Duhet të nisin hetimet për prejardhjen e pasurisë së kryekomunarëve, që janë kthyer në bejlerët e Tiranës?

Botuar në Gazetën Telegraf më 08/04/2014

Pronarë vilash, pallatesh e tokash pafund. Heshtin qeveritarë të Majtë e të Djathtë, ndërsa drejtësia nuk guxon të hetojë!

Nuk është e nevojshme që të kërkohen llogaritë bankare, pasi pasuria e kryekomunarëve që administrojnë territore rreth kryeqytetit, duket në ‘dritë të diellit’ dhe është një pasuri që do e kishin zili deri dhe sheikë të vendeve arabe. Tashmë, vila, blloqe apartamentesh, toka të shumta e të tjera pasuri, ose janë legalisht në emër të tyre, të familjarëve, ose në emër të njerëzve të tretë për maskim. Këto pasuri mund t’i gjesh fare lehtë në territore, ku komandojnë vetë këta kryekomunarë si në Komunën e Dajtit, të Farkës, Kasharit, Ndroqit etj…, por dhe në territore të tjera si në zemër të Tiranës e në bregdet. Për paradoks, shumica e tyre (për të mos thënë të gjithë), kanë në detyrën e kryekomunarit nga tre, katër apo më shumë mandate… Sipas disa publikimeve në medie e burimeve të sigurta të gazetës “Telegraf” në institucionin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, “qoftë dhe deklarimi i tyre zyrtar për burimet e pasurisë, normalisht nuk përligjet me të ardhurat e funksionit që ata kryejnë”.

Por ata që duhet të veprojnë, të zbatojnë ligjin, organet përgjegjëse, nuk ndjehen. Ndërkohë, krerët e lartë të politikës, të Majtë e të Djathtë dhe publikisht në media, kur nuk u kanë ardhur pas avazit, nuk kanë munguar t’i kërcënojnë hapur “Pa na trego ku i gjete paratë për vilat e pallatet, pastaj fol!”. Por vetëm kaq, pasi ministra e kryeministra, ata që ishin e ata që vijnë, kanë pjesën apo interesin e tyre në këtë ‘liri pa kufi’ të kryekomunarëve të periferisë së Tiranës, bejlerë-milionerë! Është absurd dhe kompromentuese në këtë skandal heshtja e organeve të drejtësisë, prokurorisë…. Nuk është vështirë të vërtetohen abuzimet me detyrën, përfitimet me tenderat e rrugëve e objekteve nga këta kryekomunarë… Nuk duan, nuk dinë, kanë frikë apo mund të  kenë gëlltitur dhe ata “një lugë çorbe të prishur”…..

