Botuar në Gazetën Telegraf, nga Ledjana SALIU më 17/06/2014
5 marsi
Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut i ka vënë Qeverisë shqiptare një kufi kohor deri më 5 mars të këtij viti, për të informuar rreth zgjidhjes me mirëkuptim të çështjes së 60 pronarëve shqiptarë, të cilët kanë kërkuar nga gjykata ndërkombëtare të vendosë kthimin apo kompensimin e pronave të tyre nga shteti ynë, çka shoqërohet zakonisht edhe me penalizime të mundshme ndaj këtij këtij të fundit.
12 qershori
Brenda 12 qershorit, qeveria shqiptare duhej të paguante 37 milionë euro, për zbatimin e vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, e cila u ka dhënë të drejtën pronarëve që nuk u është kthyer dhe as kompensuar prona. Për çështjet e tjera Gjykata i ka kërkuar qeverisë që të gjejë një zgjidhje paqësore, me mirëkuptim, të pranuar nga pronarët që Strasburgu të mos dalë me një vendim përfundimtar për kompensim financiar.
17 qershori
Gjykata e Strasburgut në dhjetor të 2012-s mori një vendim pilot kundër Shqipërisë, ku i kërkohej palës shqiptare të adresonte çështjen e kthimit dhe kompensimit të pronave në mënyrë të tillë që të mos kishte më shkelje të të drejtave të pronësisë. Gjykata ka lënë një afat prej 18 muajsh për adresimin e situatës, afat i cili skadon sot, në 17 qershor 2014.
KE i jep 1 vit kohë qeverisë për zgjidhjen e çështjes së pronës
Ministrat e Këshillit Europian kanë pranuar kërkesën e qeverisë shqiptare për të shtyrë dhe me një vit afatin e shqyrtimit të dosjeve të ish pronarëve që kanë mbërritur në Gjykatën Europiane e të Drejtave të njeriut. Ky është hapi i parë, ku shfaqet tolerimi ndaj Shqipërisë, ndërsa sot dhe Gjykata e të drejtave të njeriut do të japë vendimin e saj.
Rama: Të nxitojmë! E shpëtuam vendin nga gropa e paraardhësve të papërgjegjshëm
Kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në rrjetin social Facebook në lidhje me vendimin e marrë nga Këshilli i Europës për të mos shqyrtuar për 1 vit dosjet në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. “Lajm i shumëpritur nga Këshilli i Europës për pronat! E shpëtuam vendin nga gropa që na la papërgjegjshmëria e paraardhësve. Tani të nxitojmë”, shkruan Rama në statusin e tij në rrjetin social.
Zgjidhja e çështjes së pronave, prioritet serioz për qeverinë
Zv/kryeministri Niko Peleshi është shprehur se zgjidhja e çështjes së pronave është një prioritet serioz për qeverinë tone. Pas një takimi pune me Presidentin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, Dean Spielmann, zv/kryeministri Peleshi është shprehur se, mekanizmi për kthimin dhe kompensimin e pronave do t’i japë fund sorollatjeve të pafund të pronarëve.
Flet z. Agim Toro, Sekretar i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” për vendimin e mundshëm të GJEDNJ
Toro: Gjykata e Strasburgut nuk mund të pranojë presionin politik të KE-së
Sot përfundon afati që i ka vënë Gjykata e Strasburgut qeverisë shqiptare për të zgjidhur çështjen e pronësisë. Sipas vendimit pilot të Gjykatës së Strasburgut, çështjet e pronarëve që do të ankimonin pas datës 17 dhjetor 2012 do të “ngrinin” deri në 17 qershor të 2014-s, pra sot. Ndërkohë qeveria shqiptare, nën arsyetimin se nuk e njihte mirë këtë problematikë, ka kërkuar shtyrjen me një vit të afatit që i ka lënë Gjykata e Strasburgut për zgjidhjen e çështjes së pronës. Ndërsa, të gjithë sot i kanë drejtuar sytë nga Strasburgu, pronarët janë të bindur se Gjykata e Strasburgut nuk mund të shtyjë vendimin e vet, sepse këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me një vendim politik, por me një vendim gjykate të formës së prerë. “Gjykata e Strasburgut është një institucion që shprehet me vendime, jo me qëndrime politike. Ajo vullnetin dhe qëndrimet e saj i ka shprehur qartë me vendimmarrje dhe të marrë një vendim që të ndryshojë vendimin e vet, për mua, është e pamundur. Vendimi pilot i Strasburgut e ka bërë shumë të qartë se në rast se nuk plotësohen detyrat atëherë vendimmarrja do të jetë e plotë dhe e menjëhershme në favor të pronarëve. Ky është vullneti i gjykatës dhe jo i pronarëve” shprehet në këtë intervistë ekskluzive për “Telegraf” z. Agim Toro, sekretari i Përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”.
