Parlamenti i 1991-shit: Pronat, Ligji 7501 u kalua pa votimin final

Botuar në Gazeetën Shqip, më 17 prill 2014, nga Ylli Pata / Bledar Hoti

Dossier/Si ndryshoi teksti i draftit, Azem Hajdari i kërkon PD-së të tërhiqet. Gjithçka ndodhi në 8 ditët e diskutimit

Procesverbali i 11-19 korrikut 1991. Ligji “Për Tokën” shqyrtohet dhe miratohet në kaos

Parlamenti 91Dy muaj pasi ishte krijuar qeveria e stabilitetit, e drejtuar nga Kryeministri Ylli Bufi, në korrik të ’91, në Parlament paraqitej projektligji që do të përcaktonte themelin e pronës bujqësore në Shqipërinë e sapodalë nga periudha e egër e komunizmit. Sot, pas 23 vitesh, ai është një nga ligjet bazike të Republikës dhe megjithatë më i kontestuari. Është më i mbrojturi politikisht dhe realisht më i pazbatuari. Por përveç kësaj, Ligji 7501 “Për tokën bujqësore”, është miratuar nga Kuvendi më 19 korrik të vitit 1991 pa respektuar në mënyrë rigoroze procedurat parlamentare, me të cilat duhet kaluar, shqyrtuar dhe miratuar çdo draft ligjor. Edhe pse 23 vjet me vonesë, kjo mund të vihet re shumë mirë në procesverbalin e seancave plenare maratonë të korrikut të vitit 1991, të cilat janë drejtuar nga Aleksandër Meksi, në atë kohë nënkryetar i Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e para të lira, ato të 31 marsit të 1991-shit.

Sipas procesverbalit zyrtar të seancës plenare, i cili është i vetmi dokument autentik arkivor, Ligji 7501 është shqyrtuar, diskutuar dhe miratuar kuturu, duke u votuar në mënyrë “fshatçe” pa përcaktuar apo shënuar numrin e votave që ka marrë në fillim në parim, më pas të 27 neneve e Ligjit 7501, ndërkohë që ajo që është më e rëndësishme dhe që përbën faktin më skandaloz, ligji që ndau tokat e shqiptarëve nuk është votuar në tërësi, çka përbën një shkelje të rëndë ligjore dhe kushtetuese. Sipas praktikës parlamentare, Rregullores së Kuvendit të asaj kohe, drafti në seancë votohet në parim, nen për nen dhe më pas në tërësi. Shkelja e rëndë faktohet në procesverbalin zyrtar të seancës plenare të miratuar të datave nga 11-19 korrik, të cilin “Shqip” e disponon të plotë. Në të nuk ka asnjë rresht apo shifër për votat që Ligji 7501 mori në tërësi. Konkretisht, diskutimi i ligjit për tokën ka nisur më datën 9 korrik, por në arkivin e Kuvendit mungojnë dy ditë nga procesverbali, përkatësisht datat 9 dhe 10, çka në fakt thellon skandalin për këtë ligj të rëndësishëm, pasi nuk është i plotë dokumenti autentik zyrtar që vërteton atë që ndodhi në diskutimin, shqyrtimin dhe miratimin e Ligjit 7501. Në 311 faqe material arkivor, jepen etapat e diskutimit maratonë të draftit të 7501-shit, paraqitur nga qeveria e “Stabilitetit”, e drejtuar nga Ylli Bufi, e mbajtur në këmbë falë një koalicioni të madh ndërmjet Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Qeveria paraqiti një variant në Kuvend për ndarjen e tokës në përdorim, i cili më pas ndryshon gjatë diskutimeve pas kundërshtimit të fortë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Socialistët, në të gjitha ditët e diskutimit u shprehën kundër dhënies në pronësi pa u bërë reforma fondamentale e tokës e në veçanti miratimi i Kushtetutës, i cili duhet të përcaktojë në mënyrë restriktive qëndrimin mbi tokën bujqësore dhe pronën private në veçanti. Por në dy ditët e fundit, me ndërhyrjen e Kryeministrit Bufi dhe kreut të PS-së, Fatos Nano, teksti ndryshon dhe në mënyrë të rrufeshme termi “përdorim” kthehet në “pronësi”, pa u konsultuar paraprakisht. Çështja shkakton paqartësi te  deputetët socialistë, të cilët në fund vihen të votojnë në mënyrë kaotike pa e ditur se si dhe pse. Dhe ç’është më e rëndësishmja, edhe procedura degradoi duke vënë në dyshim legjitimitetin e këtij ligji, i cili edhe pse i hyrë në fuqi që prej 23 vjetësh, ende nuk është zbatuar në të gjithë territorin, ndërkohë që aty ku është zbatuar është bërë “fshatçe” ashtu siç dhe u miratua, pa një praktikë të saktë ligjore dhe procedurë standarde.

“Toka në përdorim”

Ditët e nxehta të korrikut shoqëroheshin me debatet të zjarrta të deputetëve të të dyja kaheve dhe dukeshin se paralajmëronin katastrofën me pronën që pas rrëzimit të sistemit të sistemit komunist, kishte mbetur “jetim”. Ajo çfarë do të ndodhte pas 23 vitesh, kaosi dhe amullia me pronat jepet si një pasqyrë në debatin 8-ditor të korrikut. Vetëm në shqyrtimin në parim dhe për nenin 2 dhe 8 pati mbi 350 diskutime të deputetëve. Në një kohë që Kuvendi gjithsej kishte 250 parlamentarë. Sipas procesverbalit zyrtar, drafti që qeveria solli në Kuvend parashikonte ndarjen e tokës në përdorim, për të bërë më vonë një ligj që do të rregullonte çështjen e pronës. Neni 2 i këtij drafti theksonte në mënyrë të qartë që “toka është pronë shtetërore dhe u jepet në përdorim personave fizikë dhe juridikë”. Deputetët e Partisë Socialiste e mbështetën fuqishëm këtë draft, duke u ndalur në dy pika kryesore: dhënia në përdorim dhe ndalimi i shitblerjes deri në zgjidhjen përfundimtare, të cilën disa e imagjinonin pas 10 vitesh disa më herët.

Bie në sy që shumë nga grupi parlamentar i madh socialist që dominohej nga drejtues bujqësorë lokalë apo specialistë agronomë e zooteknikë të kooperativave apo Ndërmarrjeve Bujqësore (NB-ve) që po jepnin shpirt apo po grabiteshin në atë verë të 1991-shit, argumentonin një ndarje toke për fshatarët dhe një administrim publik të kullotave, pyjeve dhe ujërave.

Ndërsa një numër i konsiderueshëm i deputetëve të Partisë Demokratike ishte për dhënien në pronësi të tokës, dy nga njerëzit më të rëndësishëm të saj, apo deputetët më me emër, kryetari i parë i komisionit nismëtar, Azem Hajdari, dhe arkitekti dhe poeti, Petraq Kolevica, kanë mbajtur diskutime jashtë rrymës, duke dhënë alarmin për shkatërrimin e territorit, alarme që në fakt u vërtetuan se ishin “profetike”.

Kështu, Kolevica me një fjalim të shkurtër apeloi që qeveria urgjentisht të ndalonte ndërtimet në bregdet për të parandaluar “masakrën” urbane që pasoi vitet.

