Botuar në Mapo Online, më 12/07/2014
Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kanë përfunduar ndërtimin e 16 stacioneve marrëse satelitore për përditësimin e hartave të pasurive të paluajtshme në të gjithë vendin. Ja çfarë ndryshon
Të dhënat satelitore do të sigurojnë këtë vit për herë të parë një hartë unike për pronat. Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kanë përfunduar ndërtimin e 16 stacioneve marrëse satelitore për përditësimin e hartave. Ato janë vendosur pranë zyrave lokale të regjistrimit. Zbatimi i këtij sistemi zgjidh përfundimisht mospërputhjen e të dhënave të pozicionimit gjeografik të pronave, problemet hartografike të ndeshura deri tani dhe i paraprin krijimit të një harte unike për gjithë territorin. Ky sistem do të ndihmojë në përcaktimin e saktë me koordinata të kufijve administrativë të njësive vendore. Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço tha se qëllimi i ndërtimit të këtij sistemi është kalimi i sistemit koordinativ nga referenca tokësore në atë hapësinore, në përputhje me sistemin aktual europian të referencës koordinative”.
Risitë
Aplikimet e sistemit satelitor për pronat e paluajtshme do të jenë të shumëllojshme. Së pari pritet përmirësim i procesit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe përdorimi i tij në procesin e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave. Ky sistem do të përdoret gjithashtu në përcaktimin e pronave publike shtetërore dhe për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale. Një përfitim tjetër do të jetë unifikimi dhe saktësimi i hartave topografike dhe realizimi i projekteve shkencore sizmologjike dhe ambientale. Ky sistem gjithashtu do të shërbejë edhe për mbështetjen e projektit të ri me Bankën Botërore, për përmirësimin dhe përditësimin e të dhënave të pasurive të paluajtshme. Implementimi i kësaj metode moderne mundëson saktësi, rendiment dhe realizim brenda një kohe shumë të shkurtër, duke u siguruar përdoruesve të dhënat e kërkuara në kohë reale.”Të gjitha këto procese, të cilat tashmë do të kryhen me saktësi të madhe dhe brenda një kohe edhe më të shkurtër, përkthehen automatikisht në një të mirë publike, e cila si përfitues ka jo vetëm përdoruesin e sistemit, por drejtpërdrejt edhe vetë qytetarin”, – tha Ministri Naço.
Fatura
Për herë të parë pas 20 vitesh, do të zbardhet fatura e plotë për kthimin dhe kompensimin e pronave, pasi këtë javë përfundoi dixhitalizimi i plotë i të gjitha dosjeve të arkivit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, duke iu hapur rrugë kështu përllogaritjeve të sakta. Lista e rendit kronologjik të vendimeve të kompensimit do të nxjerrë për herë të parë pas 20 vjetësh edhe faturën e kompensimit, mbi bazën e së cilës qeveria do të realizojë formulën për zgjidhjen e këtij problemi. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave e ka vënë regjistrin dixhital të dosjeve në funksion të ish- pronarëve. Regjistri ka të dhënat për të gjitha dosjet e depozituara në arkiv dhe protokoll nga viti 1993 e në vijim, sipas qarkut, rrethit, bashkisë dhe komunës që këto dosje përfaqësojnë. Regjistri dixhital ka të dhëna për subjektin e shpronësuar dhe kërkuesit e autorizuar prej tyre për aplikim përpara institucionit të kthimit dhe kompensimit të pronës, sipërfaqet e pretenduara në rastin e dosjeve pa shqyrtim, sipërfaqet e kthyera dhe të kompensuara në rastet e dosjeve me vendime, llojin e pasurisë së pretenduar dhe regjistrimin e të gjitha vendimeve të komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit nga viti 1993 e deri më sot.