Z. Toro, nesër është 17 qershori, datë kur gjykata e Strasburgu do të shprehet se çfarë do të bëhet me çështjet e pronarëve atje, ndërkohë që qeveria trumbeton se ky afat do të shtyhet me një vit?
Është për të ardhur keq që shfrytëzohet kaq keq nga qeveria një kërkesë e saj për të shtyrë gjoja vendimmarrjen e gjykatës së Strasburgut me një kompromis që është arritur me Këshillin e Ministrave të Këshillit të Europës, gjë që nuk është aspak e vërtetë, sepse 17 qershori nuk përfaqëson një datë, kur nuk pranohen çështje të reja nga pronarët shqiptarë. 17 qershori është një datë që i jep fund afatit të qeverisë shqiptare për të zbatuar detyrat që i ka lënë Vendimi Pilot i gjykatës së Strasburgut. Vendimi pilot i Strasburgut, i cili ka marrë formë të prerë dhe përfundimtare nga Dhoma e Lartë e gjyqësorit të gjykatës së Strasburgut, ka hyrë në fuqi përfundimisht në datë 17 dhjetor të vitit 2012 dhe në janar të 2013-s është botuar në fletoren zyrtare, ku të gjithë shtetasit shqiptarë, përfshire deputetët dhe politikanët kanë marrë dijeni për vendimin e plotë të gjykatës së Strasburgut. Në këtë vendim pilot, gjykata shpreh, përveçse të drejtën e pronarëve që janë trajtuar në këtë vendim, edhe shqetësimin e vet që nga Shqipëria po i vijnë gjithnjë e më tepër çështje të të drejtës së pronësisë, ku gjykata në të gjitha rastet i ka dhënë të drejtë pronarëve dhe jo shtetit shqiptar dhe gjykata shprehet se këtu kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut dhe janë tre nenet e Konventës që shkelen haptazi në kurriz të interesave pronarëve shqiptarë. Duke parë tani numrin e çështjeve të ankimuara me të njëjtën tematikë për kthimin dhe kompensimin e pronës, gjykata, duke analizuar shkaqet se përse është kjo situatë në Shqipëri, ka analizuar saktësisht ligjshmërinë që funksionon në Shqipëri, detyrat e qeverisë, detyrat e parlamentit, detyrat e institucioneve që janë të ngarkuara për zgjidhjen e këtij problemi dhe ka arritur disa konkluzione, duke i vënë shtetit shqiptar detyra konkrete për të çuar në një zgjidhje të plotë, të shpejtë, të besueshme, të prekshme dhe në kompromis me pronarët shqiptarë. Me besimin se qeveria shqiptare do të arrinte një zgjidhje të pranueshme dhe të pëlqyeshme në kompromis me pronarët, gjykata e Strasburgut në vendimin e vet pilot vendosi që çështjet e reja që do të paraqiteshin pas 17 dhjetorit 2012 do të ngrijnë, nuk do të gjykohen nga gjykata. Pra, jo se nuk do të pranohen, por nuk do të gjykohen deri në 17 qershor 2014, afat që mbaron sot. Dhe në këtë aspekt, pra, data 17 qershor ka të bëjë pikërisht me realizimin e detyrave që shteti shqiptar duhej të plotësonte në kuadër të vendimit pilot të gjykatës së Strasburgut.
