Pronarët thirrje ambasadorëve: E drejta e pronës të kushtëzojë qeverinë për dhënie fondesh!

Botuar në Gazetën Telegraf nga Ledjana SALIU më 20/04/2014

Qeveria insiston në zbatimin e Ligjit 7501. Dhënia e certifikatave të pronësisë, vazhdimësi e një rruge të gabuar

Shkelja nga ana e shtetit e të drejtës së shtetasve për të gëzuar pronën e tyre të trashëguar është një nga shkaqet madhore të kriminalizimit të shoqërisë shqiptare dhe problemi më i madh që shqetëson shoqërinë shqiptare sot, por dhe mund të jetë shkaku i mosmarrjes së statusit të vendit kandidat në BE edhe në qershor 2014. Disa herë Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, ka deklaruar se do jepen tapitë sipas certifikatave të lëshuara në bazë të Ligjit 7501. Në fakt spuntoja për këtë shkrim u bë emisioni “Top Story” i gazetarit Sokol Balla të dt. 17.04.2014, ku zbatimit të Ligjit 7501 iu bë jehonë edhe nga analisti Shpëtim Nazarko, ekonomisti Adrian Civici dhe Dhimitër Kote, kryetar i komunës Xarë, njëkohësisht fermer prej shumë kohësh. Në emision këta “opinionistë” mbështetën idenë që subjekti i shpronësuar të kompensohet, ndërsa subjekti që ka marrë një vërtetim sipas Ligjit 7501 të marrë dokumentet e pronësisë së tokës bujqësore.

Zbatimi i Ligjit 7501 rruga e drejtë apo e gabuar?

Gazeta “Telegraf” dhe media të tjera kanë publikuar artikuj të shumtë që evidentojnë djallëzitë e Nenit 8 të Ligjit 7501 që thotë: “Në dhënien e tokave në pronësi e në përdorim personave juridikë e fizikë, nuk njihet pronësia e mëparshme, as madhësia dhe as kufijtë e saj para kolektivizimit”. Ky nen  e trajton pronën e grabitur nga sistemi komunist, si pronë në dispozicion të komisionit që emërohet prej qeveritarëve dhe politikanëve. Neni 8 i ligjit 7501, por dhe nene të tjera në 15 ligjet e tjera janë në themel të anarkisë së pronës dhe e mbajnë Shqipërinë të distancuar nga afrimi në BE. Gjithashtu gazeta “Telegraf” ka bërë publike edhe përgjigjet nga autoritete të politikes së BE-së dhe Departamentit të Shtetit, si përgjigja e dt 22.maj 2013 nga Jonathan Moore në emër edhe të Philip Gordon dhe Philip Reeker, të cilat janë të publikuara dhe në sitin e shoqatës së pronarëve http://www.defendingproperty.com. Mendoj se ministri Panariti, Qeveria, maxhoranca dhe opozita duhet t’i referohen këtyre letrave, argumenteve edhe projektligjit për të cilin pronarët kanë kërkuar me dhjetëra herë që të shqyrtohen nga politikëbërësit. Pavarësisht se çfarë pretendojnë pronarët, cilido që e lexon këtë draft bindet se ai përputhet me Nenin 41 të Kushtetutës, por njëkohësisht përmbush Nenin 181 që vazhdon të shkelet, eliminon standardet e dyfishta që janë zbatuar në këto 23 vjet pluralizëm anarkik, eviton pjesën e korruptuar të Ligjit 7501. Po ashtu ky projektligj realizon kërkesën bazë të KiE-së për marrjen e statusit kandidat, nuk ka kosto financiare, mbyll burimin që ushqen korrupsionin e administratës shtetërore, por dhe të gjyqtarëve, plotëson kërkesën e bërë nga ambasadori Aleksandër Arvizu, në emër të politikës së Shtëpisë së Bardhë, si dhe një pjesë të rëndësishme të shqetësimit të shprehur në raportin e Komisionerit  Nils Muižnieks, Kryetari i Delegacionit të KE, që vizitoi Shqipërinë nga 23 deri më 27 shtator 2013.

