetëm propagandë për gjoja kthimin e pronave. Në vitin 1998, sikur të mos ekzistonte fare komiteti, u krijua përsëri i njëjti komitet me VKM Nr. 328, datë 02. 06. 1998. Edhe ky u krijua e u la si institucion “kukull” deri në vitin 2004, pa asnjë veprim e vendim për kthimin dhe kompensimin e pronave. Edhe pse “kukull”, komiteti ishte një institucion që “gëlltiste” miliona lekë paga në muaj prej buxhetit të shtetit dhe kishte në përbërje si drejtues anëtarë dhe krerë të lartë të shtetit e qeverisë si kryetari, zv/kryetari, zv/ministri i Drejtësisë, zv/ministri i Pushtetit Lokal, Drejtori i Drejtorisë se Planifikimit të Territorit në Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, Drejtori i Institutit të Urbanistikës, Drejtori i Drejtorisë së Buxhetit në Ministrinë e Financave, Drejtori i Drejtorisë së Transformimit dhe Privatizimit në Ministrinë e Ekonomisë Publike dhe Privatizimit, Kryeregjistruesi i Zyrës së Pasurive të Paluajtshme, zv/drejtori i Agjencisë Kombëtare të Privatizimit dhe zv/kryetari i Komitetit të Zhvillimit të Turizmit. Sipas informacionit, drejtuesit, nëpunësit, anëtarët, dietat, shpërblimet dhe fondet për gjoja “projekte e studime ekspetësh e OJF-ësh për metodikat dhe legjislacionet europiane të kthimit e kompensimit të pronave”, kanë gëlltitur çdo vit, aq financa, sa çdo vit, mund të ishin kompensuar afro 60 pronarë të mesëm.

Në 22 vjet, janë regjistruar mbi 170 mijë mbivendosje pronash

Që prej 22 marsit 1992, kur u dekretua dhe u deklarua ligjërisht kthimi i pronave e deri sot pas 22 vjetësh, në Shqipëri janë futur në hasmëri afro 178 mijë familje, madje edhe brenda familjes. Kanë ndodhur mbi 3650 vrasje për konflikte pronësie. Janë plagosur mbi 33 mijë persona. Janë ngujuar afro 1800 familje për shkak të konflikteve pronësore.  Kanë mbetur afro 7200 fëmijë jetimë. Loja politike e ligjore me pronat, ka si tregues edhe problemin konfliktual të mbivendosjes së pronave, realitet ky që nuk e ndal konfliktualitetin pa u zgjidhur e drejta e pronësisë së mbivendosjeve. Prej 22 vjetësh po bëhen gjyqe, merren vendime nga 10 familje e persona për të njëjtën pronë, vriten njerëz, shkatërrohen fise e vëllazëri. Është absurd e me nxitje krimi, fakti që shteti, pushteti lokal dhe drejtësia, të njëjtën pronë, vendim kthimi, kompensimi e njohje prone ua jep me “letar” 2-3-4 e madje deri në 8 familjeve apo individëve, por që në fakt e posedon dhe e përdor jo ai që është i zoti, por ai që e ka zaptuar dhe që e mban të “pushtuar” me forcë si “më i zoti”! Këtë mbivendosje e kanë krijuar batakçinjtë dhe interesaxhinjtë e zyrave të shtetit, të cilët kanë marrë ryshfete e kanë përlarë prona që nuk u takojnë. Sipas “bilancit” total që ka evidentuar Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave” dhe që 5 muaj më parë ia ka lënë në tavolinë kryeministrit Edi Rama (informacion i kërkuar), në shkallë vendi rezultojnë afro 170 mijë raste të mbivendosjes së parcelave pronësore të çdo kategorie toka buke, troje, kullota, pyje, troje nën objekte banimi e shërbimi deri te parcela të njohura në mjedise publike.

 Mbivendosjet sipas qarqeve në 22 vite

  • Tiranë 31 mijë e 876 parcela
  • Vlorë 12 mijë e 321 parcela
  • Elbasan 17 mijë e 113 parcela
  • Shkodër 13 mijë e 567 parcela
  • Fier 19 mijë e 468 parcela
  • Durrës 25 mijë e 104 parcela
  • Korçë 12  mijë e 233 parcela
  • Gjirokastër 11 mijë e 562 parcela
  • Berat 10 mijë e 122 parcela
  • Kukës 9 mijë e 213 parcela
  • Lezhë 8 mijë e 325 parcela
  • Dibër 9 mijë e 756 parcela

