Pronat, Rama: Ja zgjidhja që i japim Strasburgut

Artikull botuar në gazetën MAPO, më 9 maj 2014, nga Nevila Perndoj

TIRANË – Parlamenti votoi dje vetëm me votat e mazhorancës shtyrjen e funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe ramaKompensimit të Pronave edhe për një vit, gjatë të cilit do të bëhet inventari i dosjeve të pronave. Para se të miratohej ky afat, kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se ajo çka u trashëgua nga qeverisja e djeshme linte shumë për të dëshiruar. “…Çfarë trashëguam ne nga ju…? Një institucion të kthimit e kompensimit të pronarëve, ku dosjet ishin të gjitha përtokë. Përtokë fizikisht…E dyta; ne kemi trashëguar një arkiv me numra protokolli, por pa letra brenda. Kjo është arkiva që na latë ju, para pak më shumë se 6 muajsh. Ne kemi trashëguar një arkiv ku letrat e njërit pronar ishin në dosjen e pronarit tjetër, e me radhë. Ne kemi trashëguar një arkiv ku dokumentet e zhdukura janë në sasi të frikshme, nga dosjet e administruara, për të cilat pronarët vetëm gjatë kësaj periudhe janë vënë në dijeni”, – tha Rama, i cili më pas iu referua një plani konkret veprimi të marrë nga Këshilli i Ministrave që i hap rrugë fillimit të procedurave për kthimin dhe kompensimin e pronave. Ky plan veprimi i është referuar vendimit të Gjykatës së Strasburgut, e cila jep direktivat se si do të bëhet kompensimi i pronave duke u bazuar në vendimin e dhënë për çështjen “Manushaqe Puto” e të tjerë kundër Shqipërisë. “Çfarë është realizuar në këta muaj? Është realizuar një kërkesë themelore e Gjykatës së Strasburgut… Kjo gjykatë ka vënë kërkesë themelore hedhjen dixhitale të të dhënave hartografike dhe informacionit mbi pronat. Nuk keni bërë as edhe më të voglën gjë për këtë. Ne, po ju lajmëroj, në këta muaj kemi bërë pikërisht këtë gjë. E sot kemi regjistër elektronik me të dhëna të sakta për çdo dosje, me referencë gjeografike, për vendimmarrjen nga viti 1993 deri në vitin 2014. Janë të gjitha me radhë, qytet pas qyteti. Po ashtu kemi realizuar një projekt që është testuar metodika e nevojshme. Edhe kjo e kërkuar nga Gjykata e Strasburgut shumë herë me radhë dhe e padëgjuar prej jush, për nxjerrjen e faturës së kompensimit. Një metodikë e re… Po ashtu, gjithë informacioni hartografik i Republikës së Shqipërisë, për të gjitha qarqet, tani lehtësisht mund të vazhdojë të hidhet, edhe pse e keni lënë këtë vend pa referenca gjeo-hapësinore…”, – tha ai. E gjithë kjo reformë, sipas tij, i kërkon mazhorancës një vit kohë. “…Na kërkon një vit kohë për të konsoliduar bazat e një procesi që pastaj do të hyjë në rrugën e vet të natyrshme në harmoni të plotë me Gjykatën e Strasburgut, ku e kishit lënë Shqipërinë, “varur në tel”, kur i thonë. E ku na është dashur të bëjmë një dialog intensiv për të shtyrë afatin e fillimit të goditjeve prapa kokës, për një vend të tërë për shkak të mëkateve që ju keni bërë me pronën…”, – tha ai. Më tej Rama iu referua edhe rasteve konkrete të abuzimit me pronën. Gjatë dy muajve të fundit të vitit të kaluar, kreu i ekzekutivit tha se qeveria shpërndau fondin e kompensimit për 50 përfitues nga 33 që u shpallën në vitin 2012, për të njëjtin fond. “Tani si shpjegohet kjo? Për të njëjtin fond kanë përfituar më shumë njerëz nga kompensimi i fundvitit 2013, se nga ai i fundvitit 2012. Që do të thotë që i keni ndarë bashkë. Shumë e thjeshtë”, – shtoi ai. Rama theksoi gjithashtu se është rritur me 70% pjesëmarrja e AKKP-së në proceset gjyqësore si palë e paditur. “Vetëm në muajin prill të 2014, janë 923 seanca gjyqësore ku Agjencia është thirrur dhe sigurisht, në pozitë jashtëzakonisht të vështirë, për shkakun tuaj. Për shkakun tuaj dhe për shkak të vendimmarrjeve tuaja…”, – tha ai.