Pronarët i dhanë votat PS-së për angazhimin e zbatimit të Kushtetutës

Pse ministri nuk merr mundimin që me juristët më të mirë të vendit ta shqyrtojë këtë draft duke ftuar edhe shoqatën? Pse Ministri nuk ka interes të korrigjohet pjesa e gabuar e Ligjit 7501, por në mënyrë të përsëritur deklaron në media se Ligji 7501 nuk ka shans të anulohet? Çfarë e detyron dhe kujt i shërben ky qëndrim? Nëse Ministri Panariti dhe PS bënë fushatë dhe morën vota nga pronarët duke u angazhuar se do zbatojnë Kushtetutën dhe të gjithë janë betuar se do zbatojnë Kushtetutën, atëherë edhe prona e shpronësuar padrejtësisht nga diktatura, përse nuk duhet trajtuar sipas Nenit 181 dhe  41. Përse ky qëndrim servil ndaj një politike antishqiptare? A kanë të drejtë pronarët që po nëpërkëmben edhe në periudhën e postkomunizmit për t’iu kundërpërgjigjur politikanëve të papërgjegjshëm me vargjet e Fishtës së madh?:

“Ju rrugaça sallahana
vagabonda shakllabana
rriqna t’ndyet, mikrobe të kqi
qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë në mushkni i keni hi
pa dhimbë gjakun tuj ia pi,
por der kur, bre batakçi!
Bre coftina, kalbe mbi dhè
der kur ju, tu tallë npër ne,
do t’na qelbi fis e atdhè?”

Kompensimi, vetëm kur është i pamundur kthimi

Nëse Neni 41 thotë se prona fitohet me blerje, me dhurim dhe trashëgimi, pronat në fushën e Delvinës apo të Gjirokastrës që u janë konfiskuar pronarëve shqiptarë, Ministri E. Panariti (marrim emrin e tij, meqë ai përfaqëson politikat e qeverisë në këtë fushë), apo kushdo qoftë, nuk ka asnjë të drejtë ta disponojë pronën e grabitur sipas interesave klanore dhe në shkelje të Kushtetutës. Nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë se atë pronë ky Ministër apo kushdoqoftë e ka të trashëguar, të blerë, apo të dhuruar. Nga ana tjetër nëse një apo shumë nga këta pronarë nuk do të jenë dakord me atë që ministri deklaron se do të kompensohet dhe subjekti i shpronësuar e padit AKKP-në dhe shtetin në gjykatë çfarë do të ndodhë më tej? Ka shumë mundësi që në gjykatat brenda vendit pronari do ta humbasë gjyqin, siç edhe ka ndodhur rëndom. Por nëse ai do të ankohet në Strasburg për shkelje të së drejtës së pronës së trashëguar dhe mosrespektim të Nenit 41 të Kushtetutës etj , ky pronar me siguri që do të fitojë jo vetëm pronën, por edhe zhdëmtimin, ashtu siç po fitojnë shumë raste. Kushtetuta, por dhe ligjet për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave parashikojnë forma “kompensimi” në rastet kur kthimi fizik i pronës është i pamundur. Drafti i përgatitur nga shoqata është një instrument që e zgjidh ngërçin e krijuar, por kujt i intereson që kjo zgjidhje të anashkalohet? Rikujtojmë deklarimet në Parlament të znj. Mersila Doda dhe z. Sali Berisha lidhur me grabitjen e pronarëve, po ashtu deklarimin e fundit të z. Berisha se me pronarët kemi gabur. Do të ishte e pafalshme për qeverinë, nëse nuk bën asnjë hap për ta ndrequr këtë krim historik mbi pronarët dhe të drejtën e pronësisë. Por mesa duket Kryeministri Edi Rama do anashkalojë zgjidhjet e ofruara nga pronarët dhe me forcën e pushtetit do insistojë të zbatojë certifikatat e lëshuara nga komisionet sipas Ligjit 7501.