Por shteti shqiptar ka kërkuar shtyrjen e afatit me një vit…
Në këtë aspekt shteti shqiptar ka kërkuar që të shtyhet dhe për një vit gjykimi i gjykatës së Strasburgut, që për mua është një absurditet. Në radhë të parë, gjykata nuk ka mbyllur dhe nuk besoj se do të mbyllë kurrë dyert për pronarët shqiptarë dhe për çdo qytetar që mendon se i shkelet e drejta e tij, kështu që është absurde të thuhet në popull se gjykata nuk do gjykojë. Gjykata do të gjykojë. Afati 18 mujor nuk është për pronarët shqiptarë, për të mos iu drejtuar apo jo gjykatës, por është për qeverinë për të plotësuar detyrat që i ka vënë gjykata, të cilat nuk janë bërë asnjë deri më sot. Gjatë këtyre 18 muajve në gjysmën e kohës ka qenë në pushtet PD-ja dhe në gjysmën tjetër PS-ja dhe të dyja partitë, ose deputetët e të dyjave partive kanë pasur njohuri të plotë dhe të saktë përsa i përket vendimit pilot të gjykatës së Strasburgut. Dhe përsa i përket fushatës elektorale, PS, sot në pushtet, u shpreh se prona do t’i kthehet pronarëve, pikërisht mbi bazën e këtij vendimi pilot, mendoj unë. Kështu që nuk mund të thuhet sot se jemi në kushtet e të paditurit, nuk mund të thuhet sot gropa që na lanë “ata”, sepse “ata” janë deputetët e të dyja partive politike që kanë miratuar këtë katrahurë ligjore dhe këtë shkelje kaq të rëndë të të drejtave të njeriut dhe vetëm faji i pronarëve nuk është, pasi ata kanë 20 vjet që ngrenë zërin për respektimin e Kushtetutës dhe Kartës Europiane të Drejtave të Njeriut. Dhe nuk është se ca kanë faj dhe të tjerë janë pa faj. Për mua fajtorët duhet të përgjigjen para ligjit. Prandaj e marrin pushtetin partitë politike, që të respektojnë Kushtetutën dhe Kartën Europiane e të Drejtave të Njeriut. Prandaj e marrin pushtetin që ti dalin për zot të drejtave të njeriut dhe pronarëve shqiptarë. Në këtë aspekt, ne kemi thënë dhe themi që sot aleati më i madh i pronarëve është gjykata e Strasburgut.
Sikur të ndodhë që të shtyhet për një vit vendimi i gjykatës së Strasburgut?
Unë nuk besoj se gjykata do të marrë në konsideratë një vendim polik të Këshillit të Europës. Nëse do të urdhërohet politikisht gjykata e Strasburgut, vaj halli ç’mund të themi për gjykatat tona. Por, megjithatë, po marrim rastin më të mirë për qeverinë shqiptare që do të shtyhet me një vit. Lind pyetja: Kush do të shtyhet? Çfarë dokumentacioni është dërguar në Këshillin e Europës për këtë problem? Nuk bëhet transparent. Shtyhet e drejta që qeveria shqiptare të vazhdojë të zbatojë detyrat e veta? Është shumë e qartë që gjykata i vendos detyra qeverisë shqiptare. A i respekton apo i zbaton këto detyra qeveria shqiptare është e drejtë e saj. Nuk e gjykon gjykata pse nuk i ka zbatuar detyrat që i ka vënë gjykata, sepse gjykata shprehet me vendim, e ndëshkon shtetin shqiptar. Afati 18 mujor nuk është për vendimmarrjet e gjykatës, është që ka ngrirë kërkesat e reja pas 17 dhjetorit të 2012-s dhe nuk është e rastit që gjykata për çështjet që janë depozituar para kësaj date i ka gjykuar dhe në disa raste vendimet janë bërë publike. Pra nuk është e vërtetë që gjykata ka mbyllur dyert, ose nuk merr më vendime për çështjet e pronarëve shqiptarë do të vazhdojë të marrë vendime.
Pra, jemi para një fakti që ashtu siç ndodhi në muajin prill kur erdhi vendimi nga Strasburgu për 10 pronarë me kosto 8 milionë euro kundër shtetit shqiptar, ashtu do të vazhdojnë të vijnë vendimet edhe për 101 rastet e tjera, për të cilat u kërkua një shtytje 3 mujore dhe qeveria fjeti gjumë, nuk thirri asnjë nga pronarët që t’i bindte ata që zgjidhja do të ishte e pranueshme dhe ata të tërhiqeshin nga gjykimi në Strasburg. Ky fenomen nuk ndodhi.
Nëse qeveria fiton këtë shtyrje afati prej një viti, a zgjidhet çështja e pronës me planin e saj veprimit që ka miratuar?
