Botuar në Gazetën Telegraf nga Ledjana SALIU më 19/05/2014
Anarkia postkomuniste me pronat, kontradiktat e ligjeve për pronat dhe projektet e financuar nga BE
Maja Koçijançiç, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë Catherine Ashton në fillim të muajit Prill 2014 deklaroi se ambasadori Ettore Sequi, ka bërë në punë të shkëlqyer dhe komisioneri Stefan Fyle e falënderon atë për kontributin e rëndësishëm në përpjekjen për të sjellë Shqipërinë më pranë BE-së duke i uruar atij gjithë të mirat. Por ku po e çon popullin shqiptar ky menaxhim kaq i gabuar nga ndërkombëtarët?
Logjika e shëndoshë thotë se për demokratët e vërtetë dhe popullin që pret shtet të së drejtës nuk ka vend për lavdërime dhe falënderime për punën shumëvjeçare të ish ambasadorit të BE-së z. Stefan Fyle. Kjo, sepse ai me raportet e tij, minimalisht, ka inkurajuar dhe justifikuar qeveritë shqiptare që të vazhdojnë të shkelin të drejtën e shtetasve për të gëzuar pronën e tyre të trashëguar. Ndërkombëtarët po vazhdojnë të bëjnë veshin e shurdhër dhe syrin qorr ndaj ankesave të përsëritura të pronarëve dhe kjo ka lejuar oligarkinë politike në vjedhjen e trojeve turistike, vjedhje që Qeveria po vazhdon ta bëjë qetësisht, në emër të ligjit me kartonët që ngrihen në Kuvend.
Projektet e financuar nga BE
Praktikisht, paratë e taksapaguesve të BE-së kanë gjeneruar një skemë të bashkëveprimit korruptiv në Shqipëri, temë kjo e trajtuar në gazetën “Telegraf” të datës 4 Prill 2014 në shkrimin me titull “Brukseli kërkon të shpëlajë largimin e ambasadorit Ettore Sequi”. Sipas programit IPA 2013, Shqipëria përfitoi një grant prej 64.232.000 Euro për zbatimin e 12 projekteve, sipas marrëveshjes së firmosur nga Ministrja për Integrim Klajda Gjosha dhe ambasadori i BE-së Ettore Sequi. Ndërkohë që pronarët kanë apeluar që fondet për Shqipërinë të kenë si kusht paraprak detyrimin e Qeverisë aktuale për zgjidhjen e problemit të pronës, konform Nenit 181 të Kushtetutës dhe për këtë, me kohë, kanë ofruar për politikanët vendas dhe 54 institucione ndërkombëtare edhe projektligjin për zgjidhjen e problemit të pronës. Në kundërshtim me realitetin, Komisioni Europian ka sqaruar se “Asistenca e BE-së ndaj Shqipërisë, përfshirë fondet ndaj shoqërisë civile ndjek procedurë strikte me sisteme auditimi rigoroze, bazuar në standarde shumë të larta të kontrollit të brendshëm, që garantojnë transparencën dhe menaxhimin e zërave financiarë të fondit të unionit”.
Nga 6 fushat të ndara në 12 projekte që do të financohen fushës “Drejtësia dhe çështje të brendshme” me 12.5 milion euro, projektit “Mbështetje për zbatimin e Strategjisë për Zbatimin e të Drejtës së Pronësisë” i janë dhënë 1 milion euro. Pavarësisht nga sa pretendohet, pronarët janë të bindur se këto 1 milion euro nuk do arrijnë asnjë rezultat pozitiv. Gazeta “Telegraf” ka trajtuar ankesën e shoqatës “Bregdeti” se rezultati me fondin 1.6 milion Euro te BE, të menaxhuara nga OSBE në vitin 2011 për regjistrimin e pronave në Bregdet, ishte një “flluskë sapuni” lidhur me zgjidhjen e problemit. U shpenzua një fond i konsiderueshëm i taksapaguesve europianë dhe ndërkohë kanë kaluar 3 vjet mashtrim dhe shqetësim për pronarët që presin që shteti të zbatojë Kushtetutën dhe t’u kthejë atyre pronat e të parëve të tyre. Në çdo shtet të Europës apo ne SHBA veprime të tilla do të analizoheshin menjëherë si korrupsion dhe krim i organizuar.
Por në çfarë drejtimi po shkon anarkia postkomuniste me pronat?
Duke iu referuar dokumenteve të botuara në faqen zyrtare të shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, posaçërisht :
1. Letrës dhe projektligjit, që pronarët e konfiskuar nga sistemi komunist i kanë dërguar 54 institucioneve ndërkombëtare, përfshi Ambasadorin Ettore Sequi, znj. Catherine Ashton, Komisionerit Štefan Füle etj.
2. Debatit publik dhe letrave që pronarët kanë shkëmbyer me Drejtorin e Përgjithshëm të B. Botërore në VVashington dhe përfaqësuesit e B. Botërore në Tiranë.