Shkeljet e certifikatave, sipas Ligjit 7501 dhe gabimi i zbatimit të njësive matëse

Në gazetën “Telegraf”, por dhe në mediat e tjera janë publikuar shkrime që evidentojnë se certifikatat e lëshuara nga komisionet vendore në emër të ligjit 7501, janë plotësuar në shkelje të plotë me ligjin në fjalë. Ato dokumente në shumicën absolute të rasteve (përqindjen duhet ta raportojë me përgjegjësi Ministri Panariti), nga pikëpamja juridike janë dokumente absolutisht të pavlefshme, edhe në rastin kur nuk janë të falsifikuara, sepse nuk shoqërohen me harta të vendndodhjes, shpesh nuk kane firma të komisionit, nuk shoqërohen me procesverbalet etj. Më kryesorja që këto vendime, në mos tani nesër do të rrëzohen, duke i kushtuar miliona euro arkës së shtetit është fakti se njësitë matëse të tokës janë kuptuar dhe zbatuar gabim. Kjo ka ndodhur për shkak të këtij mentaliteti të gabuar të politikanëve që drejtojnë këtë popull, që në periudhën 1945-‘91 me parullat e demokracisë proletare e çoi në diktaturë dhe fukarallëk, ndërsa pas vitit 1991 në emër të demokracisë e ka futur në një sistem kleptokratik dhe korrupsioni, ku shteti nuk njeh dhe nuk zbaton Kushtetutën në fuqi. Konkretisht, Shkresa nr. prot. 885 e vitit 1996, firmosur nga Ministri i Bujqësisë Hasan Halili. Lënda: Sqarim mbi njësitë matëse të vjetra, drejtuar Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në paragrafin e dytë thotë: “…..vretemi po në fillim të këtij shekulli rezulton i barabartë me dynymin e sotëm1000 m2”. Ky pohim bie ndesh me dokumentet e Arkivit të Shtetit. Sipas dokumenteve të Arkivit të Shtetit një vretem në Fier ka qenë 1500 m2; në Berat, Lushnje 1296 m2; në Vlorë 1 vretem i vjetër 1600 m2 , vretem i ri 1296 m2; në Treblovë 1000 m2. Po ashtu ndryshojnë dhe njësitë e tjera p.sh. një dynym në Elbasan ka qenë 900 m2; në Lushnje dhe Fier 1000 m2; në Mallakastër 900 m2; në Durrës dynymi hulli ka qenë 660 m2; në Kavajë 1024 m2; në Shkodër dynym malsie ka qenë 800 dhe dynym fushe 1600 m2; në Tiranë 1296 m2; në Himarë 1000 m2; në Lezhë dynym fushe 1680 m2; në Berat 1129 m2; në Kukës dhe Bicaj 1600 m2. Pa kërkuar përgjegjësi për numrin e të vrarëve për shkak të Ligjit 7501, për nivelin e ulët të investimeve të huaja private, për keqpërdorimin e fondeve të vëna në dispozicion nga institucionet ndërkombëtare, kaq mjafton që ministri Panariti dhe qeveria të reflektojë. A ka moral kjo Qeveri dhe kjo politikë të kërkojë pronat e çamëve në Greqi, kur i mohon pronat shtetasve të saj në Shqipëri?

A ka zgjidhje katrahura me pronat?

 Shtrohet pyetja nëse ka mundësi për të dalë nga ky zullum që e detyroi ish kryeministrin Sali Berisha të marrë përsipër gabimin. Sipas pronarëve zgjidhja është ofruar e gatshme nga shoqata e tyre, por nuk ka vullnet politik. Mesa duket do të duhen dhe vendime të tjera ndëshkuese nga GJEDNJ, që maxhoranca të kthjellohet, por dhe populli të anulojë votat ose të mendohet mirë se për cilën forcë politike do të votojë. Një zgjidhje tjetër, sipas pronarëve, do të jetë reflektimi i ambasadorëve dhe përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht ato financuese, që të kushtëzojnë dhënien e fondeve me detyrimin që Qeveria të mos vazhdojë të abuzojë me të drejtat e njeriut dhe të drejtën e pronës private. Sipas pronarëve, kjo është ndihmë konkrete që këta ambasadorë mund të japin në mënyrë që, në Qershor, Shqipëria të fitojë statusin e vendit kandidat në BE. Në NATO dhe në BE nuk ka asnjë vend nga vendet ish-komuniste, ku pronari i vërtetë vazhdon të jetë duarbosh dhe të sorollatet gjykatave dhe për më tepër të ndihen më keq se në kohën e diktaturës. Ata shprehin besimin se ambasadorët do ta bëjnë pa hezitim këtë kushtëzim, që zgjidh nyjen e korrupsionit pushtetar.

