A do të vejë ndonjëherë prona tek i zoti?!

Botuar në Gazetën Telegraf më 12/10/2014

gjykata korce_10– 20 vjet toka e pushtuar, prokurori S. Sh. në Korçë vendos mosfillim të hetimeve –

Kushtetuta jonë, ligji themeltar i shtetit demokratik, e shpall të shenjtë pronën. Që kur u shpall kjo, pronarët u gëzuan. Se, më së fundi, prona do të vinte te i zoti… Por, pikërisht, tek e shkreta pronë, sidomos tek toka si pasuri e paluajtshme, u bënë e po bëhen allishverishet më të mëdha, nga të gjithë pushtetet, por veçanërisht nga ai i drejtësisë. E kur “shin” mbi ligjin themeltar pushteti i drejtësisë, vuajnë dy gjysmat e popullsisë… Kur themi gjysmat, e kemi fjalën se vuajnë njësoj, si ata që janë pronarë të ligjshëm, edhe ata që e kanë zaptuar tokën e tjetrit në mënyrë të paligjshme; pronarët autoktonë vuajnë se nuk e marrin dot pronën e tyre dhe kanë 20 e ca vjet që u sfilitën e pyesin: Mirë me ligj m’u rikthye prona, por s’po e marr dot!? A do ta marr, vallë, ndonjëherë pronën time?

Ata, që e kanë zaptuar tokën e tjetrit në mënyrë të paligjshme, vuajnë edhe më shumë sepse çdo ditë rrojnë me frikë: Mos na i marrin… Do na i marrin! Ka 20 vjet që ajo është bërë e imja! Dhe kjo dilemë e madhe sa tragjike aq edhe komike mendoj se ka vrarë shpirtërisht një popull të tërë…

Unë që po shkruaj këto radhë jam pronar me prona të trashëguara, por, prej 20 vjetësh të zaptuara… Dhe s’ka më keq, kur të pushtohet e dhunohet prona që e ke trashëgim brez pas brezi, e aq më keq kur të thonë: Ik, o zotëri, kjo nuk është toka jote, është toka e atij tjetrit që e ka…?! Po e tregoj historinë e pronës time me hollësi dhe lexuesi le të më gjykojë kam, a s’ka të drejtë.

Historia

Quhem Irakli Kondi, banoj në Korçë lagjja Nr. 18, Rr. “Kiço Goliku” Nr.49. Bashkë me vëllezërit kemi trashëguar një tokë truall në fshatin Vithkuq, me sipërfaqe 2431 m2, të regjistruar ne Z.R.P.P rrethit Korçë, të rifituar nga Komisioni i Kthimit të Pronave i Qarkut të Korçës; Akti nr. 234, Vendimi Nr.138, datë 07.04.1994. Prona figuron e regjistruar në regjistrin hipotekor me Nr.77/4 datë 18.10.1994 në pronësi të Thoma, Ilo, Irakli dhe Spiro Kondit (katër vëllezër) në Zonën Kadastrale 3790. (Janë lehtësisht të verifikueshme).

Me këtë vendim u paraqitëm pranë komunës Vithkuq dhe, sipas ligjit, morëm në dorëzim sipërfaqen prej 2431 m2, firmosur nga kryetari dhe sekretari i komunës të asaj kohe. Kopjen e vendimit e dorëzuam në Z.R.P.P Korçë, ku u bë regjistrimi me Nr 77/4 datë 18.10.1994. Pra, në letër pronën e morëm, por atë e kishte zaptuar e vazhdon ta mbajë të pushtuar z. J. Renxa e persona te tjerë, prandaj ne kemi 20 vjet që po heqim të zitë e ullirit dhe nuk e marrim, që nuk e marrim dot. Jemi të bindur se për këtë zvarritje, prej dy dekadash, përgjegjës është pushteti i drejtësisë.

Pushteti i drejtësisë dhe kalvari i pronarëve

Pse e them këtë? Po e shpjegoj. Zaptuesit e pronës tonë pretendojnë se janë pronarë, se tokën ua ka dhënë Komisioni i Ndarjes së tokave të fshatit Vithkuq, (megjithëse ata e kishin zaptuar përpara se të bëhej ndarja)… Duke menduar se kanë të drejtë, çështjen e çuan në gjykatë. Paditësi J. Renxa etj., iu drejtua gjykatës së rrethit Korçë. I paditur; Komisioni i Kthimit e Kompensimit të Pronave Korçë. Pretendimi i palës paditëse ishte se sipërfaqja që pretendon Irakli Kondi është dhënë nga Komisioni i Ndarjes së Tokës, sipas Ligjit 7501 për tokën bujqësore. Por gjykata e hodhi poshtë, sepse Irakli Kondi e vëllezërit e tij e kanë përfituar në bazë të ligjit Nr . 7698 datë 15.04.1993 “Për kthimin e kompensimin e pronave ish-pronareve”. Ndërsa akti i marrjes së tokës në pronësi në fshatin Vithkuq është bërë më datën 25.11.1995. Komisioni i ndarjes së tokës, sipas ligjit, nuk mund t’u ndante fshatarëve tokën truall për tokë bujqësore… Dhe pushtuesit e tokës, për ta përfituar bënë edhe një krim tjetër e kthyen tokë truall në bujqësore (!)… Si Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e Apelit njohën pronarë të vetëm z.Irakli Kondi dhe vëllezërit e tij. Gjykata e Apelit, mbi ankimimin e shtetasve J. Renxa etj., e ktheu çështjen për rigjykim në Gjykatën e shkallës së parë Korçë, (por me tjetër trup gjykues, datë 5-5-1995). Gjykata e rrethit Korçë e përbërë nga një tjetër trup gjykues vendosi pushimin e gjykimit të çështjes civile me palë paditëse J. Renxa etj., me objekt: Anulim të vendimit të Komisionit të Ndarjes së Tokës të fshatit Vithkuq që është bërë më datën 25.11.1995. U shpall në Korçë më datën 04.03.1996.