Ndërsa, Azem Hajdari, në fjalimin e gjatë të përgatitur me kujdes i kërkoi Partisë Demokratike që të mos marrë pjesë në votimin e ligjit të ri për tokën dhe të mbajë një qëndrim pas kongresit të parë të saj që ishte i parashikuar në gusht, në të cilin duhej të vendosej një normë programore edhe për tokën. “Ne nuk duhet të ngutemi për këtë problem, sepse ky është dhe ligji që zgjidh problemin themelor të qenies pronar i tokës dhe i mjeteve të prodhimit në dispozicion të përpunimit të saj. Është detyra kryesore e ne të gjithëve që përfaqësojmë mendimin e popullit dhe jemi përfaqësuesit legjitimë të tij për këtë periudhë tranzitore, që ta shikojmë me shumë kujdes këtë projektligj, që ka të bëjë me vendosjen e qetësisë e të stabilitetit, që ka të bëjë me vendosjen e ligjshmërisë e të përmirësimit të të gjithë jetës, me qëllim që Shqipëria të futet e nderuar, ashtu siç i takon, në Europën e qytetëruar”, thekson Hajdari në fjalën e tij. Themeluesi i PD-së dhe kreu i komisionit nismëtar të saj, i drejtohet Berishës dhe drejtuesve të partisë së tij: “I propozoj Partisë Demokratike, e cila është në fazën e marrjes formë të një kongresi të saj, pa tërhequr mendimet nga seksionet, pa tërhequr të gjitha ato projekte dhe pa bërë një projekt të qartë, mbi zhvillimet në perspektivë të bujqësisë shqiptare, të tërhiqet deri mbas kongresit dhe të mos marrë pjesë në votim, ku do të kihet parasysh ruajtja e pronës shtetërore mbi tokën. Gjithashtu, u propozoj deputetëve, duke njohur tri specifikat e familjeve fshatare, fshatari që dha shumë tokë dhe u prek nga reforma, fshatari që mori dhe fshatari i mesëm, i  respektuan këto raporte dhe raporti pakicë-shumicë të ketë parasysh kompensimin dinjitoz të pakicës, jo sot, kur shteti është bosh, si rezultat i manovrave politike, por nesër ose pasnesër, kur Shqipëria të ketë një ringritje të ekonomisë dhe, më vonë, nëpërmjet faljes së kredive, të cilat do të stimulohen nga bankat e specializuara që do të ngrihen në fshat ose nëpërmjet dhënies së parave, pas një rritjeje të ekonomisë dhe raporti pakicë-shumicë të zgjidhet në shërbim të çështjes së madhe”.

Ndërkohë që zhvilloheshin seancat maratonë të diskutimeve pro dhe kundër dhënies së tokës në pronësi, negociatorët vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një konsensusi, edhe pse të vështirë. Në një nga seancat e diskutimeve, më datën 11 korrik, e merr fjalën Kryeministri i qeverisë së koalicionit PS-PD, Ylli Bufi, i cili propozon një formulim që shpreson të kënaqë palët. “Konkretisht, unë propozoj që një formulim i mundshëm do të ishte ky: ‘Në Republikën e Shqipërisë shteti t’u ndante tokën personave fizikë dhe juridikë’ dhe ligji të ngarkonte Këshillin e Ministrave që në kuadrin e reformës ekonomike të përgatiste një ligj për tokën. Do të isha i mendimit që një formulim  i tillë të diskutohet në grupet parlamentare dhe të gjendej një formulim i saktë rreth kësaj çështjeje themelore, për të cilën po diskutohet në disa seanca”. Por edhe të nesërmen vazhdon avazi i diskutimeve me dy qëndrime, PS për dhënien në përdorim, PD për dhënien në pronësi. Kryetari i Kuvendit i asaj kohe, Kastriot Islami, mbyll seancën e 12 korrikut dhe fton të hënën krerët e komisioneve dhe të grupeve parlamentare që të takohen në 07.30 të mëngjesit të 15 korrikut. Ndërsa seanca do të hapet në orën 18.00 të pasdites. Të hënën, kryeparlamentari Islami hap seancën duke iu drejtuar deputetëve: “Kryesia e Kuvendit Popullor, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare, ranë dakord që pas diskutimeve të shumta lidhur me projektligjin “Për tokën” të fillojnë nesër në orën 9.00 miratimin në parim, nen për nen dhe në tërësi të këtij ligji. Të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në këtë votim, meqenëse votimi do të bëhet nominal”.

Votimi

Edhe pse Islami shpalli të martën e 15 korrikut si datë seance, sipas procesverbalit, ajo nuk u zhvillua, pra nuk pa pasur Kuvend. Puna ka rifilluar të mërkurën, 17 korrik 1991 nën drejtimin e nënkryetarit, Aleksandër Meksi. Ai nis votimin e Ligjit 7501 “Për Tokën”, në fillim në parim. “Projektligji ‘Për tokën’ na është paraqitur i pari nga qeveria, për të cilin kemi dhe vërejtjet e komisionit. Përpara se të fillojë votimi, i cili në parim dhe për ndonjë nen të rëndësishëm dhe në tërësi do të bëhet nominal, dua të theksoj se në qoftë se grupet parlamentare kanë ndonjë gjë për të thënë, të bëhet zgjatja minimale e kohës. Ju lutem, të tria grupet”, thekson Meksi. Propozimet në sallë për ndarjen e tokës ishin: PD, ndarja e tokës sipas frymëve për personat fizikë që jetojnë në fshat, duke e privatizuar; PS toka pronë shtetërore t’u jepet në përdorim personave fizikë dhe juridikë që janë në fshat. I pari fjalën e merr kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili kërkon që drafti i qeverisë “Bufi” të mos ketë precedencë në votim. Meksi e përkrah, e në fakt këtu qëndron gjithë kyçi i këtij votimi. Pasi drafti i komisioneve flet për privatizimin e tokës, ndërsa ai i qeverisë, për ndarjen në përdorim. Nis orientimi i votës…Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Neritan Ceka, thekson qëndrimin politik për të mbështetur variantin e Komisionit Parlamentar të Bujqësisë që e jep tokën në pronësi.

Këtë qëndrim e mbështet edhe grupi parlamentar i OMONIA-s(deputetëve të zgjedhur nga radhët e minoritetit grek), të cilët janë kundër variantit toka-pronë e shtetit, por kërkojnë të ndahet për frymë.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Ismail Lleshi, bën thirrje për  të miratuar variantin e paraqitur nga qeveria. “Ideja themelore që paraqit qeveria për të ruajtur pronën shtetërore dhe për ta dhënë në përdorim momenti i dytë; njohja e së drejtës së fshatarit për të marrë në përdorim një tokë, për të qëndruar ekonomi individuale ose dhe për t’u organizuar. Aspekti i parë i pronësisë, për mendimin tim është gjykuar drejt nga qeveria, që të ruhet si pronësi shtetërore”, theksoi Lleshi në emër të grupit të PS-së. Pas këtij diskutimi, rinis sërish maratona e fjalimeve dhe e polemikave politike. Rexhep Uka, deputet i PD-së kërkon tërheqjen e draftit nga ana e qeverisë. Kryeministri Bufi kundërpërgjigjet duke kërkuar votimin e draftit. Pas një ndërprerjeje, Meksi nis seancën dhe thotë: “Rifillojmë seancën. Kryesia, qeveria që paraqet projektligjin ‘Për tokën’ dhe kryesitë e grupeve parlamentare janë të mendimit të fillojmë me votimin e nenit 2, që është në të njëjtën kohë votimi në parim”. Pra votohet neni 2 dhe jo 1, ndërkohë që nuk ishte kryer sipas procedurës votimi në parim i projektligjit 7501. Katër variantet e nenit 2 që ishte më i kontestueshmi dhe thelbësori ishin këta:

“Varianti i parë është propozimi i komisionit: ‘Toka është pronë e shtetit, personave juridikë dhe fizikë’. Varianti i dytë është propozimi i sotëm i qeverisë: ‘Shteti u jep tokën personave fizikë e juridikë. Këta gëzojnë të drejtën e pronësisë dhe të gjitha të drejtat që përmbahen në këtë në ligj. Ndalohet shitja dhe blerja e tokës’. Varianti i tretë, i sjellë në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, nga Lutfi Dautllari është: ‘Shteti u jep tokën të gjithë personave fizikë dhe juridikë. Këta gëzojnë të gjitha të drejtat mbi tokën, të cilat përmbahen në këtë ligj ndalohet shitja dhe blerja e tokës’. Varianti i katërt është varianti i tekstit bazë të projektligjit: ‘Toka në Republikën e Shqipërisë është pasuri shtetërore. Ajo u jepet për përdorim personave juridikë dhe atyre fizikë. Ndalohet shitja dhe blerja e tokës”. Meksi më pas shpall votimin nominal për nenin, por sërish nisin diskutimet… I pari sipas rendit alfabetik voton Abdi Baleta, i cili siç është shënuar në procesverbalin e seancës theksoi në deklarimin e votës: “Nuk kam votuar plotësisht se u shtuan dhe fjalë të tjera: “shitja dhe blerja e tokës”. A është pjesë përbërëse apo s’është?