Kalendari për afatet e pronës

 7 mars 2014- Qeveria duhet të kishte zgjidhjet konkrete për 81 raste të pranuara nga Gjykata e Strasburgut, që janë gjykuar dhe pranuar nga gjykata si të drejta. Këtë plan veprimi konkret, qeveria duhej t’ia kishte paraqitur pronarëve

 2 maj 2014- Zgjidhjet e gjetura për 81 rastet, qeveria duhet t’ia raportojë Gjykatës së Strasburgut deri më 2 maj, si afat përfundimtar. Gjykata, nga ana e saj, duhet t’ia paraqesë pronarëve këtë zgjidhje të ofruar nga qeveria

 17 qershor 2014- afati final për Shqipërinë, ku qeveria shqiptare është e detyruar të gjejë zgjidhje konkrete, të prekshme dhe të besueshme nga palët, në mënyrë që zgjidhjet të jenë miqësore të brendshme dhe pronarët të kërkojnë të mos vazhdojë gjykimi në Gjykatën e Strasburgut


Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.

Advertisements
Ky zë u postua te Albanian Authorities, European Court of Human Rights, European Integration, International Organisations (OSCE, World Bank), Posts in Shqip dhe u etiketua me nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

2 mendime mbi “Pronarët thirrje ambasadorëve: E drejta e pronës të kushtëzojë qeverinë për dhënie fondesh!

  1. Vlonjati,
    Marrja arbitrare e tokave nga shteti arbitrar ne kundershtim me kushtetuten mund te ndopdhe vetem kur pronaret apo trashegimtaret e tyre kane vdekur ose jane te gjalle fizikisht e te vdekur faktikisht. Kreret e shoqatave te pronareve dhe kryesite e tyre kane uzurpuar hapesirat dhe me punen e tyre te pamjaftueshme kane tradhetuar interesat e pronareve. Ka prej tyre qe e kane perdorur shoqaten e pronareve per te zene nje vend pune apo sa per te marre ndonje cope prone te tyre dhe kjo i ka mjaftuar. Pra e thene troc Drejtuesit e shoqatave te Pronareve kane marre rolin e grevethyesit, sepse te keshe mbeshtetjen ligjore te kushtetutes se vendit dhe pronen perseri te ta marrin dhe te mos jesh i zoti te organizosh nje proteste, kjo e tera eshte pergjegjesi maksimale e drejtuesave te shoqatave te pronareve dhe te degeve te ketyre shoqatave .

  2. Dukatasi,
    Te drejten e pronareve e ka percaktuar KUSHTETUTA, por qendrimi arrogant i Qeverive njera pas tjetres e zhvlereson kushtetuten dhe e len problemin te pa zgjidhur edhe pas 23 vjet perpjekje te Pronareve. Me qindra letra e peticione, me mijera ankesa e artikuj, por qeverite, Presidentet garant te Kushtetutes, Shteti Shqipetar, indiferente e kokeforte duke mos zbatuar kushtetuten qe ka votuar shumica e popullit. Athere i drejtohemi Shoqates Pronesi me drejtesi, Bregdeti, Dukati e te tjerave, te bashkerendojne forcat jo me shkrime por me veprimtari konkretre fshat me fshat e te hidhen ne protesta konkrete . Mos zgjidhja e problemit deri me sot do te thote se puna e deritanishme e shoqatave nuk ka mjaftuar dhe nuk eshte e efekteshme. Drejtuesit e ketyre shoqatave domosdoshmerisht duhet te ndryshojne strategji.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s