Botuar në gazetën Shekulli, më 25.02.2014, nga Suela Topi
Ligjvënësit socialistë kundërshtojnë propozimin e republikanit Fatmir Mediu për kthimin e tokave bregdetare tek ish pronarët. Komisioni i Ligjeve shqyrtoi dje nismën kreut të Partisë Republikane për ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, të ndryshuar.
Sipas Mediut zbatimi i kësaj nisme do të ulë faturën financiare që do të nevojitej për kompensimin e pronarëve të zonave bregdetare. Por deputeti socialist, Armando Subashi, i caktuar si relator për këtë draft, deklaroi se projektligji nuk ka një faturë financiare siç kërkon Kushtetuta, si dhe tejkalon objektin e ligjit që do të ndryshojë.
Diskutimet
“Qëllimi i këtij projektligji është të përmirësojë situatën për kthimin e pronave për pronarët legjitim tokat e të cilëve përfshihen në vendndodhjen në zonat e parashikuara me ligj të posaçëm për zonat e zhvillimit të turizmit. Nga ana tjetër kjo do të ndikonte në mënyrë të ndjeshme në uljen e faturës financiare, sipas gjykimit tonë, sepse tenton drejt kthimit fizik, duke ulur kështu koston, faturën financiare të qeverisë për kompensim financiar të pronarëve. Çështja mbi tokën në bregdet ka 20 vjet që nuk zgjidhet dhe aktualisht ndodhet në një ngërç të shkaktuar për vite të tëra, edhe nga zbatimi i ligjit 7501”, – tha Mediu në prezantim të amendimit të tij.
Por sipas Subashit, drafti sjell përplasje. “Ky amendim kërkon që të ngatërrojë ose të përplasë ligjin 7501 në zbatimin që ai ka pasur në praktikë, me pjesën tjetër të legjislacionit që ka të bëjë me kthimin dhe kompensimin e pronave të ish-pronarëve. Nuk do ta përjashtoja mundësinë që zbatimi i ligjit 7501 mund të ketë probleme në terren, mund të ketë probleme në raport me mënyrën sesi mund të jenë shpërndarë titujt e pronësisë, me mosfirmosjen apo me mos vulosjen e titujve të caktuar, me ndarjen e sipërfaqes që i ka takuar çdo familje bujqësore për frymë. Pavarësisht problemeve që ligji mund të ketë pasur në zbatimin e vet, sigurisht kjo nuk do të ishte arsye, mendoj unë, e mjaftueshme ligjore, që ne ta kundërshtonim totalisht zbatimin e 7501-shit”, – tha ai. Më tej nëpërmjet relacionit të tij, Subashi solli në vëmendje dhe qëndrimin e Qeverisë lidhur me amendimin.
“Objekti i ligjit 8053, datë 21.12.1995 është rregullimi ligjor i kalimit në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore familjeve bujqësore ose individëve që e kanë atë në përdorim, kështu që termi “pronat e shtetëzuara” e bën që amendamenti të kalojë objektin e ligjit në fjalë dhe të prekë objektin e ligjit 9235 datë 29.07.2004 “Për kthimin e kompensimin e pronës”, – thuhet në shkresën e Qeverisë dërguar Kuvendit më datë 17.2.2014. Argumenti i dytë kundër sjell në vëmendje se procesi i verifikimit të titujve të pronësisë përfundon më 30.6.2016 sipas afatit të fundit të shtyrë nga Kuvendi.
“Verifikimi i mosrespektimit të kritereve është objekt i ligjit nr.9948 datë 7.7.2008 “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë”, i cili me nenin 1 pika 1 parashikon që “Ky ligj ka për qëllim të përcaktojë shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore””, – citon Subashi argumentin e Këshillit të Ministrave. Ndërsa shton më tej se, propozimi duhet të ishte shoqëruar me faturë financiare në të cilën të pasqyrohej efekti financiar, mënyra e përllogaritjes, burimet e financimit si dhe periudha e shtrirjes së efekteve. Kjo sipas detyrimeve të përcaktuara në nenin 82, pika 1 të Kushtetutës, “Propozimi i ligjeve kur është rasti duhet të shoqërohet kurdoherë me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij”.
“Në përfundim të relacionit tim, nisur edhe nga argumentet e Këshillit të Ministrave se amendamenti tejkalon objektin e ligjit nr. 8053 dhe se ky amendament mund të kufizojë grupin e subjekteve përfituese duke parashikuar zbatimin e tij vetëm në një zonë të caktuar dhe jo për të gjithë hapësirën me përparësi turizmin, në cilësinë e relatorit ftoj anëtarët e komisionit t’i propozojnë Kuvendit të Shqipërisë mosmiratimin e projektligjit”, – sugjeroi Subashi. Për shkak dhe të amendimeve të ndryshime në legjislacionin e pronës Komisioni i Ligjeve vendosi shtyrjen e vendimit për këtë amendim të republikanit Mediu.
Propozimi i Mediut për ndryshimin e ligjit
Nisma e deputetit, Fatmir Mediu parashikon ndryshime në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, të ndryshuar. Sipas relacionit të përgatitur p/ligji nuk ka asnjë efekt negativ në buxhetin e shtetit. Ai realizohet pa shpenzime shtesë nga Agjencia e Kthimit e Kompensimit Pronave dhe zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. “Zbatimi i tij ul faturën financiare që do të nevojitej për kompensimin e pronarëve të këtyre zonave, e cila bazuar në çmimet mesatare të miratuara për këtë zone, shkon në rreth 74 milion euro, ndërsa me çmimet mesatare të tregut të lirë në rreth 2 miliard euro.
Në zbatim të këtij p/ligji, kompensimi financiar mund të bëhet vetëm për ata persona apo familje që kanë marrë padrejtësisht pronat e pronarëve të ligjshëm, ndërsa pronareve të ligjshëm u kthehet toka e trashëguar. Nga ana tjetër ky projektligj do t’i japë përparësi zhvillimit të turizmit në zonën bregdetare, në përputhje me masterplanin e zhvillimit të kësaj zone, duke ndikuar fuqimisht në rritjen e të ardhurave në buxhetin e shtetit”, – argumentohet në relacion.
Sipas mendimit tim z.Mediu i kishte te gjitha mundesite duke ushtruar presionin e nevojshem, qofte edhe me prishjen e koalicionit qeveritar kur ishte ne mazhorance ,sepse kemi te bejme me nje nga te drejtat themelore te njeriut siç eshte ajo e prones.Keto qe hedh ai tani jane shashka dhe kerkon te pakten te mbaje veten ne politike, duke luajtur akoma me kete “karte” ne kuriz te pronareve te vertete.Keto jane turpe te ketyre politikaneve te cilet na kane rene per pjese ne shqiptareve.
Shumë dakort me ju – z. Mediu i ka pasur të gjitha mundësitë të ushtrojë presionin e nevojshëm edhe më herët. Politikanët duhet të japin llogari vazhdimisht dhe jo t’i përdorin problemet si ky i pronës për tu mbajtur në pushtet.