Aleksandër Meksi – Po.

Abdi Baleta – “Në qoftë se është pjesë përbërëse, unë do të them këtë: votoj me kusht që shitja dhe blerja e tokës të ndalohet përkohësisht. Jam kundër shitjes dhe blerjes së tokës përgjithnjë”

Meksi thërret deputetin e radhës, Pavllo Bojaxhiun për të votuar. Këtu seanca sërish humbet fillin dhe rinisin diskutimet. Votimi rinis sërish. Deputeti Abdi Baleta, jurist me profesion, proteston: “Për çfarë votohet, s’e kuptoj! Unë votova një herë; tri herë do të votoj sot”? Seanca sërish futet në kaos. Në procesverbalin zyrtar të seancës plenare është shkruar kështu kronika: “Aleksandër Meksi: Unë lexova tani në fund, kjo është radha. (Fillon përsëri votimin nominal). Abdi Baleta për variantin e deputetit Lutfi Dautllari.

Abdi Baleta – Për atë e kam shumë thjesht, votoj kundër, prit të ngre dhe letrën.

Aleksandër Meksi – Pavllo Bojaxhiu. Ju lutem dhe me zë.

Përparim  Ruzi.

Gëzim Gurazi.

Kristaq Odriçani.

Fatos Zotkaj.

(Vazhdon votimi nominal, ndërkohë, dëgjohen dhe zëra nga salla)

A ka mundësi të rrini urtë? Kush flet, të thotë emrin që ta nxjerrim jashtë (Ndërkohë votimi ndërpritet). Ju lutem edhe një herë, me zë dhe me karton. Mundësisht të mos flasin të tjerët.(Fillon edhe njëherë votimin nga e para) Në këtë situatë, kryetari i grupit parlamentar i  Partisë Demokratike, Neritan Ceka, proteston: “Nuk marr pjesë në votim. Aleksandër Meksi – Abstenoni?

Neritan Ceka – Jo, e quaj të pavlefshëm këtë votim. Këtu nuk bëhet komedi me popullin”. Në procesverbal jepet e dhëna për votimin në parim të Ligjit 7501: “Aleksandër Meksi – (lexon deri në fund listën e deputetëve. Dëgjohen diskutime nga deputetët). Ju lutem, jemi në procesin e votimit. Kanë mbaruar diskutimet për këtë problem.

Rezultati: 106 vota pro, 52 kundër, 19 abstenime. Ky votim ishte i nenit 2 dhe njëkohësisht, ishte dhe për miratimin në parim të ligjit sipas këtij parimi bazë. Kalon ligji në parim. Pranohet, gjithashtu, edhe neni 2, sipas propozimit të Lutfi Dautllarit. Do të kalojmë te neni 1, nenin 2 e votuam, do të kalojmë te neni 3”. Pra është votuar në parim, si dhe për nenin 2 së bashku e më pas kalohet te neni 1 i ligjit “Për Tokën”.

Por ky votim, kontestohet hapur nga opozita, edhe pse ka përfunduar si procedurë. Kreu i PD-së, Sali Berisha, thekson: “Zoti Kryetar, kam një pyetje: Do të ketë votim për variantet e tjera të nenit 2, apo jo? I lutem Kryesisë të më sqarojë, se jam i paqartë. A do të ketë votim përsëri, apo do të mbetet në fuqi varianti famëkeq që u votua përpara”. Pra kërkohet rivotim, pasi Kuvendi ka kaluar variantin e dhënies në përdorim.

Kryetari i seancës, Aleksandër Meksi, deklaron: “Më kërkuat të zbatoj procedurat, mos më vini në pozitë të vështirë, ju lutem”. Në këtë situatë kaosi, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Neritan Ceka, kërkon pushim për konsultim dhe nga ana tjetër u bën presion “skifterëve” të grupit të PS-së që ishin për variantin e parë. Ceka thekson se ata mund të përgatisin qeverinë e re, duke aluduar një prishje të koalicionit.

Pas pushimit, siç duket pasi është arritur një marrëveshje mes PD-së dhe PS-së, flasin liderët respektivë.

Sali Berisha – Zoti Kryetar, mendoj të votohet nominalisht se është votim historik.

Fatos Nano – Duke qenë një forcë politike e angazhuar realisht për stabilizimin e vendit dhe për mbështetjen e Qeverisë së Stabilitetit, mbështes propozimet e mëparshme, do të ishte një mesazh qetësie, sikur të bëhej me të gjithë kartonët ngritur njëherësh”. Të njëjtën gjë e kërkon edhe Kryeministri Bufi. Por votimi sipas procesverbalit bëhet nominal, edhe pse në kaos. Në dokument shkruhet: “Aleksandër Meksi – (Komunikon rezultatin e votimit nominal.) Pro 158, kundër 13, abstenime 24. (Duartrokitje)”

Seanca mbyllet dhe fillon më 15 korrik për votimin e nenit të parë.

Këtu dokumenti zyrtar nuk ka asnjë të dhënë sesa vota mori ky nen. Në procesverbal shkruhet: “Aleksandër Meksi – Ju lutem shumë tani!

Rexhep Uka, keni ju vërejtje? (Nuk ka.) Atëherë, kush është dakord për miratimin e nenit të parë, me këtë vërejtje të bërë nga komisioni? Kundër? Abstenim? Miratohet me shumicën e votave.

Nenin 2 e miratuam dje”. Sa është shumica? Në rregullore duhet doemos të dokumentohet numri i votave për secilin votim: pro, kundër apo abstenim. Te neni 3 nisin sërish diskutimet pa fund. Teksti i tij është: “Toka bujqësore u jepet në pronësi ose në përdorim personave juridikë a fizikë vendas pa shpërblim”. Seanca ndërpritet, fillon sërish bashkë me diskutimet e gjata. Situata është e paqartë, ndryshojnë formulimet shpejt e shpejt. Deputeti socialist, mjeku Ahmet Kamberi, bën thirrje për kujdes në formulim. Ai kërkon që të kihet parasysh që fshatarëve t’u ndahet edhe kullota apo zabeli, në mënyrë që të mos krijohet kaos në shpërndarjen e tokës, e cila nuk është vetëm bujqësore. Pas diskutimeve të pafund, bëhet edhe votimi i nenit 3, por sërish pa numër votash. Në procesverbal shkruhet: “Aleksandër Meksi -Në fund, propozimi i komisionit. Kush është për këtë, ju lutem! Toka bujqësore u jepet në pronësi ose në përdorim personave juridikë e fizikë vendas pa shpërblim”. Kundër? Abstenime? Miratohet me shumicë votash”.

