Botuar në gazetën Shekulli, 1 maj 2014
Qeveria miraton ligjin për njohjen e pronësisë për të gjithë personat që kanë ndërtuar fshatra turistik në zbatim të lejes që kanë marrë para nisjes së projektit. Me një vendim të posaçëm qeveria vendosi kalimin e së drejtës së pronësisë subjekteve të interesuara apo personave të stimuluar mbi njësitë e ndërtuara dhe truallin brenda zonës së stimuluar si dhe për veprimtaritë joturistike në zonë me përparësi turizmin. Ndryshimi është bërë në ligjin nr.10186, datë 5.11.2009, “Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin”, të ndryshuar.
Procedurat e këtij ligji do të aplikohen edhe për personat që ushtrojnë “veprimtari joturistike në zonë me përparësi turizmin. Në ndryshimet ligjore janë parashikuar edhe rastet kur prona është dhënë me qera. Sipas ligjit me marrëveshjen e qirasë apo të zhvillimit të lidhur ndërmjet personit të stimuluar dhe qiradhënësit nëse është lidhur një marrëveshje e tillë; lejen e ndërtimit apo lejen e sheshit të ndërtimit; projektin arkitektonik të miratuar dhe vërtetim nga AKT-ja për detyrimet e marrëveshjes së qirasë, të llogaritura deri në momentin e zgjidhjes së marrëveshjeve”.
Procedura e kalimit të pronësisë mbi truallin
Nëse marrëveshja e qirasë ose e zhvillimit është e lidhur me personin e stimuluar në truall shtetëror (data e lidhjes së marrëveshjes është përpara datës së kthimit dhe kompensimit fizik nga AKKP-ja) dhe pas verifikimit nga ZRPP-ja ky truall shtetëror ka ndryshuar statusin juridik duke iu kthyer personave të tretë, ALUIZNI përfundon procesin duke bërë kalimin e pronësisë së truallit në favor të subjektit të interesuar apo personit të stimuluar. Këshilli i Ministrave miraton procedurat e kompensimit financiar të personave të cilët preken nga zbatimi i ligjit.
Në përfundim të procesit të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, dhe përfundimit të regjistrimit fillestar të pasurisë truall dhe njësi e ndërtuar, për truallin që mbetet i lirë brenda kufirit të miratuar nga plani i rilevimit (i tillë si sheshe, troje funksionale, pishina, sipërfaqe të gjelbëruara etj), ALUIZNI- t i lind e drejta t’iu kalojë në bashkëpronësi të detyrueshme, të patjetërsueshme në favor të të gjitha subjekteve të interesuara dhe/ ose personit të stimuluar, në përputhje me kuotën e pjesëmarjes në bashkëpronësi. Rrugët brenda zonës së stimuluar do të kalojnë me titull pronësie rrugë shtet. Personi i stimuluar ka të drejtë të kërkojë blerjen e gjithë truallit të miratuar sipas planit të rilevimit, nëse nuk ka kërkesa nga subjektet e interesuara.
Çmimi
Çmimi i truallit brenda zonës së stimuluar përcaktohet në bazë të hartës së vlerës së tokës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa ALUIZNI lidh kontratën e shitjes për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin, sipas modelit tip, si dhe njofton me shkrim subjektin e interesuar ose personin e stimuluar që plotëson kushtet e parashikuara në këtë ligj dhe për masën e çmimit. Modeli tip i kontratës së shitjes miratohet me urdhër nga ministri përgjegjës. Çmimi i truallit të paguhet i plotë, mospagimi i çmimit nga subjekti i interesuar ose personi i stimuluar brenda 6 muajve nga njoftimi me shkrim, sipas pikës 3, të nenit 10, të këtij ligji, sjell penalitete në masën 10 për qind të çmimit total të truallit për çdo muaj vonesë.
Të gjitha njësitë e ndërtuara, të cilat janë në proces legalizmi, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, do t’i nënshtrohen zbatimit të këtij ligji dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij. Të gjitha subjektet e interesuara apo personat e stimuluar, të cilët, në momentin e hyrjes në fuqi të këtij ligji, nuk e kanë lidhur ende kontratën për kalimin e pronësisë mbi truallin, do të trajtohen sipas këtij ligji.