3. Faktit se kryeministri Edi Rama pranon në Kuvendin e Shqipërisë se për probleme të pronës janë vrarë mbi 8000 shtetas, faktin se AKKP nuk ka marrë asnjë vendim për kthim fizik të pronës, por është spostuar për kompensimin, se janë mbi 7000 dosje të pa analizuara, se Qeveria i kërkon Gjykatës së Strasburgut të shtyjë për një vit problemin e gjykimit, kur efektivisht shteti është pala e paditur në atë gjykatë si dhe ligjet e fundit të Qeverisë, kuptojmë se diçka nuk shkon.
Si argument mjafton të japim komentin e bërë 14 vjet më parë nga avokati i mirënjohur, i ndjeri Pirro Totozani. Ai, ka evidentuar me profesionalizëm të lartë kontradiktat e shumta të ligjeve për pronat dhe mospërputhjen e tyre me liritë dhe të drejtat e njeriut të përcaktuara në Kushtetutë. Ja çfarë thotë analiza e Av. Pirro Totozani për ligjin 7665, datë 21.1.93 “Për Zhvillimin e Zonave që kanë Përparësi Turizmin” (Nenet 7/ ç dhe 13), ligj që u hartua me financimin dhe nën kujdesin e BERZH dhe BB.
Komenti i Av. Pirro Totozani, 14 vjet më parë për kontradiktat e ligjeve për pronat
“Në sektorin e turizmit dhe ndërtimit: Në këtë sektor konstatohen veprime të kundraligjshme në dëm të pronarëve me titull pronësie të mirëfilltë, madje të dënueshme penalisht, siç janë pushtimet e territoreve të lira, ndërtimet pa leje në qytete sidomos në bregdet, të bëra nga persona juridikë a fizikë pa asnjë titull pronësie apo të drejtë tjetër. Këto veprime janë rezultat i indiferentizmit ose i qëndrimeve abuzive të KRRT-ve dhe të organeve të tjera, që janë pasojë e mos kthimit të pronës tek i zoti. Kufizimeve të padrejta të bëra nga diktatura në dëm të të shpronësuarve u janë shtuar dhe ato të Ligjit “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi zhvillimin e turizmit” nr. 7665 dt 21.01.1993. Sipas nenit 1 të këtij ligji “Person i stimuluar” quhet çdo person fizik a juridik, vendas ose i huaj, i autorizuar për të kryer veprimtari të stimuluar, të cilit në nenet e tjera i njihen një mori lehtësish, me kusht që ai të angazhohet në një marrëveshje qiraje afatgjatë me Ministrin e Turizmit, si përfaqësues ligjor i pronarit. Në këtë ligj, Neni 7 pika (ç) përcakton: “Të drejtat për t’u angazhuar në një veprimtari të stimuluar i jepen një personi të stimuluar, me kusht që ai të pranojë lidhjen e një marrëveshjeje qiraje me Ministrin e Turizmit, i caktuar në këtë ligj si përfaqësuesi ligjor i pronarit për marrjen në përdorim të truallit së bashku me pasuritë e patundshme, që ndodhen mbi të për të ushtruar veprimtarinë e stimuluar. Ministri i Turizmit mund të lidhë marrëveshje për shitjen e truallit me një person të stimuluar në kushtet e parashikuara në legjislacionin shqiptar”. Kjo dispozitë është haptaz e padrejtë dhe ajuridike, se i jep të drejtë titullarit të një institucioni shtetëror, pa asnjë titull pronësie, që të disponojë e të lidhë marrëveshje për tjetërsimin ose dhënien në përdorim të një trualli a pasurie të paluajtshme, që i përket tjetërkujt. Ç’marrëveshje mund të lidhë ministri apo Kryetari i Komitetit të Zhvillimit të Turizmit për një truall a pasuri të paluajtshme që është e pronarit të shpronësuar nga diktatura dhe që nuk po i kthehet këtij të fundit, pikërisht për shkak të asaj pjese të legjislacionit që atakojmë si antikushtetues, gjersa shkel e mohon lirinë dhe të drejtat themelore të shtetasve të shpronësuar me dhunë e pa shpërblim. Nonsensi edhe nga pikëpamje e teknikës juridike, del në Nenin 13 të këtij ligji, që thotë: “Për çështjet që trajton ky ligj do të zbatohen dispozitat e tij, pavarësisht se ç’parashikojnë dispozitat e tjera ligjore”. Pra, ky ligj bëhet i paatakueshëm, ndonëse vjen në kundërshtim me dispozitat e ligjeve të tjera në fuqi, ose që mund të dalin më vonë. Është e palejueshme dhe antikushtetuese që Komiteti i Zhvillimit të Turizmit të lidhë marrëveshje qiraje, madje afatgjatë me një person të tretë, fillimisht për 25 vjet e që mund të zgjatet deri 99 vjet. Të gjitha kontratat që mund të jenë lidhur për tokat e ish-pronarëve, janë në kundërshtim me kushtetutën pasi mohojnë të drejtat e pronarëve të ligjshëm. Gjithashtu është e palejueshme edhe shkelja e ligjit “Për Urbanistikën”, i cili për dhënien e lejes së ndërtimit kërkon si kusht dokumentin kadastral (tapinë) për pronësinë e sheshit, gjë që me ligjin “Për Turizmin” kjo kërkesë nuk zbatohet.