Edhe nëse ka një shtyrje 1-vjeçare për qeverinë shqiptare, është e kotë. Qeveria nuk po bën asgjë për zgjidhjen e problemit të pronave. Mund të themi me bindje që plani i veprimit që ka miratuar qeveria shqiptare, për gjoja ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Strasburgut, është thjesht një plan veprimi për të ngritur disa komisione, për të bërë diagnostikimin e situatës; sepse nuk e njeh terrenin, sepse nuk ka qenë në pushtet ndonjëherë PS që nga ’93, sepse kjo qeveri është gjoja me të rinjtë dhe nuk mban asnjë përgjegjësi. Unë jam i bindur se situata është e qartë. Situatën shoqata “Pronësi me Drejtësi” e ka bërë me kohë prezente. Janë 20 miliardë euro ndëshkim vetëm për pronarët, janë 10 miliardë për legalizimet. Pra, që të mbushet ajo gropë “e zezë” duhen dhe 30 miliardë euro. Ndërsa, qeveria në vend që ta minimizojë dhe të punojë për ta ulur këtë kosto, vazhdon që ta thellojë në kuptimin e plotë dhe të ndërgjegjshëm të saj. Dhe lind një pyetje shumë e thjeshtë: A ka forcë qeveria shqiptare që ta ndryshojë këtë situatë? Ka forcë. Në qoftë se do të zbatojë Kushtetutën dhe kartën e të drejtave të njeriut që prona të shkojë te i zoti ashtu siç premtoi në fushata elektorale para se të merrte pushtetin. A ka forcë qeveria shqiptare që të ndryshoje linjën e Këshillit të Ministrave të KE-së? Këtu mund të ketë forcë, por nuk dimë akoma se çfarë materialesh ka paraqitur qeveria shqiptare në Këshillin e Europës. Nuk dimë asnjë dokument çfarë ka dërguar, nuk dimë cili është vendimi i KE-së. Pa një transparencë të plotë nuk mund të gjykojmë më shumë. A ka fuqi qeveria që të ndryshojë vendimin e gjykatës së Strasburgut?
Jam i bindur në veten time që nuk ka fuqi. Por mungesa totale e transparencës, mungesa totale e sigurisë juridike, mungesa totale e qeverisë apo e Parlamentit për të zgjidhur problemin e pronës, po evidentohet gjithnjë e më tepër.
Pra, përfundimisht si do të jetë sot vendimi i Gjykatës së Strasburgut?
Unë përfundimisht jam i bindur se Gjykata e Strasburgut nuk mund të pranojë një presion politik. Gjykata e Strasburgut është një institucion që shprehet me vendime, jo me qëndrime politike. Ajo vullnetin e saj dhe qëndrimet e saj i ka shprehur qartë me vendimmarrje dhe të marrë një vendim që të ndryshojë vendimin e vet, për mua, është e pamundur. Është e pamundur që një gjykatë e nivelit të Strasburgut të korrigjojë vendimin e vet. E ka dhënë afatin 17 qershor, tani të japë një datë tjetër? Atëherë, ku vajti vendimi i Gjykatës së Strasburgut? Mbas një viti qeveria mund të ketë prapë dëshirën për ta shtyrë edhe 5 vjet, do të vazhdojmë me këtë? Vendimi pilot i Strasburgut e ka bërë shumë të qartë, se në rast se nuk plotësohen detyrat, atëherë vendimmarrja do të jetë e plotë dhe e menjëhershme në favor të pronarëve. Ky është vullneti i gjykatës dhe jo i pronarëve.
