Pronat, gati 25 mijë hektarë tokë bujqësore për fondin e kompensimit fizik

Botuar në Gazetën Shqip, më 25 tetor 2014

AKKP: Plan-veprimi në bazë të vendimit të Strasburgut

Gjykata e Strasburgut

Vendimet – I kërkohet qeverisë hartimi i një liste të vendimeve që njohin, kthejnë dhe kompensojnë pronën

Çmimi – Kërkohet të finalizohet një hartë e vlerës së tokës për të llogaritur koston e ekzekutimit të vendimeve

Kompensimi – Këshilli i Ministrave duhet të përcaktojë rregullat dhe metodat e hollësishme për kompensimin

Hartat – AKKP po realizon pozicionimin hartografik të vendimmarrjes në të gjithë territorin

Vlorë – Ka përfunduar hedhjen e të dhënave tekniko-ligjore të të gjithë vendimeve në Vlorë

25 mijë hektarë – Do të dërgohet për miratim në qeveri fondi fizik tokë bujqësore prej 25 mijë hektarësh

Nga Zamir Alushi 
https://i0.wp.com/gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/uploads/2014/07/dosje-pronash.jpg
Kthimi i pronave tek ish-pronarët do të bëhet sipas detyrave të lëna qeverisë nga vendimi pilot i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. Në gjykimin lidhur me rastin “Manushaqe Puto kundër Shqipërisë”, gjykata mori vendim të shtyjë ankimimet e shtetasve shqiptarë për pronat, me kusht që të realizohej një strategji për kompensimin e ish-pronarëve, ku vend kryesor duhet të zërë kompensimi fizik. “Qeveria po bën gati fondin fizik për kompensimin”, u shpreh dje Sonila Qato, drejtore e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në një takim me grupet e interesit.

Hartografia e vendimeve

Qato njoftoi se pas marrjes së dosjeve nga Arkivi i Shtetit, AKKP vijon punën për përditësimin e regjistrit elektronik dhe po bashkëpunon me arkivat e atyre bashkive ku ka të dhëna për dosje të kthimit dhe kompensimit të pronave. Sipas Qatos, AKKP finalizoi projektin pilot të pozicionimit hartografik dhe hedhjen e të dhënave tekniko-ligjore të të gjithë vendimmarrjes së realizuar nga viti 1993-2013 në Qarkun e Vlorës. Qato deklaroi se ky projekt do të shtrihet në të gjithë vendin. Me këtë veprim është arritur të realizohet transparenca e vendimmarrjes 21-vjeçare në Qarkun e Vlorës, si dhe fatura e kompensimit në këtë qark.

Reflektim ndaj Strasburgut

Drejtorja e AKKP-së, Qato, deklaroi se jemi shumë pas me zbatimin e vendimeve për pronat. “Jemi në proces kompensimi të vendimeve të marra për pronat deri në vitin 1995, shumë pak kjo në raport me vendimmarrjen përkatëse në 20 vjet”, u shpreh Qato. Kjo do të ndihmojë edhe në përllogaritjen e faturës së kompensimit, si detyrim ky i përcaktuar në vendimin pilot të Gjykatës së Strasburgut “Manushaqe Puto kundër shtetit shqiptar”. Ndërkaq, Qato paralajmëroi një reformë që do të rishikojë formulën dhe instrumentet për kompensimin, detyrë edhe kjo e përcaktuar në Strategjinë dhe Plan Veprimin e nxjerrë në zbatim të vendimit pilot të Gjykatës së Strasburgut.

“Aktualisht po punojmë për finalizimin e Regjistrit të Vendimeve për kompensim ‘93-2013, të ndarë sipas kategorive së tokës, që do të na ndihmojë në përgatitjen e një skeme të qartë për kompensimin e pronarëve, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Strasburgut, për të eliminuar shkeljet e konstatuara nga kjo gjykatë të Konventës EDNJ”, deklaroi Qato. Duke konstatuar numrin e ulët gjatë 4 viteve të fundit të përfituesve të fondit nga ALUIZNI për kompensimin financiar të pronarëve, toka e të cilëve është zënë nga ndërtimet informale në proces legalizimi, Agjencia i ka propozuar qeverisë rishikimin e vendimit për ndarjen e fondit, me qëllim lehtësimin e procedurave. 

Kompensimi fizik

Paralelisht, Agjencia ka punuar për identifikimin, verifikimin e statusit juridik të pronave shtetërore të vëna deri më sot në dispozicion të Fondit Fizik të pronarëve, duke kryer veprimet e para procedurale të rezervimit të fondit me status të pastër juridik “shtet” pranë Hipotekës. Me urdhër të Kryeministrit janë ngritur dhe po punojnë dy grupe ndërinstitucionale, nën drejtimin e zv/kryeministrit Peleshi, që po identifikojnë dhe dërgojnë për miratim në qeveri fondin fizik tokë bujqësore prej 25 mijë hektarësh, si dhe po inventarizojnë ato pasuri prona shtet dhe publike të cilat do të vihen në dispozicion të fondit fizik për kompensimin. Qato njoftoi se në fund të këtij muaji përfundon puna e këtyre grupeve.

Pronari, “partner zhvillues”

“Ne duam të ndërmarrim një proces reformues, i cili të prodhojë një institucion që do ta trajtojë pronën si element për zhvillimin ekonomik të të gjithë vendit, ku pronari të shihet si partner me qeverinë për të zhvilluar projekte në të gjithë territorin”, u shpreh Qato. Në zbatim të planeve zhvillimore dhe strategjike të qeverisë, sipas Qatos, do të bëhet një proces kompensimi i bazuar në parimet kushtetuese për një shpërblim të drejtë për pronarët dhe real për buxhetin e shtetit.

Inventari

Janë 8343 dosje të pashqyrtuara

Puna e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) nisi në shtator të vitit të kaluar me inventarin e dosjeve pa vendime. “Duke pasur një ide të qartë të situatës në agjenci, identifikuam se nuk janë siç është raportuar, 7300 dosje për shqyrtim, por 8343 dosje që ende presin vendimmarrje”, deklaroi Sonila Qato, drejtore e AKKP-së. Ajo tha se, në funksion të një procesi të rregullt ligjor për vendimmarrjen, që do të ndërmerret në raport me dosjet e pashqyrtuara, AKKP-ja ka bërë hapin e parë të punës me hedhjen në hartë dixhitale të të gjitha aplikimeve në 12 qarqet e vendit. “Realizimi i pozicionimit hartografik të vendimmarrjes në të gjithë territorin, ndikon në një vendimmarrje të drejtë deri në mbylljen e shqyrtimit të dosjeve ende pa vendim, por mbi të gjitha në identifikimin e një fature kompensimi të saktë, pa mbivendosje”, shpjegon Qato.

Ky zë u postua te Albanian Authorities, Posts in Shqip dhe u etiketua si , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s