E njëjta gjë për nenin 4, nuk ka numër votash, vetëm miratohet me shumicë. Po ashtu për nenin 5. Neni 6 diskutohet gjatë dhe drejtimin e seancës e merr Kryetari i Kuvendit, Kastriot Islami. Në procesverbal  citohet Islami që ka theksuar: “Miratohet neni 6”. Jo vetëm që nuk ka numër, por as fjala shumicë. Për nenin 7, Meksi që rikthehet në drejtim thekson frazën miratohet me shumicë votash. Për nenin 8 janë zhvilluar bisedime të gjata dhe është kërkuar të hiqet. Nuk ka asnjë të dhënë në procesverbal se si është votuar ky nen. Më tej vazhdohet me nenin 9. Edhe për këtë nen citohet Meksi të thotë frazën: “Miratohet”. Sërish s’ka numër votash. E njëjta gjë për nenin 10. Asnjë të dhënë për nenin 11 përveç frazës “miratohet me shumicë votash”. Për nenin 12 përdoret vetëm fraza “miratohet”. Neni 13 nuk ka asnjë të dhënë për miratimin. 14-a kalon me shumicë votash. Për nenin 15 sërish nuk ka asnjë të dhënë si është votuar. Gjatë diskutimit të këtij neni, Kuvendi boshatiset nga deputetët. Sipas Procesverbalit: “Një deputet – Zoti Nënkryetar, në sallë janë 109 deputetë. Unë mendoj të mos vazhdojmë në këtë mënyrë. Aleksandër Meksi – Në rregull. Sekretaria t’i numërojë; do të bëjmë apelin. Të dimë, kush mungon dhe nga cili grup janë. Kastriot Islami– Ju lutem, sekretaria, numëroni! Do të bëjmë apelin, dhe ta marrë vesh gjithë populli kush ikën nga mbledhja. Aleksandër Meksi – E dëshironi, në rregull. Neve nuk na ka shkuar në mend ikja. Ju lutem, sekretaria, sa veta janë në sallë? (Nga sekretaria jepet përgjigje që në sallë janë 105 veta). Kastriot Islami – 105 veta. Ju lutem, mbani qetësi! Aleksandër Meksi – Ju lutem, qetësi, e dimë që keni ndjenjën e humorit, ruajeni në lokalet e asaj pune. Kastriot Islami – Me qenë se shumica e deputetëve s’është e pranishme, duke i bërë thirrje popullit të gjykojë për të gjithë këta deputetë që mungojnë dhe kur vijnë bëjnë vetëm deklarata, po mbyllim seancën për të filluar nesër në orën 9.00”.

Seanca e radhës nis më 19 korrik. Meksi thotë që “Jemi te neni 16 më duket”. Pas diskutimeve të gjata në dokument përmendet fjala: Neni miratohet”. 17-a kalon sërish pa evidenca. Për nenin 18 procesverbali citon Meksin: “Ta saktësojmë, të mos merremi ne me redaktim. Kush është për ta miratuar? Kundër? Neni 19”. Pra asgjë nëse u miratua apo jo dhe me sa vota. Për 19-n, kreu është dokumentuar që vetëm miratohet. Për nenin 20, Meksi shton se është miratuar me shumicën e votave…21-shi nuk ka evidencë. Në fund të diskutimit të nenit citohet Meksi: “Ju mund të keni të drejtë për atë që keni ju në mendje. Gëzim Luli më thotë këtë. Nuk u bëj dot redaktim të gjithave. Ju më bëni një propozim të ri, ju lutem! Ju lutem kush është për ta miratuar këtë? Nuk miratohet”. Më pas vazhdohet me nenin 22. Procesverbali citon Meksin të thotë fjalën: “Miratohet sipas variantit që thamë…”. Neni 23? Vetëm fraza “miratohet”. Në nenin 24 situata hyn në kaos. Nisin diskutimet, kreu i PD-së, Sali Berisha, thotë: “Miratimi i ligjit “Për tokën” shënon një… (Ka reagim në sallë). Një minutë, kam vërejtje shumë, kam disa vërejtje të përgjithshme shumë të rëndësishme”. Ndërhyn Meksi: “Nuk kemi mbaruar me ligjin, ju lutem. Po dalin njerëzit”. Nisin diskutimet e zjarrta, Meksi ndërpret seancën dhe shpall gjysmë ore pushim. Më pas nisin diskutimet, në fund Meksi thotë që miratohet. Për nenin 25, kreu i Komisionit të Bujqësisë thekson të hiqet. Jemi te neni i fundit. Procesverbali citon Meksin: Neni 26, numërimi ndryshon, kuptohet. Sulejman Pepa – “Ky ligj hyn në fuqi menjëherë”. Duhet menjëherë ta bëjmë. Aleksandër Meksi – Kush është për ta miratuar nenin 26? Kemi miratimin në tërësi të ligjit. Kundër? I kam të shkruara radhët e kërkesës”.

Asnjë evidencë nuk jepet në procesverbalin zyrtar të seancës se sa vota ka marrë në tërësi Ligji 7501. Asnjë. Vota në tërësi është dhe ajo thelbësorja për kalimin e një ligji nga Kuvendi, ku duhet të shënohen me përpikëri të gjitha votat. Por sipas drejtuesve të Kuvendit “ligji për Tokën” ka kaluar dhe u takon fjalimeve ceremoniale. Në emër të grupit të PS-së flet Lutfi Dautllari: “Në emër të grupit të deputetëve të Partisë Socialiste dua të përshëndes Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe të “Omonia”-s që momentin historik të miratimit të ligjit “Për tokën” e kaluam me sukses të plotë. (Duartrokitje) Fshatari ynë, me këtë ligj të shumëpritur fitoi dhe garantoi përfundimisht, së pari, tokën që i takon dhe e punon. Abdi Baleta flet në emër të grupit të PD-së: Abdi Baleta “Falënderojmë për fjalinë e parë, por merita për këtë rast besoj, i takon grupit të Partisë Socialiste ose të ish-Partisë së Punës që hoqi dorë nga pronësia shtetërore mbi tokën dhe mbasi na lodhi shumë, u pajtua me ne për privatizimin. Faleminderit”! Kuvendi nis diskutimin për çështje të tjera, por deputetë të ndryshëm theksojnë se duhet ndërhyrë për çështjet e ndërmarrjeve bujqësore që u privatizuan një vit më pas nga qeveria e PD-së e dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1992.

Po sa vota mori ligji më i rëndësishëm pas Kushtetutës pas rrëzimit të komunizmit? Sa deputetë e votuan në tërësi Ligjin 7501 “Për Tokën?! Askush nuk do ta marrë vesh asnjëherë. Nuk ka asnjë dokument të shkruar për këtë…

Pjesa e dytë, botuar në Gazetën Shqip, më 18 prill 2014

Zbardhet procesverbali i seancës maratonë në korrik të vitit 1991

Kastriot-Islami-Meksi-PerpaliKuvendi ishte zhytur në debate pa fund, propozimi i bërë nga Kryeministri i asaj kohe, Ylli Bufi, për riformulim të nenit 2 të draftit “Për Tokën” i nxiti akoma më tej debatet mes demokratëve dhe socialistëve në seancat e korrikut të vitit 1991. Gazeta Shqip po boton pjesë nga procesverbali i debateve që u zhvilluan gjatë procesit të votimit, që nuk u krye siç duhet, brenda normave që parashikon rregullorja.