 

Peçi: Po negociojmë me Strasburgun për 60 çështje

TIRANË Afati i fundit i caktuar nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të gjetur një zgjidhje strasburgupër çështjen e pronave është vetëm një muaj nga fundi. Por avokatura e shtetit po përgatit dokumentacionin për të kërkuar shtyrjen e tij pas datës 17 qershor. “Ne do kërkojmë shtyrjen e afatit për aq sa është plani i veprimit, qershor 2015. Por edhe atëherë nuk është se mbaron kompensimi. Ne synojmë që atëherë të fillojë një proces transparent që t’i japë fund problemit, që ka nisur e s’ka mbaruar asnjëherë”, – tha dje për “TCH”, zv.ministri i Drejtësisë, Idlir Peçi. Ashtu si kryeministri Rama në Kuvend edhe zv-ministri i Drejtësisë argumentoi përmbajtjen e planit të veprimit që i referohet vendimit të Gjykatës së Strasburgut. “Ky plan ka piketë të parë inventarizimin e gjendjes aktuale, pa skanimin e të cilës ne nuk mund të kemi një ide të qartë se si t’i japim zgjidhje problemit. Të nxirren faturat e kompensimit, të gjejmë sa u kemi borxh qytetarëve. Piketë është dhe një reformë 1-vjeçare, me hapa konkretë ligjorë e institucionalë. Ligji aktual krijon paqartësi, prandaj qytetarët shkojnë në Strasburg”, tha ai. Për penalizimin më të fundit prej 8 milionë eurosh të vendosur nga Gjykata e Strasburgut, zv.ministri i Drejtësisë shtoi se, i takon ministrisë së Financave të ekzekutojë vendimin brenda afatit tremujor. Për 60 çështje të ngjashme të kthyera nga Strasburgu, për të cilat i kërkohet Shqipërisë që të ofrojë propozimin e saj për zgjidhje përpara se të dalë me vendim, Peçi shtoi se po negociohet me palët. “Për shkak të dokumentacionit të negociatave nuk mund të shprehem, por të gjitha opsionet janë në tryezë”, tha ai.

“Strasburgu”, Majko: Shqipëria duhet të paguajë 37 milionë euro

TIRANË Në emër të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Pandeli Majko deklaroi dje në Kuvend se shtyrja e afatit majkotë kthimit dhe kompensimit të pronave edhe për një vit erdhi si rezultat i nevojës për t’ju përgjigjur shtimit të ndjeshëm të kërkesave për njohje dhe kthim prone bazuar në vendimet gjyqësore gjatë viteve 2013 dhe 2014. Majko tha se marrëdhëniet me pronën në Shqipëri kanë dështuar për shkak të politikës. “Mendoj se ky vendim i sotshëm është i rëndësishëm. Ai padyshim rrezikon të konsumojë të njëjtat qëndrime dhe akuza bajate të së djathtës politike se e majta nuk “përkrah” pronarët dhe të drejtat e tyre. Në fakt, pyetja më therëse, sot, qëndron se cili është raporti me pronën legale i së djathtës politike në Shqipëri. Ajo që konsiderohet e djathtë në Shqipëri prodhoi një “thes” me ndryshime në qeverisjen e saj për çështjen e pronës. Ligji 9235 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës” është ndryshuar në 2005, në 2006, në 2007, në 2008, në 2009 me tre vendime të Gjykatës Kushtetuese në 2005, në 2007 dhe 2010. Kjo është veç një pjesë e pamjes së paqartësisë dhe kaosit në të cilin është zhytur çështja e pronës në Shqipëri”, – tha ai. Majko shtoi se deri më tani Gjykata e Strasburgut ka pranuar rreth 413 dosje të pronarëve shqiptarë. “Për çështjet e fituara nga pronarët shqiptarë në Strasburg, shteti shqiptar duhet të paguajë një faturë që shkon në 37 milionë euro. Të tjera fatura pagese pritet të vijnë në vazhdim të cilat janë vetëm një pjesë e kostos së krijuar me të drejtën e pronës në vend”, – tha ai. Më tej, Majko shtoi: “Politika në marrëdhënie me pronën i ngjan një bande të cilës pasi ka vrarë dhe prerë i kërkohet të diskutojë në se duhet të kthejë apo jo rrobat e viktimave tek familjarët e tyre…Sikur Shqipëria të kishte pasur një të djathtë me synime të qarta dhe pohuese ndaj shtresave të veta, ajo do ta kishte humbur fillimisht pushtetin me vendimet e saj në favor të së drejtës së pronës. Por kjo do të ndodhte vetëm në fillim…Ajo që e quajti veten të djathtë në politikën shqiptare nuk donte koston e së vendosjes së të drejtës por parapëlqeu pushtetin”.  Sipas tij, sot në Shqipëri të qenit i djathtë është një titull i “legalizuar” dhe jo i trashëguar. Ndërsa nënkryetari i grupit parlamentar i PD-së, Eduard Halimi tha se nga shtyrja e afatit nuk vjen asnjë e mirë për pronën

Ky zë u postua te Albanian Authorities, Posts in Shqip dhe u etiketua si , , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

1 mendim mbi “Pronat, Rama: Ja zgjidhja që i japim Strasburgut

  1. Lidhur me komplikimin e ceshtjes se pronave pamvarsishte dipllomacise se perdorur prej Kryeministrit ,mendoje se ceshtja e te cilave /pronave/nuke munde te zgjidhet duke premtuar,ajo kerkon vullnet dhe bashkepunim te gjitheanshem te klases politike duke i dhene funde vazhdimsise me programe partishe?
    Nderkohe lidhur me kerkesat e pronarve ku nje pjese e te cilve kane paraqitur kerkesa prane Agjensise Pronave,qe mbeten te interesuar per njohjen dhe kthimin e tyre,ndersa pjesa tjeter nuke ka plotsuar ase nji dekumente,duke shpresuar te Qeveria ?
    Ne kto kushte:
    Kerkohet serjozitet dhe respektimi i Kushtetutes prej Pushtetarve .

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s