Gjyqet për mbivendosjet në 22 vite

  • Tiranë 459 mijë e 354 padi
  • Vlorë               67 mijë e 456 padi
  • Elbasan            52 mijë e 321 padi
  • Shkodër           32 mijë e 633 padi
  • Fier                  49 mijë e 784 padi
  • Durrës             78 mijë e 106 padi
  • Korçë              38 mijë e 322 padi
  • Gjirokastër      27 mijë e 789 padi
  • Berat               34 mijë e 603 padi
  • Kukës              26 mijë e 325 padi
  • Lezhë              44 mijë e 563 padi
  • Dibër               26 mijë e 155 padi

ABSURDI/ Ligji Nr. 7698 i shfuqizuar në vitin 2004, aplikohet në zyrat e shtetit

 Ligji nr. 7698, datë 15.04.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”, me ndryshimet e mëvonshme, Ligji nr. 7699, datë 21.04.1993 “Për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve të tokave bujqësore, kullotave, livadheve, tokave pyjore dhe pyjeve”, Dekreti nr. 1254, datë 19.10.1995 “Për kompensimin e ish-pronarëve të tokës bujqësore dhe jobujqësore dhe të trojeve të zëna, me troje në zonat turistike dhe në qendrat e banuara” dhe neni 10 i Ligjit nr. 8030, datë 15.11.1995 “Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha”, si dhe çdo dispozitë tjetër që është në kundërshtim me këtë ligj është shfuqizuar, por… që në vitin 2004, por vazhdon përdoret.

Ja 10 ligje për të drejtën e pronës, që nuk zbatohen

  1. Ligji nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”
  2. Ligji nr. 7512, datë 10.08.1991 “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private dhe nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”
  3. Dekreti i Presidentit të Republikës nr. 378, datë 2.12.1992 “Për faljen e studiove të punës piktorëve dhe skulptorëve”
  4. Ligji nr. 7652, datë 23.12.1992 “Për privatizimin e banesave shtetërore”
  5. Ligji nr. 7665 datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”
  6. Ligji nr. 8405, datë 17.09.1998 “Për urbanistikën”
  7. Ligji nr. 8312, datë 26.03.1998 “Për tokat bujqësore të pandara”
  8. Ligji nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”
  9. Ligji nr. 7980, datë 27.07.1995 “Për shit-blerjen e tokave”
  10. Ligji nr. 7698, datë 15.04.1993 “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”

Ja 14 ligje për të drejtën e pronës, që bien në kundërshtim me kushtetutën

Janë 14 ligje, të cilët  janë pjesë e legjislacionit në fuqi, por që bie në kundërshtim të plotë me liritë dhe të drejtat e njeriut për pronën, bien ndesh me Nenin Nr. 1 të Protokollit Nr. 1 të Konventës së të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut, me Rezolutën e Parlamentit Europian “B-4 1393/95”, të datës 14 dhjetor 1995, me Nenet Nr.  4, 15, 17, 41/2, 122/2 dhe 181 të Kushtetutës Shqiptare. Ja cilët janë 14 ligjet anti-kushtetuese, që bien ndesh me të drejtën e pronës.