Letra, drejtuar zv/ministrit të Drejtësisë Idlir Peçi, në lidhje me vendimin e Gjykatës së Strasburgut
Nga qeveria shqiptare u fol mjaft për një gropë të madhe të zezë që paraardhësit e kanë hapur, që po falimenton shteti etj., etj.. Atëherë lind pyetja: Cilat janë shkaqet që u hap kjo gropë e zezë kaq e madhe? Absolutisht nuk kemi asnjë analizë, se cilat janë shkaqet. Kryeministri në një diskutim në Parlament përmendi ligje; që njëri ta jep e tjetri ta merr, njeri i privatizon e tjetri e fal etj.. Po, është e vërtetë që në Shqipëri është një katrahurë e vërtetë legjislacioni mbi të drejtën e pronësisë, ku në të vërtetë janë mbi 10 institucione që japin të drejtën e pronësisë. Lind pyetja e thjeshtë:
Pse vazhdon të ndahet toka me Ligjin 7501, kur faktikisht nga të gjithë krahët politikë pranohet që ai është një ligj i gabuar? Pse vazhdon të ndahet toka me ligjin 8053 për fermat, siç ishte rasti i Orikumit, apo i zonave turistike bregdetare që toka u ishte dhënë në përdorim? Që të gjitha këto janë kosto, që të gjitha këto e thellojnë atë gropën e zezë. Si shpjegohet zgjatja e afateve për legalizimet e ndërtimeve pa leje? Ligji i PD-së e kishte që do të legalizohen të gjitha ndërtimet që ishin bërë deri në 2006-n, PS e shtyn deri në 2009-n dhe nesër do të vijë një maxhorancë, qoftë dhe këta tq sotmit dhe do shtyhet deri në 2014-n etj., etj.. Pra, vazhdojnë të thellojnë atë gropë të madhe të zezë, sepse të gjitha janë kosto. Si shpjegohet sot privatizimi i tokës në 52 fshatra turistikë? Të 52 fshatrat, të ashtuquajtura turistike, sot janë 52 zona me vila rezidenciale të individëve të ndryshëm dhe qeveria e PD-së u dha leje për të privatizuar tokën, por ata nuk e privatizuan. Tani qeveria përsëri u jep të drejtën atyre për të privatizuar tokën. Po pse nuk u privatizuan me qeverinë e PD-së? Se çmimet e tokës u gjykuan si të larta dhe tani po ulin çmimet sa më shumë në mënyrë që t’i privatizojnë ata falas dhe kështu do të ngelen pronarët pa gjë. Siç mund të kemi rastin e Ksamilit, ku janë ndërtuar fshatra turistikë, ose janë dhënë leje të fshatrave turistike, për atë mundësi dhe kapacitet që mund të ketë Ksamili dhe pronarët rrinë e shikojnë tani se si gëzojnë të tjerët pronën e tyre. Kurse pronarët nuk do të lejohen të ndërtojnë më, sepse ndërtimet pa leje dhe ndërtimi i “fshatrave turistikë” e ka shkatërruar atë mjedis.
AKKP inekzistente. Qeveria përdor fondet e pronarëve
Si shpjegohet që 18 mijë ha tokë bujqësore që kishte në dispozicion të pronarëve AKKP, sot nuk është më? Deklarimet e qeveritarëve, se do të zëvendësohen me 25 mijë ha të tjera, janë një bllof. Kur kishin 25 mijë ha, pse ia morën 18 mijë ha? Pra, nuk ka.
Si shpjegohet që AKKP ka deklaruar publikisht se ka 7000 dosje pa vendimmarrje dhe ka 9 muaj në pushtet e në drejtim përfaqësuesja e PS-së dhe nuk ka marrë asnjë vendim? U shty për një vit afati i kësaj vendimmarrje dhe për një vit do të merren 7000 vendime? Nga ky një vit kanë kaluar 3 muaj, pra i bie që për 9-10 muaj do të merren 7000 vendime, që i bie të merren 35-40 vendime në ditë. Është e pamundur të merren! Unë që e njoh këtë çështje them se është e pamundur të realizohet një detyrë e tillë. Atëherë, pas një viti, përsëri do të shtyhet afati se nuk dëshiron të punojë AKKP-ja? Si shpjegohet që kjo Agjenci edhe pse e kishte detyrë funksionale që në janar-shkurt duhej të propozonte hartën e re të vlerës të pronës, nuk e ka bërë akoma. Pse? Jam i bindur që politika po ndërhyn për uljen e çmimeve, maksimalisht, sepse të gjitha ato janë kosto për t’u paguar. Si shpjegohet, që nuk shpërndahet fondi i legalizimeve, megjithëse qytetarët shqiptarë kanë vajtur kanë aplikuar dhe paguar për të bërë legalizimet dhe akoma nuk u jepet asnjë qindarkë atyre. Do të thotë që fondin e ka marrë qeveria dhe po e përdor për gjëra të tjera. Pra, ajo agjenci kot që ekziston. Si shpjegohet që fondi prej 300 milionë lekësh, që Agjencia e kishte me ligj për kompensimin e pronarëve dhe që duhej të shpërndahej deri në fund të qershorit, nuk është prekur akoma? Lind pyetja e ka më këtë fond? Unë jam i bindur që nuk e ka, ia ka marrë qeveria përsëri duke shkelur haptazi ligjin.
