Botuar në Gazetën Telegraf më 22/09/2014
Promemorie Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani, në reflektim të mesazhit historik të Hirësisë së tij, Papa Françesku në Tiranë
I nderuar zoti Bujar Nishani, Ju drejtohemi publikisht si President i Republikës dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Mesazhet apostolike të Papa Françeskut në Meshën e Shenjtë të ditës së diel 21 Shtator 2014 në Tiranë, me siguri që kanë ndikuar dukshëm në mentalitetin e të gjithëve përfshi politikanët mëkatarë.
Fjala juaj në përshëndetjen e mirëseardhjes për Papa Françeskun ishte shumë e mirë, por ajo ka nevojë për reflektim të mëtejshëm. Besimet e ndryshme fetare nuk kanë shkaktuar gjakderdhje, në popull shqiptar, siç kanë shkaktuar ligjet për pronat. Diabolizmi është materializuar në politikanët e pluralizmit të pas vitit 1991, që kanë shkaktuar anarkinë e titujve të pronësisë; që vuajtjes së shkaktuar nga diktatura komuniste për 45 vjet, i kanë shtuar dhe 23 vjet diktaturë të maskuar, po jo vetëm kaq.
Njerëzit që për parimet morale të kohërave asnjëherë nuk kishin vjedhur pronën e tjetrit u stimuluan të vjedhin pronat e njëri-tjetrit, se ashtu u bënë ligjet dhe si pasojë njerëzit po vriten midis tyre. Ju jeni në dijeni se deputetë të ndryshëm të djathtë dhe të majtë, përfshi dhe vetë Kryeministrin z. Edi Rama, në kohë të ndryshme, kanë deklaruar në Kuvendin e Shqipërisë se pas vitit 1991, për shkak të anarkisë së titujve të pronësisë në Shqipëri, janë vrarë mbi 8000 njerëz dhe janë me qindra-mijë familje të ngujuar. Ish Kryeministri Sali Berisha, ka pranuar gabimin, por kaq nuk mjafton. Prona e trashëguar është djersë dhe para e akumuluar në breza, por ajo nuk mund të grabitet nga politikanët dhe pronari të kompensohet, sepse prona e trashëguar përmban anën shpirtërore që paraja nuk e kompenson. Shqiponja fluturon lart, por kthehet në folenë e saj, po ashtu dhe ne po presim dhe nuk duam të lejojmë që politikanët e papërgjegjshëm të na grabisin pronën e trashëguar që përfaqëson folenë dhe atdheun tonë.
Në vijim të porosisë së Atit të Shenjtë, që të mos i gëzoheni parasë, por t’i kushtoheni drejtësisë dhe moralit të pastër, ju kërkojmë që si garant i Kushtetutës të reflektoni në faktin se Kushtetuta (neni 41 dhe 181) shkelet çdo ditë. Kjo për faktin se kanë kaluar 23 vjet dhe pronat në zonën turistike, në pjesën më të madhe janë përvetësuar nga oligarkia politike. Deputetët që kanë përvetësuar prona në bregdet dhe kanë interesa ta mohojnë kthimin fizik dallohen menjëherë, sepse sapo hapin gojën, flasin për kompensime dhe legalizime.
Ju jeni plotësisht në dijeni se prona e grabitur i kthehet të zotit, edhe sikur pas vitit 1991 atë pronë ta kenë përvetësuar klanet e politikës mëkatare.
Në zbatim të parimit moral secili në pronën e tij dhe të Nenit 181 të Kushtetutës, Shoqata Kombëtare “Pronësi me Drejtësi” dhe Shoqata “Bregdeti”, kemi ofruar zgjidhjen nëpërmjet projektligjit, që ua kemi postuar ju dhe shumë institucioneve dhe e kemi bërë atë publik në sitin ëëë.defendingproperty.com. Për mungesë të vullnetit politik, por dhe të ndërgjegjes patriotike dhe qytetare, zëri ynë nuk është përfillur nga institucionet vendimmarrëse, duke zgjatur jetën e anarkisë së pronës.
Duke marrë shkas nga fjala Hirësisë Tij, Papa Françeskut, jo tundimit të parasë, jo dhunës, ju drejtojmë këtë Promemorie, ju si institucion garant për respektimin e Kushtetutës, që të bëheni nismëtar dhe t’i kërkoi Kuvendit i Shqipërisë që sa më parë të marrë në shqyrtim projektligjin që ju kemi propozuar, që e zgjidh problemin e pronës pa faturë financiare dhe në përputhje me Kushtetutën. Me kthimin e pronës tek i zoti, çrrënjoset komunizmi, reduktohet korrupsioni dhe drejtuesit e politikës i japin fund kalvarit 45+23 vjet për pronarët e ligjshëm, largohen prej politikës kleptokratike të rekomanduar prej Ramiz Alisë, apo platformës së Katovicës. Duke kthyer pronën e grabitur tek i zoti, toka shqiptare i kthehet të zotit dhe jo grabitësit, Shqipëria futet në rrugën e harmonisë sociale dhe të demokracisë sipas modelit euroatlantik dhe fillon të materializohet bekimi i Atit të Shenjtë,
Nga Kryesia e Shoqatës “Bregdeti”
Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.