  1. Ligji “Për Tokën” nr. 7501 dt. 19.7.91 (nenet 5, 8, 24, 25).
  2.  Ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7501 dt. 19.07.1991 “Për tokën” nr. 7715 dt. 2.06.1993.
  3. Ligji “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve” Nr. 7698 datë. 15. 04. 1993 (nenet 5,12/2,19,26).
  4. Ligji “Për kompensimin në vlerë ose me troje të ish-pronarëve të tokave bujqësore, kullotave, livadheve, tokave pyjore dhe pyjeve” Nr.7699, datë 21.4.93.
  5. Ligji “Për Zhvillimin e Zonave që kanë Përparësi Turizmin” nr.7665 datë 21.1.93 (neni 7 pika ç dhe neni 13).
  6. Ligji “Për shitblerjen e trojeve” Nr.7980 dt. 27. 07. 1995 (neni 3 pika b, neni 4 dhe neni 5).
  7. Ligji “Për miratimin me disa shtesa e ndryshime në Dekretin Nr.1359, datë 05. 02. 1996 ”Për disa ndryshime në dekretin nr.1254, datë 19.10.1995” nr.8084, datë 07. 03. 1996, (nenet lidhur me kufizimin e masës së kthimit deri 10000 metër katrorë, neni 4 pika 3/2, pika 4 dhe pika 5, lidhur me kufizimin e kohës).
  8. Dekret i Presidentit Nr. 1431 datë 27. 03. 1996 ‘Për një ndryshim në Ligjin Nr. 8053 datë 21.02.1995.
  9. VKM “Për ristrukturimin e ndërmarrjeve Bujqësore” Nr. 452 datë 17.10.92.
  10. VKM Nr.161 datë 08. 04. 1993 “për disa shtesa e ndryshime në vendimin e lartpërmendur të KM, Nr. 452 datë 17. 10. 1992 si dhe Udhëzimin Nr. 5 datë 25. 05. 1993, të Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të ish-NB-ve, në zbatim të VKM me nr. 161.
  11. Udhëzimi Nr. 106 datë 23. 02. 1996 i Drejtorisë së Toka Ujëra të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit.
  12. VKM  me Nr. 562 datë 09. 10. 1995 dhe VKM me Nr 883 datë 23. 12. 1996 (shtesë e VKM me Nr. 562).
  13. Pikat 5 dhe 7, të Udhëzimit Nr 1 datë 23. 02.1999 “Për kriteret e Zbatimit të VKM ne Nr. 666 datë 26. 10. 1998 “Për disa masa lidhur me procesin e likuidimit të ndërmarrjeve të varësisë të ish-Agjencisë Qendrore të Ristrukturimit dhe Privatizimit të ndërmarrjeve bujqësore”.
  14. Dekret i Presidentit Nr. 1359, datë 02. 05. 1996 “Për disa ndryshime në Dekretin Nr. 1254, datë 19. 10. 1995 “Për kompensimin e ish-pronarëve të trojeve të zëna, të tokës bujqësore, me troje në zonat turistike dhe në qendrat e banuara”, ndryshuar me Ligjin Nr. 8024, datë 02. 11. 1995.

 

Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.

Advertisements
Ky zë u postua te Albanian Authorities, Posts in Shqip dhe u etiketua me , , , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

2 mendime mbi “(Mos) Kthimi i pronave

  1. me ligjin 7501 te veprohet sa me shpejt ,sepse eshte nje ligj antikushtetues.i ka bere pronaret jo ish-pronare ,por te zhveshur fare nga prona.prandaj ky ligj te shfuqizohet sa me pare dhe toka te shkoj tek i zoti,jo te vij maloku dhe te marre prona ne himare e kudo ne bregdet.

  2. Shkrimi i me titull “(Mos ) kthimi i Pronave i botuar ne Gazeten Telegraf ne daten 21. 11.2014, pasqyron me vertetesi absolute masakren Shteterore qe kane bere drejtuesit kryesore te Politikes Shqipetare pas vitit 1990. Moria e ligjeve e vendimeve qe kane miratuar ne Parlament e Qeveri jo per ta zgjidhur kthimin e prones , por per ta bere sa me konfliktual tregon sa papergjegjshmerine aq edhe keqdashjen dhe pafytyrsine e tyre. Kjo ka ndodhur sepse lideret kryesor te PD, PS, LSI etj kane qene te interesuar qe situata te jete e tille, ne menyre qe te ishin hapesirat per Korrupsionin e tyre. Me cka prezanton Shkrimi mbi situaten tejet konfliktuale, teresisht antikushtetuese, teresisht ne kundershtim me konventat nderkombetare te te drejtave te njeriut dhe qe tere populli Shqipetar eshte ne armiqesi me njeri tjeterin, si mundet qe nje drejtues lider i nje Partie te kerkoje nga populli qe ta votoje per ta qeverisur ? Si mundet qe PS kerkoi me aqe ngulm qeverisjen kur gjithe popullin e kishte dhe e ka ne konflikt te perjetshem, Si mundet qe nje Parti Politike te kerkoje Qeverisjen duke mos garantuar zbatimin e Kushtetutes ? e pasi fiton (tani) thote se do zbatojme 7501-shin ? Perse sot Luli i PD ngre gjithe popullin ne proteste ? Cfare kerkon ? po per pronat a do ti premtoje gje popullit ? Po Presidenti i Republikes qe BETOHET se do garantoje zbatimin e kushtetutes dhe kjo eshte detyra e veteme kryesore e tij Pse qendron ne detyre kur nuk e garanton zbatimin e kushtetutes ? Po gjykata Kushtetuese perse eshte perse e merr rrogen . Zgjidhja e Situates mjerane me pronat kerkon pergjegjesi te qeverise e jo demagogji sepse askush nuk duhet te mendoje se me disa ligje pacavure te pseudoqeverive Shqipetare mundet qe ta uzurpoje pronen e tjeterit, Askush nuk mund te mendoje se sa here qe ndrohen qeverite populli dashka te ndryshoje pronat dhe sinoret e tyre.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s