Kushtetuta e re në fuqi në parimet e përgjithshme të saj e konsideron morale dhe ligjore kthimin tek pronari të pasurisë së tij të luajtshme dhe të paluajtshme që shteti i diktaturës i ka grabitur. Në këtë vështrim, “Personi i stimuluar” duhet të jetë pikërisht ky pronar me të drejta të plota sipas ligjit nr. 7665, datë 21.1.93 dhe në këtë rast Ministria e Turizmit dhe KRRT, si organet që harmonizojnë interesat e individëve me shtetin duhet të detyrojnë pronarët e ligjshëm, që kur ata të marrin në dorëzim pronën, t’u nënshtrohen të gjitha rregullave për zhvillimin urbanistik dhe turistik të zonës, duke respektuar procedurat për ndërtime në përputhje me dispozitat përkatëse. Kështu, zhduket një burim që ushqen korrupsionin tek pushtetarët dhe konfliktet që lindin artificialisht midis pronarëve të vërtetë dhe pronarëve të pagëzuar nga dispozitat që atakojmë”. E gjithë puna me analizën juridike që Avokat Pirro Totozani i ka bërë ligjeve për pronat, së bashku me propozimet për zgjidhjen i janë dorëzuar në vitin 2000, Presidentit të kohës z. Rexhep Mejdani, Kryeministrit z. Sali Berisha dhe kryetarit të Kuvendit z. Skënder Gjinushi, por ata heshtën dhe vazhdojnë të heshtin, duke vazhduar të qëndrojnë pjesë e këtij krimi kombëtar.
Legjislacioni për pronat vazhdon të bjerë ndesh me kërkesat e Strasburgut
Por e keqja vazhdon. Ligji “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, i miratuar së fundi bie ndesh në mënyrë flagrante me kërkesat e bëra nga Gjykata e Strasburgut dhe po ashtu me përcaktimet e kapitullit të të drejtave të njeriut të Kushtetutës që përcakton se si fitohet prona dhe tekstualisht thotë se “Prona është e blerë, e dhuruar dhe e trashëguar”. Ku gjeti dhe ku vazhdon ta gjejë të drejtën dhe mbështetjen Rilindja, që për të mbrojtur bizneset e oligarkisë politike të klanit socialist apo të klanit demokratik vendos tjetërsimin e një trualli turistik dhe të bëjë pronar një person i tretë që e ka përfituar pronën në shkelje me nenet e Kushtetutës?
Këto vendime të qeverisë, së kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, bien ndesh me kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria që të marrë statusin e vendit kandidat në BE, por megjithëse ish kryeministri Sali Berisha pranoi gabimin dhe përgjegjësinë me pronën, z. Lulzim Basha dhe e gjithë opozita hesht dhe bën sikur nuk kupton se shteti ligjor dhe demokracia fillon me pronën. Vetëm vendimet që pritet të merren në Qershor 2014, prej Gjykatës së Strasburgut, do çrrënjosin mentalitetin etatist, kleptokratik dhe papërgjegjshmërinë e oligarkisë politike, do të vendosin shtetin ligjor dhe shtetin e të drejtës, do mbyllin korrupsionin me pronat dhe shkakun që ka shkaktuar mijëra jetë të humbura dhe me pak vonesë GJEDNJ do imponojë themelet e sigurta për zhvillimet demokratike në Shqipëri.
Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.
Niko Seferi 24 maj 2014
Kryeministri Edi Rama ne respekt te popullit te mashtruar,te vjedhur, nga pushtetaret,te pangopur, ,e ne radhe te pare te mbi 6000 te vrareve,per pronat, duhet te jap alarmin ne qeverine e Rilindjes, Me zbatimin me njehere te vendimit te Gjykates se Strasburgut,,me lufte te hapur ndaj cdo padrejtesie,qe i eshte bere popullit me pronat qe per 23 vjet .
Ky do jete dhe ndryshimi qe ke ti dhe qeveria jote me Ate te komunistit te fundit te Ballkanit armikut me te madhe te Shqiperise,Sali Berisha.
Tregoje veten se sje njesoj me te dhe je per Shqiperine.
Plotesisht e drejte analiza e artikull shkruesit. Aq e vertete sa kemi mbi 20 vjet qe luftojme per pronat tona me kurajo. Nqs terhiqemi nga kjo perpjekje do kemi dy mallkime: Nga te paret tane, qe nuk ishim ne gjendje te ruanim ate qe ata na lane. Nga brezat qe vijne, se nuk ishim ne gjendje tu linim sikurse na lane neve te paret.