Seanca e datës 12.7.1991, e premte

Bardhyl Fasko (PS) – Unë dhe herë të tjera kam kërkuar fjalën dhe prej jush nuk e kuptoj përse s’më jepet fjala. Në shenjë proteste, shpreh këtë vërejtje: Së pari, në asnjë seancë nuk është respektuar orari i fillimit të punës. Koha e punës efektive ka qenë shumë e vogël dhe ndonjëherë nuk është punuar fare. Së dyti, nga ana juaj, drejtues i seancës, nuk është zbatuar radha e diskutimeve. Ato janë bërë sipas dëshirave dhe pasioneve tuaja personale. Së treti, keni lejuar diskutime jashtë rendit të ditës. Keni vazhduar punimet e seancave me pjesëmarrje qesharake, si kjo e sotmja. Kush e mban këtë përgjegjësi? Unë mendoj se këtë përgjegjësi e keni ju si drejtues i seancës dhe kryesitë e grupeve parlamentare. Së katërti, deputetët e vetëquajtur të rrallë, të mëdhenj, largpamës vazhdojnë me kursin e mëparshëm, duke braktisur Kuvendin Popullor për punë, gjoja të mëdha, me shërbime nga Tirana deri në Nju Jork, duke mos justifikuar besimin e zgjedhësve. Të gjitha këto nuk i shërbejnë aspak demokracisë së vërtetë dhe situatave që ne po kalojmë, por i shërbejnë anarkisë, destabilizimit deri në shkatërrimin e plotë të vendit. Unë nuk do të isha dakord si deputet të vazhdojnë punimet më këtë seriozitet si deri më sot.

Aleksandër Meksi (PD) – Këto gjëra mund t’i kërkoni në grupet tuaja parlamentare. Serioziteti i vazhdimit të seancave nuk është i yni, është i grupeve. Unë drejtoj pjesëmarrjen e deputetëve që janë këtu. Nuk kam punuar me nën 125 deputetë.

*     *     *

SEANCA E PASDITES

Kastriot Islami (PS) – Mbas një konsultimi me kryetarët e grupeve parlamentare, ramë dakord që punimet të rifillojnë ditën e hënë, në orën 18.00. Ndërkohë, Komisioni i Bujqësisë, në orën 10, ditën e hënë të mblidhet, kurse kryetarët e grupeve parlamentare, kryetarët e partive që marrin pjesë në Parlament dhe kryetarët e Komisionit të Bujqësisë për problemet ekonomike sociale të fshatit, bashkë me Kryesinë, të mblidhen nesër, në ora 7.30 të mëngjesit te Kryeministri.

Pra, dhe njëherë tjetër përsëris, punimet rifillojnë ditën e hënë, në orën 18.00.

Seanca e datës 15.7.1991, e hënë

Kastriot Islami (PS) – Rifillojmë punimet. Ju lutem,

Sa të mbarojmë, do t’jua jap fjalën. Kryesia e Kuvendit Popullor, së bashku me kryetarët e grupeve parlamentare, ranë dakord që pas diskutimeve të shumta lidhur me projektligjin “Për tokën” të fillojnë nesër në orën 9.00 miratimin në parim, nen për nen dhe në tërësi të këtij ligji. Të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në këtë votim, me qenë se votimi do të bëhet nominal. Sot puna do të vazhdojë në komisione, sipas planit që do t’ju referojë zoti Aleksandër Meksi. Pasdite puna do të fillojë në orën 18 në grupe parlamentare.

Dita e votimit

Seanca e 17 korrikut

Nis me votimin në parim të draftit “Për tokën”

Aleksandër Meksi (PD) -Fillojmë seancën e paradites. Hedhim në votë ligjin “Për tokën”, duke filluar në parim, siç është rregulli, nen për nen dhe në tërësi. Projektligji “Për tokën” na është paraqitur i pari nga qeveria, për të cilin kemi dhe vërejtjet e komisionit. Përpara se të fillojë votimi, i cili në parim dhe për ndonjë nen të rëndësishëm dhe në tërësi do të bëhet nominal, dua të theksoj se në qoftë se grupet parlamentare kanë ndonjë gjë për të thënë, të bëhet zgjatja minimale e kohës. Ju lutem, të tria grupet! Sali Berisha.

Sali Berisha – Mendoj që, në radhë të parë, të merret në konsideratë sugjerimi i komisionit të Parlamentit, pastaj projekti i qeverisë, sepse si organ legjislativ, ma thotë mendja që ne duhet të përfillim të parin, pavarësisht, propozimeve dhe sugjerimeve të komisioneve të këtij Kuvendi.

Aleksandër Meksi (PD) – Kjo që thoni ju, është jashtë çdo dyshimi, sepse ne kemi propozimet e komisionit, siç kemi dhe propozime të tjera, të cilat hidhen në votë të parat, pastaj hidhet teksti i projektligjit të paraqitur nga qeveria. Por unë thashë në qoftë se ka deklarim vote nga grupet parlamentare. Dhe votimi do të jetë i projektligjit “Për tokën”, në parim po flasim me ndryshimet që i bën komisioni, pastaj sipas tekstit të qeverisë. Më duket se është fjala për votimin e tij me privatizimin e tokës, pastaj për votimin e tij me tokën shtetërore dhe do të kalojmë me nene. Domethënë kini gjithnjë parasysh, ju lutem, vërejtje komisionit. Ato hidhen të parat në votë. Ju lutem, grupet parlamentare kanë ndonjë gjë për të thënë? Urdhëroni! Një deputet – Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, mbasi u shprehën diskutimet në parim, gjykon që ka ardhur momenti që ligji t’i nënshtrohet diskutimit nen për nen. Çdo vonesë e zvarritje që po i bëjmë miratimit të këtij ligji, nuk bën gjë tjetër, veç shton krizën e besimit dhe organizimit që ka pllakosur sot. Çdo qëndrim që pezullon këtë ligj të shumëpritur nga fshatarësia jonë, jep reaksion të kundërt për kredon tonë si deputetë, për partitë politike që përfaqësojmë dhe i hap rrugë veprimit në boshllëk dhe anarkisë. Duke u nisur nga nevoja për t’i krijuar një bazë ligjore Qeverisë së Stabilitetit, që të veprojë për stabilizimin e gjendjes në fshat, nisur nga fakti që ky ligj plotëson në tërësi kërkesat e fshatarësisë për momentin e tanishëm që u parashtrua në diskutimet e mjaft deputetëve kur e diskutuam atë, duke qenë që i hap rrugë stabilizimit të gjendjes, grupi ynë mendon se është ezauruar diskutimi në parim dhe të kalojmë në votimin nen për nen.

Aleksandër Meksi – Neritan Ceka.

Neritan Ceka (PD) – Mendoj se pas diskutimeve që u bënë është e qartë që të gjithë parlamentarët janë dakord se nuk ka zgjidhje tjetër, vetëm ndarjes së tokës dhe çështja qëndron në formën e pronësisë. Grupi ynë parlamentar qëndron në formulimin e propozuar nga Komisioni i Bujqësisë, domethënë që toka të jetë e shtetit, e personave juridikë dhe fizikë. Me një fjalë, të njihet pronësia private mbi tokën. Ne e konceptojmë ketë hap vetë si hapin e parë të një reforme agrare, ku përveç zgjidhjes së çështjes së ndarjes fizike të tokave, do të merren parasysh dhe çështjet e drejtësisë, domethënë mbi pronësinë e saj. Çështjet do të zgjidhen me kohë. Ne mendojmë se duke njohur pronësinë private mbi tokën, sigurojmë edhe mundësinë e shtrirjes së pjesëmarrjes së fshatit në ekonominë e tregut, ndryshe do të izolonim fshatin tonë nga angazhimi në jetën e re ekonomike. Duke qenë parimisht me një pronësi private mbi tokën, në jemi me këtë formulim që thashë, me formulimin e Komisionit të Bujqësisë dhe në parim jemi kundër formulimit të propozuar në ligjin që na bie Këshilli i Ministrave, domethënë ne, duke votuar si grup në parim kundër këtij ligji, kemi parasysh vetëm formulimin e pikës 2; kurse jemi dakord pastaj të kalojmë në votimin pikë për pikë dhe të përqendrohemi në atë kryesore që është pika 2. Aty jemi për një votim nominal të deputetëve. Natyrisht, dhe votimi në parim duhet të jetë nominal. Faleminderit!

