Sequi: Prona, prioriteti për anëtarësimin në BE

Botuar në Gazetën Telegraf më 04/03/2014

Përgjigjja e Kreut të Delegacionit të BE-së, z. Ettore Sequi për pronarët

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi si dhe Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle u shprehën në dhjetor se, “nuk do ketë kushte shtesë për Shqipërinë”, kur u shty për në qershor, marrja e statusit të vendit kandidat në BE për Shqipërinë. Ende nuk kemi një version zyrtar për sprapsjen e herëpashershme të statusit kandidat për në BE, pasi shumica e detyrave lënë qeverisë shqiptare në një farë mënyre janë plotësuar. E vetmja gjë që ka mbetur e paplotësuar dhe në vend të progresit ka bërë regres, është problemi i pronës. Ndaj dhe pronarët gjithnjë e më shumë i janë drejtuar BE-së për çështjen e pronës, në mënyrë që të ushtrojë presion mbi qeverinë shqiptare për të zgjidhur një herë e mirë këtë çështje, sipas të drejtës universale të pronësisë. Në kuadër të kësaj është dhe letra e pronarëve, drejtuar ambasadorit të BE-së në Tiranë.

Përgjigjja e Kreut të Delegacionit të BE-së, z. Ettore Sequi për pronarët, tregon se një nga 5 prioritet për aplikimin e Shqipërisë në BE është pikërisht çështja e pronës, gjë që të risjell ndërmend edhe një herë deklarimin e tij se Shqipëria na i paska plotësuar kushtet dhe statusi kandidat për të është thjesht çështje kohe.

Letra e plotë e Ettore Sequi, drejtuar pronarëve

Të nderuar Zotërinj,

Ju faleminderit për letrën e 3 shkurt 2014, që sjell në vëmendjen time shqetësimet tuaja mbi gjendjen e të drejtave të pronësisë në Shqipëri dhe më saktë të kthimit dhe kompensimit të pronës.

Komisioni Europian i kushton rëndësi të veçantë çështjes që lidhet me të drejtat e pronësisë. Siç e dini, kjo çështje është ndër 5 prioritetet kryesore të theksuara në Opinion e 2013-s mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, të cilat duhet të plotësohen nga autoritetet kombëtare përpara se, Komisioni të mund të propozojë fillimin e negociatave.

Raport Progresi i Komisionit Europian 2013 për Shqipërinë arriti në përfundimin se:

“Përpjekje të mëdha dhe sistematike janë të nevojshme për të adresuar problemet e vazhdueshme në fushën e të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave, kompensimi dhe ndërtimet e paligjshme janë çështje që duhet të trajtohen. Shqipëria duhet të miratojë dhe të komunikojë një plan të besueshëm për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut mbi të drejtat e pronësisë”.

Delegacioni i BE-së i ka inkurajuar autoritetet shqiptare për të aplikuar zgjidhje të drejtë dhe efikase për çështjet e pronës dhe do të vazhdojë të bëjë kështu. Në këtë kuptim, letra juaj është shumë e dobishme. Unë mund të konfirmoj se ofrimi i ndihmës së mëtejshme teknike për Qeverinë shqiptare për të forcuar sigurinë ligjore të titujve të pronësisë dhe për të zhdukur informalitetin  dhe rreziku i praktikave korruptive është parashikuar në programin me fondet IPA 2013.

Ne jemi duke monitoruar nga afër mënyrën sesi autoritetet shqiptare adresojnë çështjen e të drejtave të pronësisë dhe do të vazhdojë të reflektojë progresin dhe sfidat në progres raportin e vendit përpara Parlamentit dhe Këshillit Europian.

Juaji sinqerisht,

Ettore Sequi

Afatet për zgjidhjen e të drejtës së pronësisë

Pesë marsi (nesër) është data e fundit, e vendosur si kufiri kohor për qeverinë shqiptare për të informuar mbi zgjidhjen në mirëkuptim të çështjes së pronarëve shqiptarë që kanë fituar paditë kundër shtetit në gjykatën e Strasburgut.

Zgjidhja me mirëkuptim

Në letrën dërguar pronarëve, Strasburgu bën me dije se i ka lënë një afat qeverisë shqiptare për të bërë të ditur vendimin për zgjidhjen në mirëkuptim të vendimit gjyqësor, dhe se pronarët do mund të bëjnë komentet e tyre mbi propozimin e bërë nga shteti. “Qeverisë i është dhënë një afat (05/03/2014) për të shfaqur qëndrimin e saj lidhur me zgjidhjen në mirëkuptim të çështjes suaj, si dhe të shfaqë çdo propozim që mund të ketë lidhur me të. Në rast se qeveria do të bëjë propozime të tilla, juve do të keni mundësinë të bëni komentet tuaja lidhur me to”, këshillon përmes dokumentit gjykata e Strasburgut.

Vërejtjet

Strasburgu instrukton pronarët për mënyrën si duhet të veprojnë në rast se qeveria vendos të mos i drejtohet mirëkuptimit për zgjidhjen e çështjeve. “Në rast se palët nuk bien dakord, qeverisë, nëse e kërkon këtë, i është përcaktuar një afat (02/05/2014) për të paraqitur vërejtjet e veta. Pas përfundimit të afatit të qeverisë, vërejtjet e qeverisë, nëse ka, do t’ju dërgohen juve vetëm sa për informacion. Në çdo rast, ju do keni mundësi të bëni vërejtjet tuaja brenda gjashtë javësh”, thekson në letër gjykata e Strasburgut. Më tej, gjykata i njofton të interesuarit se duhet medoemos të paraqesin vërejtjet e tyre lidhur me qëndrimin e qeverisë, në të kundërt ajo do ta konsiderojë këtë si heqje dorë nga çështja.


Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.

Ky zë u postua te Albanian Authorities, European Court of Human Rights, European Integration, Posts in Shqip, Uncategorized dhe u etiketua si , , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s