Pronarët: Anarkia postkomuniste e pronës është turpi i politikanëve

Botuar në Gazetën Telegraf me 21/10/2014

gjykata-strasbourgPlani i veprimit për zbatimin e vendimit pilot të GJEDNJ, në 24 tetor tryeza me pronarët, AKKP dhe M. e Drejtësisë.
Zgjidhja vjen vetëm me zbatimin e Kushtetutës dhe kthimin e pronës te i zoti

 AKKP dhe Ministria e Drejtësisë, në zbatim të planit të veprimit për zbatimin e vendimit pilot të GJEDNJ, (Për regullimin e anarkisë postkomuniste me pronat, për zbatimin e detyrimeve kushtetuese dhe për të plotësuar kushtet për përafrimin në BE), po ndërmerr hapat e para. Për këtë do të mblidhet në 24 tetor një tryezë e rrumbullakët me palën e dëmtuar, të përfaqësuar nga shoqatat e të shpronësuarve padrejtësisht nga diktatura komuniste. A ka rrezik që reforma ligjore dhe institucionale, ku është ingranuar AKKP dhe Ministria e Drejtësisë të jetë vetëm fasadë dhe shtytje e afateve kohore? A ka rrezik që kjo tryezë të jetë një mashtrim i radhës për t’i hedhur hi syve delegacionit që do të vijë nga Strasburgu, apo Kancelares së Gjermanisë znj.Angela Merkel, që ka bërë disa apele për problemin e anarkisë së pronës? Këto janë dyshimet që hedhin pronarët, në lidhje me këtë tryezë, duke pohuar, se kjo ka ndodhur me qeveritë e mëparshme; të djathta dhe të majta në periudhën e pluralizmit postkomunist. “Ajo që është e sigurt, është fakti se demokracia fillon me pronën. Që demokracia, e shpërthyer me studentët e vitit 1991, të rilindë, duhet që reforma të fillojë me pronën tek i zoti. Zgjidhja e problemit të pronës nuk ka qenë aspak e vështirë dhe zgjidhja nuk është e vështirë edhe sot, mjafton që të ketë patriotizëm dhe vullnet politik për të ndërtuar një shtet ligjor dhe demokratik”, shprehet për “Telegraf” z. Rrapo Danushi, kryetari i shoqatës “Pronësi me drejtësi”. Për pronarët, është një veprim shumë i mirë që Ministria e Drejtësisë dhe AKKP ulen në tryezë me përfaqësuesit e pronarëve. “Për të garantuar rilindjen e demokracisë do të sugjeronim që specialistët e Ministrisë së Drejtësisë, t’i referohen shkrimeve që janë publikuar në gazetën “Telegraf” për pronën. Nëse këto shkrime nuk do kishin rënë në veshin e shurdhër dhe në indiferentizmin e politikanëve, problemi i pronës do ishte zgjidhur shumë vjet më parë. Koha që kalon bëhet bumerang dhe turpëron politikanët për faktin se kanë kaluar 23 vjet dhe Shqipëria ka mbetur në porositë e Ramiz Alisë; nuk është as lindje dhe as perëndim” shprehen pronarët.

Pronarët kërkojnë respektimin e Kushtetutës

Në datën 22 Shtator 2014 nëpërmjet gazetës “Telegraf”, pronarët e Bregdetit i janë drejtuar publikisht Presidentit të Republikës. Pronarët i rikujtojnë Kryetarit të Këshillit të lartë të Drejtësisë se Kushtetuta vazhdon të shkelet, se vuajtjes së shkaktuar nga diktatura komuniste për 45 vjet, politikanët i kanë shtuar dhe 23 vjet diktaturë të maskuar; se për shkak të politikës antipronar dhe mos kthimit të pronës tek i zoti është zhvilluar kleptokracia; se njerëzit dhe familjet që, asnjëherë, në brezat e mëparshëm nuk kishin vjedhur pronën e tjetrit, ligjet i stimuluan të vjedhin pronat e njëri-tjetrit. Bregdetasit i kanë rikujtuar Presidentit dhe njëkohësisht të gjithë politikanëve deputetëve, të djathtë dhe të majtë, se kthimi i pronës sipas Nenit 181 të Kushtetutës është kusht për afrimin në Europë.