Aleksandër Meksi – Unë jua bëra të qartë pikërisht…

Një deputet i “OMONIA”-s – Edhe ne jemi dakord me formulimin e Komisionit të Bujqësisë dhe të Ushqimit, sidomos për nenin 2, që toka të jetë pronë e shtetit, e personave juridikë dhe fizikë dhe jo të jetë, si u shpreh në diskutimet e mjaft deputetëve që prona të jetë vetëm e shtetit, kurse nen për nen pastaj e diskutojmë më vonë.

Aleksandër Meksi – Ismail Lleshi.

Ismail Lleshi (PS, kreu i grupit) – Diskutuam gjatë lidhur me ligjin “Për tokën”, se është me të vërtetë një problem i mprehtë i interesit të përgjithshëm, interesit jo vetëm të fshatarësisë, por të mbarë vendit. Mendimi im është që paraqitja e këtij projekti nga qeveria synon të përballojë probleme të mprehta që kanë lindur në fshat dhe në projektin qe ajo ka paraqitur, për mendimin tim qeveria merr një angazhim serioz si t’i përballojë këto probleme. Të përballojë në dy aspekte themelore: E para t’i përballojë në angazhimin e saj, si personifikim i pushtetit shtetëror për ta drejtuar këtë problem të stabilizimit të gjendjes në fshat. E dyta, t’i përballojë duke i dhënë mundësi dhe vetë fshatarit për një organizim më të përsosur të jetës në fshat. Të dyja këto momente, për mendimin tim, janë boshti i projektit që paraqitet. Momenti i parë; ideja themelore që paraqit qeveria për të ruajtur pronën shtetërore dhe për ta dhënë në përdorim momenti i dytë; njohja e së drejtës së fshatarit për të marrë në përdorim një tokë, për të qëndruar ekonomi individuale ose dhe për t’u organizuar. Aspekti i parë i pronësisë, për mendimin tim është gjykuar drejt nga qeveria, që të ruhet si pronësi shtetërore. Kjo jo vetëm për të mos shkuar larg në thellësi të kohëve, të ndonjë iluzioni të dhënies së tokës ish-pronarëve të mëdhenj, të atyre që e kishin shtypur prej kohësh fshatarin, por edhe të shumë faktorëve të tjerë, që kanë të bëjnë me pamundësinë konkrete për ta realizuar drejtpërsëdrejti këtë proces, pa një studim të hollësishëm, që ka të bëjë me pamundësinë për t’iu përgjigjur procesit të realizimit konkret të mbështetjes së këtij aktiviteti me të gjitha proceset e infrastrukturës. Kjo edhe për një arsye të tretë, sepse realisht me atë mundësi që ka privatizimi mund të shoqërohet dhe me shumë fenomene sociale, që mund të dalin jashtë kontrollit të aparatit shtetëror. Aspekti i dytë, për mendimin tim, është gjithashtu i rëndësishëm; ai aspekt, ai moment, e njeh kooperativizmin si faktor ekonomik dhe nga kjo pikëpamje ai vazhdon atë traditë që është filluar në vendin tonë që mund të ketë vërejtje dhe kritike, por që ka pasur dhe rezultatet e saj dhe rezultatet ia di më mirë fshatari. Në këtë projekt nuk hidhet poshtë ky kooperativizëm, por përkundrazi jepet e drejta e fshatarit ta përsosë më tej, siç e gjykon dhe e mendon ai. Dhe më duket se vepron drejt, duke ia lënë fshatarit. Kam bindjen se fshatari do ta gjejë rrugën përsëri te kooperativizmi. Në fakt, shqetësimet që kanë lindur në fshat, për mendimin tim, më tepër kanë lindur nga mungesa e organizimit të mirë të punës, sesa realisht nga spontaniteti i veprimit të fshatarit. Kam parasysh që zona të caktuara, do të më të lejoni të përmend zona, si Shëngjergji, Shkalla, Kllojka në rrethin e Tiranës, ku i njoh nga afër, nuk kanë bërë asnjë veprim cenimi të kooperativizmit të kooperativës së tyre. Madje kanë mendimin që duhet ta ruajnë dhe të përsosin më tej. Dhe këtë përsosje, në miratimin që mund t’i bëjmë projektit të qeverisë, i japim një fushë veprimi konkret.

Pjesa e tretë, botuar në Gazetën Shqip, më 19 prill 2014

Uka: Reformë agrare dhe të caktohen format e pronësisë mbi tokën

Berisha-Ceka-91Propozimi që tokat të mbeten shtetërore dhe të jepen në përdorim solli reagimin e deputetëve të PD-së, të cilët kërkonin që të përcaktohej se ajo duhet të jetë private. Socialistët dhe demokratët, pavarësisht se ishin në votim, iu kthyen dhe një herë debatit mbi formën e pronësisë.

Aleksandër Meksi – Arben Imami.

Arben Imami (PD) – Ju faleminderit! Për një ligj të tillë do të ishte mirë që palët të kishin arritur në miratim me konsensus, po kjo me sa duket është e pamundur, se ndahen nga pikëpamja konceptuale. Jam i mendimit që ligji nuk është ai që duhet të jetë, për arsye se nuk njeh atë realitet që po zhvillohet sot në Shqipëri dhe ndarja që faktikisht i është bërë tokës. Nuk jam dakord për arsye se ligji, megjithëse nuk merr përsipër të bëjë reformën de jure, e bën atë de facto. E pra, ne si ligjvënës na mungon sinqeriteti përpara popullit tonë për t’i thënë që ne po e bëjmë reformën dhe, meqë po e bëjmë, le ta bëjmë dhe atë ligjërisht. Ka një koncept që pala tjetër e ka të paqartë. Koncepti i pronësisë është tjetër, koncepti i organizimit të pronës është tjetër. Me pronë private, që është një formë prone, nuk ndalohet mundësia e organizimit kolektiv, por duke u nisur nga baza, nga aspirata ideologjike dhe politike, shpeshherë këto ngatërrohen dhe po ndërhyjnë në mënyrë negative në këtë ligj. Grupi i deputetëve të PD-së është i mendimit se vërtet na duhet një zgjidhje përfundimtare dhe afatgjatë, ashtu siç na duhet një zgjidhje edhe për këtë moment, por nuk ka një zgjidhje të momentit, e cila nuk parashikon dhe perspektivën. Pra, në propozojmë, siç kemi propozuar dhe gjatë diskutimeve në takimet e tjera që të vihet pronësia private mbi tokën dhe kjo të konsiderohet si faza e parë e reformës agrare. Një fazë tjetër e reformës agrare do të ishte studimi, njohja e tokave, klasifikimi i tyre dhe faza e fundit, që nuk mund ta marrë përsipër qeveria e stabilitetit, sigurisht, por do ta merrte qeveria që do të dilte nga Kuvendi i ardhshëm, nga Parlamenti i ri, do të ishte kompensimi; sadisfaksioni material i atyre pronarëve që humbin. Nuk është fjala këtu për pronarët e mëdhenj, por ashtu siç është rënë dakord përgjithësisht këtu, është fjala për pronarët që kanë përfituar nga reforma e 1946-s. Insinuatat e tjera, pronarët e vjetër etj., etj., nuk janë asgjë tjetër veçse luftë politike dhe luftë elektorale nga ky vend i shenjtë që është Parlamenti. Ju faleminderit, zoti nënkryetar!