Pra, megjithëse me letra e gjyqe të rregullta ne vazhdojmë kalvarin e vuajtjeve, mundimeve e poshtërimeve. Tentuam disa herë të hyjmë në tokën tonë, por ishte e pamundur, sepse zaptuesit… Shpresat te drejtësia nuk i humbëm dhe iu drejtuam Zyrës së Përmbarimit që të zbatohej vendimi, por nuk ishte e mundur të çanim.

Atëherë, vendosëm që të bëjmë kallzim në prokurori për veprën penale të zaptimit të pronës së tjetrit… Dhe më datën 17.9.2014 na erdhi me postë përgjigja nga Prokuroria e Korçës. Prokurori i çështjes S. Sh. kishte vendosur: Mosfillimin e hetimeve të materialit hetimor nr.1207 viti 2014?! U çuditëm vërtet dhe thamë: Ose ne, ose Prokuroria e Korçës nuk është në rregull… Nuk jemi aspak dakord me vendimin e prokurorit të çështjes z. N. Sh., pasi ai nuk ka kryer hetim profesional gjatë shqyrtimit të çështjes, por ka mbajtur fare hapur njëanësi. Dhe këtë e themi, sepse në përgjigjen që na dërgon, të gjitha faktet janë deformuar në mënyrë skandaloze. Si kallëzues i veprës penale nuk jam thirrur as edhe një herë për të dhënë sqarime dhe informacion. Prandaj i bëjmë një pyetje zotit Sh.: “A është Z.R.P.P, i vetmi institucion që vërteton pasurinë e paluajtshme të qytetarit, ku lëshohet dokumenti përkatës? E unë e depozitova në dosje këtë dokument dhe të gjitha dokumentet, që kanë të bëjnë me pronën. Në qoftë se Prokurori i Çështjes do të bënte hetim profesional, të paktën të merrte informacionin e saktë nga Z.R.P.P dhe dokumentin mbi pronësinë, jemi të sigurt se do sqarohej për gjithçka edhe për faktin tjetër kohor, se në komunën Vithkuq nuk është bërë azhornimi nga Z.RP.P. dhe në dhënien e vendimit për mosfillimin e hetimeve të materialit hetimor nr.1207 viti 2014, nuk do të kishte gabuar. Ai bazohet me demek në shkresën Nr 137 datë 12.08.2014, lëshuar nga komuna Vithkuq, ku kryetari i komunës mashtron haptazi duke “sqaruar” (gënjyer) prokurorin se “Sipërfaqja që pretendon Irakli Kondi është ndarë nga Komisioni i Ndarjes së Tokës sipas Ligjit 7501 “Për Tokën Bujqësore””. Dmth, kryetari u dalka zot dhe bëhet edhe palë në zaptimin e pronës së tjetrit… Mirë thotë populli: Ka ligj, po ka dhe Maliq… Me sa duket Maliqët dhe maliqëria kanë ligjet e tyre dhe krijojnë lloj–lloj praktikash e marifetesh për të sjellë popullin vërdallë… Edhe dy fjalë për z. A. M.., Drejtues i Prokurorisë së Korçës, të cilit iu ankova. E dini si më tha: “Hidhi në gjyq!”… Po dy gjyqe janë bërë, o zoti prokuror, përsëri gjyq, na shkoi jeta nëpër gjyqe… Njëri e hedh tjetri e pret.

Irakli Kondi

AKKP: Në dhjetor, fatura e kompensimit të pronave

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave i ka dorëzuar Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave rreth 2500 dosje, të ruajtura deri më sot në zyrat e arkivave vendore, me qëllim plotësimin e regjistrit themeltar të vendimmarrjes së kthimit dhe kompensimit të pronave dhe plotësimit të dokumentacionit përkatës. Kjo është bërë e ditur nga drejtorja e AKKP-së, Sonila Qato në nëshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis Drejtorisë së Arkivave dhe AKKP-së, si masë konkrete për harmonizimin ligjor dhe zgjidhjen e problemit të pronave në vend. Kështu “AKKP-ja merr përsipër që 46 916 dosjeve të identifikuara pranë arkivës së këtij institucioni, t’i shtohen edhe rreth 2500 dosje të ruajtura deri më sot në zyrat e arkivave vendore”, është shprehur drejtorja e AKKP-së, Sonila Qato. Nga ana e saj Drejtoria e Arkivave merr përsipër impenjimin për dorëzimin e të gjitha dosjeve të dokumenteve arkivore të AKKP-së, të arkivuara gjatë viteve nga Zyrat Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në Arkivat shtetëror vendore të qarqeve Elbasan, Durrës, Vlorë, Fier, me qëllim krijimin e një arkive të unifikuar të këtyre dokumenteve pranë AKKP-së në rang vendi.

Ky akt do t’i shërbejë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të vijuar punën mbi identifikimin e të gjithë vendimmarrjes në procesin e kompensimit të pronave, me qëllim realizimin brenda muajit dhjetor të Faturës së Kompensimit.


Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.

Advertisements
Ky zë u postua te Albanian Authorities, Posts in Shqip dhe u etiketua me , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s