Vetë Kryeministri z. Edi Rama, ka deklaruar se pas vitit 1991, për shkak të anarkisë së titujve të pronësisë në Shqipëri, janë vrarë mbi 8000 njerëz dhe janë me mijëra familje të ngujuara. Ish Kryeministri Sali Berisha, ka pranuar gabimin, por, çuditërisht, Lulzim Basha nuk shpreh shqetësim. Por, a e zgjidh problemin e pronës platforma e qeverisë “Rama”? Gjasat janë për “JO”, shprehen pronarët, nëse kjo platformë nuk korrigjohet, sipas parimit që shteti dhe individi të marrin pronën që u takon, konform detyrimeve kushtetuese. Prona e trashëguar është punë e akumuluar në breza dhe nuk mund të grabitet nga politikanët dhe pronari të kompensohet, sepse prona e trashëguar përmban anën shpirtërore që paraja nuk e kompenson. Shqiponja fluturon lart, por kthehet në folenë e saj, po ashtu dhe pronarët po presin, por asnjëherë nuk do t’i lejojnë politikanët e papërgjegjshëm të grabisin në emër të ligjit pronat që kanë zot. Prona e trashëguar përfaqëson folenë dhe atdheun e gjithsecilit. Në vijim të porosisë së Atit të Shenjtë, (sigurisht për politikanët) që të mos i gëzoheni parasë, por t’i kushtohen drejtësisë dhe moralit të pastër, bregdetasit kanë kërkuar nga garanti i Kushtetutës, Presidenti Nishani, të reflektojë në faktin se Kushtetuta (Neni 41 dhe 181) shkelet çdo ditë, se pronat në zonën turistike, në pjesën më të madhe janë përvetësuar nga oligarkia politike.

Por deputetët që kanë përvetësuar prona në bregdet, kanë interesa ta mohojnë kthimin fizik dhe ata flasin për kompensime dhe legalizime dhe mbrojnë platformën aktuale. Por, a ka një platformë më të mirë se Platforma aktuale e Qeverisë?

Dr. Niko Nesturi, kreu i shoqatës “Bregdeti” rikujton se në promemorien që kryesia e shoqatës Bregdeti i ka dërguar Presidentit të Republikës dhe gjithë politikanëve është theksuar fakti se: Në zbatim të parimit moral secili në pronën e tij dhe të Nenit 181 të Kushtetutës, Shoqata Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” dhe Shoqata “Bregdeti”, kanë ofruar zgjidhjen nëpërmjet projektligjit, që i është postuar, jo vetëm Presidentit, por dhe shumë institucioneve dhe gjithashtu është bërë publik në sitin http://www.defendingproperty.com.

Bregdetasit dhe të gjithë pronarët kanë të drejtë, kur theksojnë, se vetëm duke filluar me kthimin e pronës tek i zoti, çrrënjoset komunizmi, reduktohet korrupsioni dhe drejtuesit e politikës i japin fund kalvarit që zgjati 45+23 vjet për pronarët e ligjshëm. Duke kthyer pronën e grabitur tek i zoti, toka shqiptare i kthehet të zotit dhe jo grabitësit, apo shkelësit të ligjit, Shqipëria futet në rrugën e harmonisë sociale dhe të demokracisë sipas modelit euroatlantik dhe fillon të materializohet bekimi i Atit të Shenjtë.

Nga Ledjana Saliu

Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.

Advertisements
Ky zë u postua te Albanian Authorities, European Court of Human Rights, European Integration, Posts in Shqip dhe u etiketua me , , , , , , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

3 mendime mbi “Pronarët: Anarkia postkomuniste e pronës është turpi i politikanëve