Aleksandër Meksi – Në një diskutim disaditor e kemi bërë, ju lutem, tani mendoj që… Po, dy e morën fjalën andej, dy këtej.

Çun Jonuzi (PS) – Kam bërë një propozim krejt origjinal herën tjetër. Ju faleminderit! Unë them se i takon Parlamentit tonë të shmangë një ballafaqim të tillë për tokën në një moment që jetojmë sot. Nuk është e nevojshme që ne të kapemi për çështjen e tokës sot. A ta mbajmë shtetërore, apo ta kthejmë private? Ne të dy palët, ose tri palët që jemi këtu, jemi të mendimit, edhe konvergojmë në pikën që të ndalojmë shitblerjen e tokës përkohësisht. Deri sa jemi për këtë, pse të kapemi pastaj për mustaqet e Çelos. A ta mbajmë shtetërore sot, apo ta kthejmë private. Në qoftë se ndalojmë shitblerjen e tokës për një moment, unë do të thoja se është krejt logjike të heqim dorë edhe nga ky konflikt i dytë, sepse një gjë që bëjmë private, ne nuk mund të ndalojmë shitjen, në qoftë se kemi parasysh ekonominë e tregut, për të cilën po flasim me kaq pasion. Dhe unë çështjen e tokës nuk e lidh aspak me ekonominë e tregut. Tregu dhe ekonomia e tregut nuk lindi me shitblerjen e tokës, por lindi me ekonominë e mallrave. Prandaj nuk kemi pse të kapemi për këtë klauzolë. Kështu që unë i ftoj të dy palët, tri palët, kolegët që ta lëmë fare këtë çështje dhe t’i referohemi atij diskutimi, që bëra unë në radhën tjetër që t’ia lëmë qeverisë këtë çështje. Unë kthehem edhe një herë te kjo që u arrit përpara se të rikthehemi prapë edhe një herë te ligji që na u paraqit nga qeveria dhe tek amendamentet, të cilat i ndërruan komisionet. Them të kthehemi aty dhe ta kapërcejmë në këtë rast. Vendi ka nevojë për zgjidhje të tjera e jo për zgjidhjen e tokës sot ta mbajmë shtetërore apo ta kthejmë private. Më duket se i takon qeverisë dhe vetëm qeverisë që të zgjidhë problemet e vënies së rregullit në ndarjen e tokës në fshat. Dhe kjo mund të bëhet fare mirë. Unë vetë isha në fshat tani dhe nuk kemi pse t’i tragjedizojmë konfliktet e fshatit për tokën. Ato nuk janë të tilla si i fryjmë ne këtu. Prandaj të zbresim konkretisht në terren dhe të merremi me atë zgjidhje që i takon qeverisë me këto komisione dhe të mos humbim kohë kaq të vlefshme për situatat që kapërcejmë; të merremi me problemet e fillimit të punës, me problemet e furnizimit tregut dhe me probleme që janë shumë më të ngutshme se kjo. Për këtë e ftoj gjithë Parlamentin, të 250 kolegët. Aleksandër Meksi – Rexhep Uka.

Rexhep Uka (PD) – Pas kaq ditë diskutimesh, takimesh, debatesh po vërtetohet se ligji “Për tokën” ka merituar çdo vlerësim dhe atribut që i është dhënë, por të gjithë jemi dëshmitarë të udhës pa krye, në të cilën është futur Kuvendi e me garën e diskutimeve askush nuk i ka shpëtuar grackës së konkursit të retorikës. Erudicioni agrar, i armatosur me paragjykime të sofistikuara, thyen rekorde të njëpasnjëshme. Dilema shekullore shqiptare për pronësinë e tokës ka trokitur në derë. Këtë radhë ajo kërkon përgjigje. Pas burgimit të saj politik 47-vjeçar, me motivacionin “pronë shtetërore”, toka po kërkon të drejtat e saj të mohuara, rehabilitimin e saj, kërkon të zotin e saj, atë që e punon, e mbjell, e vjel dhe e korr. Populli po taton. Bota po vlerëson prirjet dhe ritmet e reformës ekonomike pa harruar dirigjentët e saj. Me sa duket, një komb nuk mund të jetë kurrë i lirë, pa vendosur demokracinë për tokën mëmë. Shqiptari nuk mund të jetojë me qira në atdheun e tij. Ajo që i ka munguar më shumë shqiptarit, një gjysmë shekulli ka qenë dhe vazhdon të jetë prona, të qenët pronar, lidhja e interesave materiale me vendin e tij. Duke i mohuar atij pronën, ai detyrohet të mohojë gjithçka; të braktisë Shqipërinë, duke bërë atë eksod tragjik të pashembullt për kohët moderne. Si vendi më fanatik stalinist në botë, ndryshku i kuq gjysmëshekullor ka depërtuar shumë thellë në të dhe ka bllokuar gjithçka. Duke hyrë e fundit në rrugën e demokracisë, Shqipëria është e detyruar të shpejtojë hapat për të kompensuar atë çka ka humbur. Krijimi i qeverisë së stabilitetit, e mbështetur nga të gjitha forcat politike dhe populli, ishte një vendim mjaft i drejtë për situatën e krijuar. Kjo qeveri, në programin e saj, pavarësisht se është afatshkurtër momenti historik e kërkon që disa çështje që kanë të bëjnë me fatet e së sotmes dhe së ardhmes, të programohen dhe vendosen tani. Fakti që qeveria është pluraliste nuk do të thotë aspak se ajo duhet të bëjë montime programesh, duke marrë diçka nga njëri apo tjetri program. Bashkimi mekanik i tyre nuk çon përpara, përkundrazi pengon jo vetëm ecurinë ekonomike sot, por fut në rrugë të shtrembër problemet kyçe që lidhen me perspektivën e vendit. Një gabim parimor sot në çështjet kyç të reformës ekonomike krijon efekte të tilla që nesër do të jenë të pakorrigjueshme. Këto ditët e fundit me të drejtë njerëzit janë shumë të shqetësuar, madje të egërsuar për javashllëkun apo ngecjen në vend të disa gjërave. Varfëria vetëm po thellohet nga dita në ditë. Asnjë fill konkret shprese për ndryshim s’po duket në horizont. Në kohë të tilla krize populli është bërë spektator i teatrit të madh pluralist që pjell çdo ditë parti dhe shoqata, programi dhe propaganda, gazeta pa fund që po japin lajme sensacionale në shifrat e tyre astronomike për pasuritë dhe bëmat e partiakëve të lartë gjatë këtij fundshekulli. Dikë e zënë ethet e parave të vjedhura, dikush që ka mbetur pa pushtetin politik do të fitojë atë ekonomik, lufton për më elementarin kusht të jetës, bukën e gojës. Gjendja, veçanërisht në fshat, tashmë është e pakontrollueshme. Atje sundon anarkia e plotë me ligjet e saj shkatërruese. Askush nuk punon. Rruga e mërgimit shihet si rruga e vetme e ekzistencës. Me të drejtë pyetet: Dhe sa do të zgjasë kjo? Me të tilla zhvillime ngjarjesh fatet e demokracisë rrezikohet të marrin drejtime të padëshiruara. Kujt i shërben debati pa kuptim i tejzgjatur për tokën? Mos do të fitojë një i tretë që ndërkohë ne masim forcat njëri me tjetrin? Mos të gjithë ne kemi rënë në grackën e ndokujt me planet politike që drejtohen nga zyra të specializuara që për çdo moment prodhojnë paketa ligjesh politike të pashkruara, që neutralizojnë çdo paketë ligjesh ekonomike. Gjithkush pyet: shumë pak përgjigjen, askush nuk lëviz. Vrasësi i ushqimit të popullit, i bujqësisë dhe i fshatarit tashmë është zbuluar. Ai ishte sistemi kooperativist. Kjo është deklaruar në programin e Partisë Demokratike. Nuk mbeti partiak, politikan, gazetar dhe shkencëtar, ish-anëtarë të kësaj sajese të përçudnuar ekonomike, pa e mbrojtur atë. Sot po ata që e mbrojtën me fanatizëm, po me atë histeri po e kritikojnë për të thënë se jemi të reformuar e të distancuar nga e kaluara. Ky është akrobatllëk politik. Dy herë nuk mund të fitohet, duke lavdëruar dhe duke sharë të njëjtën gjë. Tani problemi shtrohet ndryshe. Sistemi kooperativist nuk mund të mbahet gjallë nga disa foni të minorancës, që mendojnë se mund të shtyhet dhe disa ditë në rolin e kryetarit të kooperativës. Odisesë së gjatë të ligjit “Për tokën” i duhet dhënë fund. Teoria e privatizimit të bujqësisë me avantazhet e saj nuk ka mbetur të bëhet nga ne. Atë e ka shpjeguar dhe provuar e gjithë bota, e cila prej shekujsh jeton me të. Janë krejt pa baza arsyetimet se nuk kemi si të mbështesim pronarin e vogël. Së pari, duhet privatizuar industria pastaj bujqësia. Industria nuk punon me stomak bosh. Nuk ka argumente qeveria pluraliste, që nuk angazhohet të bëjë reformë agrare, ndërkohë që në të gjitha ligjet e paraqitura ajo e realizon ndarjen e tokës. Janë krejt anakronike propozimet për referendum popullor për çështjet agrare dhe për konsensus për të gjetur rrugë të ndërmjetme. Përfundimisht, dy rrugë ka: Ose kooperativat bujqësore, që do të thotë ta provosh ligjin e varfërisë absolute, të anarkisë ose të privatizimit. Hyrja në reformë, përgatitja për të dhe lënia e saj përgjysmë nuk ka ndodhur as do të ndodhë te ne. Dy reforma agrare brenda një viti s’ka parë historia. Grupi i deputetëve të Partisë Demokratike deklaron dhe një herë përpara Parlamentit unanimisht se qeveria duhet të tërheqë këtë ligj që ka paraqitur të stabilizimit dhe të hartojë ligjin themelor të tokës të plotë, ku të përfshijë gjithçka që ka të bëjë me reformën agrare. Ligji të përcaktojë qartë dhe pa ekuivokë format e pronësisë mbi tokën dhe subjektet e saj. Të studiojë dhe të përcaktojë kriteret e ndarjes së tokës, si dhe truallit për vendës dhe të huaj. Ligji të përcaktojë mirë qëndrimin për kufijtë e vjetër dhe format e kooperimit e të kompensimit. Qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme që në kohë të shkurtër të përballojë me bazë materiale gjithë subjektet pronare të tokave për të bërë mbjelljet dhe punimet e vjeshtës, punimet e tokave për të lashtat dhe bimët foragjere për blegtorinë. Të shpejtojmë veprimtaritë për lidhjen e marrëveshjeve me firmat e huaja bujqësore të ndërmarrjeve tona, të cilat do të jenë baza e furnizimit të qyteteve në momentet kur pronarët individë ende s’janë në gjendje për të përballuar këtë. Askush nuk ka të drejtë të pengojë as të ngadalësojë rrugën e ekonomisë së tregut që synojmë; për atë luftojnë të gjithë. Kapitalizmi është një shoqëri e keqe, por s’ka më të mirë. Le ta pësojmë dhe në atë që ka pësuar Europa nga prona private. Askush nuk ka pretendim më të madh.

