Botuar në gazetën Rilindja Demokratike, nga Enton Doçi, 23 Shkurt 2014
Besi Shehi, pronari i tokës ku po ndërtohet pallati në rërë ka reaguar përmes një reagimi në Facebook. Ai shprehet se, toka ku Dako ka dhënë lejen për ndërtimin e një pallati shtatë katësh është dhënë si kompensim për një tjetër pronë që pronari në fjalë ka pasur në qendër të Durrësit. “Ajo tokë më është dhënë kompensim për tokën që ishte e imja në qendër të Durrësit dhe është brenda vijës së caktuar nga Bashkia për të ndërtuar. Është godina më e vogël që ekziston në plazh. Çdo gjë është bërë me leje dhe brenda rregullave”, shprehet Shehi, pronari i kësaj toke.
Gazeta nuk ka asgjë me pronarin e tokës. Ai është një pronar që pret të pronësohet si mijëra e mijëra pronarë të tjerë. Por, mekanizmi si ka funksionuar ky kompensim është një aferë e pastër korruptive. Dako ka gjetur rrugën më të shkurtër për t’u bërë aksioner në këtë ndërtim. Ai ka shfrytëzuar statusin e pronarit në qytet për njeriun në fjalë dhe më pas e ka kompensuar me rërën dhe detin. Pyetja që shtrohet është se a ka të drejtë Dako të kompensojë? Kjo është e para.
Dhe e dyta. Me çfarë të drejte Dako kompenson një pronar me rërën dhe detin në Durrës? A është e ligjshme të jepet si kompensim rëra dhe deti?
Është një rast i rrallë në botë të dëgjosh se një kryebashkiak i jep të drejtën vetes që të kompensojë pronarët me sipërfaqe në plazh në rërë dhe det. Kryetari i Bashkisë në të gjitha ligjet e këtij vendi të paktën përgjatë këtyre 9 viteve të fundit ka pasur të drejtën e kompensimit.
Strategjia e qeverisë së mëparshme ishte që më parë se të niste kompensimi do të krijohej fondi për kompensimin e pronarëve dhe më pas do të përcaktohej edhe mënyra se si do të bëhej ky kompensim.
Sipas pronarit të tokës në plazh dhe mbi rërë, na rezultoka se Dako i paska nisur kompensimet për pronarët, duke u dhënë pjesë nga rëra dhe nga deti i Durrësit.
Ndoshta duhet të ketë ndonjë ligj të veçantë Dako, i cili e shpall atë dhe Bashkinë që drejton pronare të rërës dhe detit.
Ditët e ardhshme ndoshta do të njihemi me arte të tjera që mund të thonë se kemi marrë kompensim nga Dako për të ndërtuar mbi det dhe në të gjithë vijën bregdetare të Durrësit.
Rasti në fjalë është një rast i pastër korrupsioni.
Dako ka abuzuar me postin e tij dhe ka nisur një procedurë kompensimi, duke parashikuar më parë edhe përfituesit. Pronari i tokës në fjalë, i cili nuk rezulton të jetë fitues i është ofruar përqindja në këtë ndërtim. Pronarët e vërtetë të ndërtimit janë Dako dhe ministri i Ramës. Të dy këta kanë ndarë përqindjen më të madhe të përfitimit nga ky ndërtim. Ministri me firmën e tij të ndërtimit merr përsipër ngritjen e pallatit, ndërsa Dako ka marrë përsipër dokumentimin e ndërtimit.
Dako rezulton të jetë një nga zaptuesit më të mëdhenj të trojeve në qytetin e Durrësit.
Aktualisht, ai ka në ndërtim dy pallate nëntë katëshe në troje publike.
E keqja nuk është vetëm tek Dako. Pushteti për këtë bandë që ka sot qeverinë duhet përdorur vetëm për të vjedhur pasuritë e shqiptarëve. Atë që Dako dhe ministri po e bëjnë me këtë ndërtim në vijën e parë të plazhit të Durrësit, Rama e ka bërë për 10 vite në Bashkinë e Tiranës dhe e rinisur biznesin nga Lungomarja në Vlorë, pronar i së cilës rezulton të jetë vetë ai.