  1. Vetem kthimi i prones tek pronari qe e trashegon shenon ndarjen perfundimtare nga regjimi komunist, sepse ky eshte edhe dallimi esencial ndermjet dy sistemeve. Qeveria Rama bertet se do te beje reforme ne drejtesi dhe ngre komisione e angazhon deputete e politikane qe te largojne nga postet drejtuese e nga vendet e punes disa juriste e gjyqetare, por Drejtesia nuk fillon e mbaron duke hequr disa njeres nga puna, Ajo fillon e mbaron nga zbatimi i kushtetutes, nga nxjerrja e akteve ligjore e neneligjore ne perputhje me kushtetuten dhe konventat nderkombetare te te drejtave te njeriut. Pra fillon me kthimin e prones tek i zoti i saj, sepse nuk mund te ndertojme demokraci me ligje e reforma komuniste . Nese Kryeministri i vendit shprehet ne programin e Qeverise se Tij se do zbatojme Ligjin 7501 dhe pas klesaj do zbatojme Kushtetuten ! athere per cfare reforme ne drejtesi flet Kryeministri ?, cfare mesazhi i u jep gjyqetareve ? , Reforma ne drejtesi duhet te filloje ne Parlament qe do te thote qe Parlamenti te abrogoje te gjitha aktet ligjore e nene ligjore antikushtetuese dhe qe cenojne te drejtat e njeriut, pastaj tek presidenti dhe tek gjykata kushtetuese, qe te garantojne zbatimin e kushtetutes e te mos bejne sehir. Ajo qe ndodhi ne Beograd ne themel te konfliktit ka pronen, sepse prona e sejcilit perben territorin komunal e pastaj ate kombetar.

  2. Prona asht problemi ma shqetesues per stabilitetin dhe mbarevajtjen e demokracise.Kete problem prej viti 1991 e deri me sot e kan anashkaluar perfaqesuesit e BE,KE,OSBE, W.Bank,FMN, dhe kjo ka bere qe te thellohet rruga e gabuar qe filluan kryeministrat dhe drejtuesit e politikes shqiptare ne vitin 1991 qe nga Sali berisha e Fatos nano, Ilir Meta ,etj qe nuk kan pasur aspak deshire ta kethejne pronen tek i zoti dhe kan ten ne gropen e politikave antishqiptare dhe antidemokratike. Sot fati i popullit shqiptar dhe e ardhmja e demokracise ne Shqiperi,do te percaktohet nga vendosmeria e kryeministrit zotit Edi Rama per te kethyer pronen tek i zoti, nga vendosmeria per ta zbatu kushtetuten dhe per te ndeshkuar te gjitha ata qe ai i quajti korporate. Kure dhe kush do te pergjigjet per 8200 te vrare per shkak te anarkise se prones?.
    Deshroj te falnderoj publikisht zotin Rrapo Danushi dhe Niko Nesturi qe kan punuar pa u lodhur si dhe redaksin e gazetes Telegraf qe gjithmone ka sensibilizuar per domosdoshmerine e kethimit te prones tek i zoti, nderkohe qe redaksi te tjera kan shkruar pak ose aspak per kete problem.
    loro stajka

  3. Anarkia me pronat eshte zhvilluar nga te dy krahet e politikaneve qe kane drejtuar maxhorancat ne keto 23 vjet. Kjo anarki eshte rezultat i drejtimit te keq te politikaneve tane, por dhe i nderkombetareve qe praktikisht kane bere syrin qorr dhe veshin shurdh ndaj ankesave te pronareve. Krimi i nderkombetareve qendron ne faktin se ata edhe pse jane ne dijeni se shkelen te drejtat themelore , ata kane vazhduar te financojne nje sistem kleptokratik dhe korruptiv qe askush nuk mund ta quaj demokraci dhe kurresesi nuk mund te quhet demokraci funksionale siç u shpreh kohe me pare anbasadori i SHBA. Por te gjithe ambasadoret kane bere rrolin e miopit, perfshi komisionerin Stefan Fyle dhe baroneshen Katherine Eshton. Praktikisht, lidhur me gjyqet per pronat, sistemi i drejtesise eshte i bllokuar, nuk zbaton ligjet ne fuqi dhe funksionon si tip ankandi. Gjyqtare te ndershem ka ne çdo qytet dhe ne çdo gjykate, por ata jane pak. Sot shume gjyqtare dhe prokurore e kane vendin para prokurorit dhe pas hekurave te burgut, por nuk ka kush ti gjykoje? Kryeministri Edi Rama u shpreh shume qarte per korrupsionin ne drejtesi, te shohim çdo beje per ta çuar pronen tek I zoti.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s