Aleksandër Meksi – Një vërejtje. Thamë që do të bëjmë votimin në parim. Diskutimi është bërë. Ju lutem, nuk ka nevojë të përsërisim diskutimet, pra, ju lutem, nuk do të vazhdojmë në këtë mënyrë. E bëra vërejtjen kur e kërkoi fjalën Çun Jonuzi. Këtë diskutim e kemi bërë; të ripërsërisim ato gjëra më duket e padobishme.

Bardhyl Fasko – Dua fjalën, zoti Lekë.

Aleksandër Meksi – Unë jam përfaqësues i popullit, më keni vënë këtë detyrë. Populli nuk na pret neve, Bardhyl Fasko.

Bardhyl Fasko – Do të më dëgjosh!

Aleksandër Meksi – Të kam dëgjuar ty dhe gjithë të tjerët. I tërhoqa vëmendjen dhe Rexhep Ukës që përsëriti ato që ka thënë. (Ka bisedime të vazhdueshme në sallë). Ne folëm tri ditë rresht, diskutuan të gjithë, nga dy herë, e shkeli njëri i pari, por themi të mos e përsërisë më njeri këtë punë. Nuk ndërpreva as Çun Jonuzin që përsëriti të njëjtën gjë (B. Fasko përsëri flet nga vendi). Po s’ka kuptim. Ne mund t’i tërheqim vëmendje Ukës, por jo të përsërisim të njëjtin gabim, ose më tërhiqni vërejtjen mua, dakord. (Në sallë ka bisedime). Të mos fillojmë me të tilla muhabete. Ka mundësi, mos flisni pa leje! Ylli Bufi.

Ky zë u postua te Albanian Authorities, European Integration, Posts in Shqip dhe u etiketua si nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

2 mendime mbi “Parlamenti i 1991-shit: Pronat, Ligji 7501 u kalua pa votimin final

  1. Ligji per token 7501 aprovuar simbas mentalitetit komuniste ,vazhdon te ekzistoje dhe te mbrohet me programe partish ,nga pushtetar te pa afte e te implikuar dhe nga nje klase politike e pa pergjegjshme,cka do te thote se:
    Me kushtetute ceshtja e pronave konsiderohet e zgjidhur, ndersa partite qe kane qene ne pushtet jo vetem qe nuke kane permbushur detyrimin kushtetues por e kane zvendesuar ate /kushtetuten/ me programet e tyre elektorale per ruajtjen e ekzistences se pushtetit dhe perfitimeve abuzive ndaj pronave ?
    Komplikimi i ceshtjeve ne fjale /pronave/ pasoje dhe e njeanshmerise se Presidenteve qe jane betuar per zbatimin dhe respektimin e kushtetutes si dhe Gjykates Kushtetuese …?!
    Ne pergjithsim te ktij realiteti duhet te jete Presidenti qe ti kerkoje Gjykatave qe kane aprovuar partite politike ,qe ti detyroje te heqin nga programet e tyre ceshtjen e pronave mbasi bien ndesh me kushtetuten?

  2. Te nderuar Gazetare Artikullshkrues ,Ate ligj pacavure qe e prodhuan ata politikane-sherbetore te agjenturave te huaja, POPULLI e flaku ne koshin e plehrave me referendum mbarekombetar. Ai shtet dhe ata Presidente e kryeministra qw nuk zbatojne kushtetuten e vendit qe e votoi mbare Populli Shqipetar, nuk ndryshojne asnje grime nga ata qe e bene Ligjin 7501 dhe njeri pas tjeterit e mbajne forcerisht ne fuqi, duke shkelur kushtetuten, qe te mund te vazhdojne hajduterite dhe uzurpimet e pronave te te tjereve. Por populli ka nje pergjegjesi dy fish me te madhe, qe e len ne pushtet banden e hajduteve qe nuk u ngopen me Thesarin e Shtetit qe e shteruan, por duan te na marrin edhe……..

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s