ABUZIMET E KRYEKOMUNARËVE

Një sërë dokumentesh zyrtare, disa investigime të “Telegraf”, disa informacione në redaksi nga qytetarë të ndryshëm, flasin qartë për disa nga abuzimet skandaloze të kryekomunarëve të territoreve në periferi të kryeqytetit. Së pari, abuzimet në fushën e ndërtimit. Këtu nuk bëhet fjalë për vilat (dhe me pishina) apo apartamentet në pronësi të tyre apo të familjarëve, ndonëse pa u bërë kryekomunarë, kishin një shtëpi fshati apo jetonin dhe me qira. Por bëhet fjalë për masakrën në dhënien e lejeve të ndërtimit në territoret administrative, ku janë vetë kryevendor. Në të gjithë zonat periferike, sipas planit urbanistik të miratuar e kërkesave të ligjit përkatës, ndërtimet në gjithë territorin në periferi të kryeqytetit, duhet të jenë një e dykatëshe, pra vila banimi… Por, në fakt, pallatet e dhëna nga këta kryekomunarë janë deri në 10, 12 e 15 kate! Është një masakër urbane e mjedisore, një sfidë e hapur që i bëhet ligjit… E të thuash që këto shkelje flagrante bëhen për ‘bamirësi’ (mos harrojmë, sanksionet ligjore në këtë fushë janë të rënda), pra pa interes. Pak kush e beson që këta kryekomunarë, në këmbim të një leje ndërtimi të mos jenë joshur nga përfitimi personal. Në Selitë, në vend të vilave, pallatet shumëkatësh çajnë qiellin… Tek Kopshti Botanik (nën e mbi ‘të), tek ai zoologjik, në Sauk, në Selitë, në Farkë, në Dajt e kudo, e njëjta situatë. “Kreu komunës sonë, që ka familjarë deputet e njerëz në qeveri, që ka mandatin e katërt, është bërë miliarder nga abuzimet e pazaret me ndërtimet. Dhënë lejë ndërtimi ndërtuesve, ka marr para, apartamente e dyqane. Ka blerë disa hektarë tokë fshatarëve, e shumicën i ka kthyer apo po i kthen në sheshe ndërtimi”,-shkruan në letrën e tij një qytetar. Së dyti, përfitimet marramendëse të kryekomunarëve ka ardhur nga abuzimet me rrugë. Janë me dhjetëra projekte në infrastrukturë të financuara nga Buxheti i Shtetit apo donatorë të ndryshëm në territoret e komunave periferike të kryeqytetit. Po si janë ndërtuar ato? Jo vetëm janë bërë shkel e shko, me abuzime të hapura nga shmangia e projekteve, por është abuzuar me fuqinë punëtore. Kështu, forca e mjete të firmave që ndërtojnë në territoret e tyre pallate, janë aktivizuar dhe kanë ndërtuar segmentet rrugore. Kuptohet se, ku kanë shkuar paratë…. Së treti, abuzimi me taksat. Për këtë fakt dhe të tjera abuzime, ka dhe denoncime konkrete në organet e drejtësisë. Por në fakt, asnjë hetim, gjykim apo përgjegjësi tjetër ligjore deri tani!

HETIMI PËR SKANDALET

Zyrtarisht, deri tani, as nga Deklarimi e Kontrolli i Pasurive, as nga Prokuroria nuk ka një hap ligjor për verifikimin e pasurive të Kryekomunarëve milionerë të periferive të kryeqytetit. Edhe në Parlamentin shqiptar, ku deputetët nuk lenë pa sharë e fyer njëri-tjetrin për çfarëdo problemi, kur vjen puna tek një kërkesë ligjore (komision parlamentar apo denoncim), u ‘mbyllet’ goja! Ndërkohë, qindra mijëra banorë, që vuajnë dhe për bukën e gojës e shumë janë pa strehë, shohin me sy çdo ditë se si majmen kryekomunarët agallarë. Po Prokuroria pse hesht? Përse nuk kërkon hetim të plotë dhe përgjegjësi për shkeljet e shumëpërfolura? Çfarë duhet të bëhet tjetër në tokat e territoret periferike që e kanë kryer Tiranën e periferinë në një geto? A do e bëjnë një ditë? Le të shpresohet!!! Gazeta “Telegraf” ka një serë dokumentesh e letrash të qytetarëve lidhur me sa më sipër, me emra konkretë, pasuri konkrete të kryevendorëve dhe po i pasuron dhe investigon më tej. Sot, redaksia e gazetës mendoi të bëjë prezent për lexuesin këtë skandal, me shpresën e sensibilizimit që organet përgjegjëse, të marrin hapat ligjorë në këtë drejtim.


Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.

Ky zë u postua te Albanian Authorities, Posts in Shqip dhe u etiketua si , , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

1 mendim mbi “Duhet të nisin hetimet për prejardhjen e pasurisë së kryekomunarëve, që janë kthyer në bejlerët e Tiranës?

  1. ky eshte sitsem kleptokratik dhe ato qe quhen parti jane klane qe jane vetequajtur parti. Kane 23 vjet qe po vjedhin shtetin dhe qytetaret . Me fondet e Evropes dhe SHBA perfshi FMN B.Boterore USAID, eshte konsoliduar mafia e pronave. Ky eshte shkaku pse askush nuk e prek temen e prones tek i zoti

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s