ZOTIT IDLIR PECI, ZEVENDES MINISTER I DREJTESISE
Zoti Idlir,
Ka filluar nje debat per problemin e Vendimit te Keshillit te Europes lidhur me vendim-marrjen e Gjykates se Strasburgut. Ju njoftoni se Qeveria Shqiptare ka paraqitur nje plan konkret veprimi per zgjidhjen e problemit dhe per zbatimin e tij kerkuat shtyrjen e afatit me nje vit te vendim-marrjeve te Gjykates. Lidhur me kete problem, por si nje nevoje e domosdoshme dhe kusht i Keshillit te Europes, por edhe i Gjykates per domosdoshmerine e transparences do t’ju lutesha shume qe nje kopje te materialeve te depozituara ne Keshillin e Europes ne daten 05.06.2014 te na i vini ne dispozicion per te dhene edhe ne mendimin tone. Gjithashtu ju lutem te na vini ne dispozicion edhe nje kopje te Vendimit te Keshillit te Ministrave te Keshillit te Europes per kete problem.
Per nje nevoje imediate lidhur me kete problem, meqenese jeni i ngarkuar me perfaqesimin e Qeverise Shqiptare ne Keshillin e Europes do te mireprisja mendimin tuaj (te Qeverise), ne kete situate, lidhur me pyetjet e meposhteme:
1. Si shpjegohet qe vazhdon ndarja e tokes me ligjin 7501 dhe 8053?
2. Cfare eshte bere me 18000 ha toke qe kishte ne dispozicion AKKP per kompensim fizik?
3. Si shpjegohet zgjatja e atatit per legalizimin e ndertimeve paleje nga viti 2006 (ligji i pare) deri ne ditet e sotme ligji i ri?
4. Po ndertimet qe do te behen pas miratimit te ligjit te ri a do te miratohet legalizimi i tyre?
5. Si shpjegohet qe po u rijepet e drejta per privatizimin e tokes per 52 fshatrat turistike, ne favor te pronareve te vilave ne keto fshatra, me cmime qesharake, kur te gjithe pa perjashtim kane shkelur ligjin duke ndryshuar destinacionin e tyre nga fshatra turistike ne vila rezidenciale?
6. Per pronaret e tokes te ketyre fshatrave turistike cfare eshte menduar, apo toka e tyre jo vetem do te shitet te pronaret e vilave, por edhe toka rreth tyre nuk mund te ndertohet sepse nuk ka studime per ndertime fshatras te rinj turistike? Shembull Ksamili.
7. Si shpjegohet qe AKKP nuk ka dhene asnje vendim prej 9 muajsh, per njohje te drejte pronesie dhe kthim apo kompensim te prones ne nje kohe qe na trumbetohet me te madhe se ka edhe rreth 7000 dosje pa vendim?
8. Shtyrja e fatit per vendim-marrjet e AKKP deri me 30 prill 2015 a eshte kohe e mjaftueshme per 7000 vendimet qe pritet te merren? (duhen mare 35-40 vendime ne dite)
9. Si shpjegohet qe AKKP nuk ndau fondin per kompensimin e pronareve sipas ligjit te Buxhetit te Shtetit per vitin 2014, fon i cili duhej te shperndahej deri ne fund te qershorit 2014?
10. A eshte kontrolluar menyra se si u shpernda fondi i vitit 2013, ku u perjashtuan padrejtesisht 305 subjekte qe ishin me perpara ne lista?
11. Ne fillim te vitit 2014 duhej te dilte harta e re e vleres, pse nuk ka dale akoma dhe a ka ndikim politik per uljen maksimalisht te cmimeve?
12. A do te keni ne ndonje rast trasparencen e duhur me Shoqaten e te Shpronesuarve “Pronesi me Drejtesi” dhe a do te konsultoheni ndonjehere me ne?
13. A eshte analizuar situata aktuale e pronesise dhe a kane dale fajtoret per kete katrahure ligjore, sepse ligjet jane miratuar ne Kuvend nga deputetet e te dy forcave politike?
14. Ne Keshillin e Europes eshte raportuar se vendimet e Gjykates se Strasburgut, Manushaqe Puto dhe te tjere kunder Shqiperise dhe Delvina kunder Shqiperise jane ekzekutur, gje qe nuk eshte e vertete, si e shpjegini kete informacion qe ka mare Keshilli Europes?
Ne pritje te pergjigjes nga ana Juaj.
Me respekt
Agim TORO
Sekrtetar i Pergjithshem i Shoqates Kombetare
“Pronesi me Drejtesi”
Kontakt: agimtoro@yahoo.com, 0682094324 U nis dt.12.06.2014 ora 10:31
Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.