Shqetësim serioz për ritmin shumë të ngadaltë të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë

Këshilli i Evropës botoi muajin e kaluar një raport të komisionerit për të drejtat e njeriut i Këshillit të Evropës, Nils Muižnieks. Raporti 26 faqesh është një pasqyrë e problematikës së të drejtave të njeriut në Shqipëri dhe është hartuar në vijim të një vizite që komisioneri kreu në Shqipëri në Shtator 2013.

Në lidhje me pronat, Komisioneri sheh me shqetësim serioz ritmin shumë të ngadaltë të ekzekutimit të vendimeve të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë nga ana e Shqipërisë, veçanërisht të atyre që lidhen me moszbatimin e vendimeve të gjykatave të brendshme apo të vendimeve administrative, duke përfshirë edhe vendimin pilot për çështjen Manushaqe Puto.

Ai thekson se është tejet e rëndësishme për shtetin ligjor në Shqipëri që të gjitha vendimet e Gjykatës të ekzekutohen në mënyrë të shpejtë, të plotë dhe të efektshme. Për sa i takon problemit të vazhdueshëm të tejzgjatjes së proceseve gjyqësore, autoritetet inkurajohen që të marrin të gjitha masat e nevojshme për të adresuar në mënyrë të efektshme problemet ende të pazgjidhura në këtë kontekst, si dhe të krijojnë një mjet të brendshëm efektiv, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës.

Në lidhje me mos-zbatimin e vendimeve të Strasburgut

Deri në shtator 2013, në Gjykatë ishin në pritje për t’u shqyrtuar 413 aplikime kundër Shqipërisë. Megjithëse numri i aplikimeve në pritje nuk është domethënës në krahasim me shtetet e tjera, anëtare të Këshillit të Evropës, mosekzekutimi i shpejtë i vendimeve të Gjykatës mund të sjellë si pasojë një numër më të madh aplikimesh në Strasburg. Në vendimin pilot për çështjen Manushaqe Puto dhe të tjerë (shih më poshtë), Gjykata është shprehur se “duke pasur parasysh numrin e çështjeve të ngjashme në pritje të shqyrtimit nga Gjykata si dhe statistikat e dhëna nga qeveria, Gjykata është tepër e shqetësuar se numri i regjistrimeve të aplikimeve të bazuara mund të rritet, duke krijuar, kësisoj, një rrezik të madh për efektshmërinë e makinerisë së Konventës në të ardhmen”.

Në lidhje me mosekzekutimin e vendimeve të brendshme dhe konfiskimin e pronës gjatë regjimit komunist

  • Komisioneri sjell në vëmendje se mosekzekutimi nga autoritetet kombëtare i vendimeve të gjykatave përbën shkelje të së drejtës për proces të rregullt, të mishëruar në Nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.  Në vendimin Hornsby kundër Greqisë, Gjykata u shpreh se “e drejta për proces të rregullt ë…] do të ishte iluzore nëse sistemi ligjor i shtetit kontraktues do të lejonte që të mos vihej në zbatim një vendim gjyqësor i formës së prerë dhe i detyrueshëm, duke sjellë dëmtimin e njërës prej palëve”.
  • Komisioneri vëren me shqetësim praninë e një problemi strukturor që ekziston prej kohësh në sistemin e drejtësisë shqiptare, që ka të bëjë me moszbatimin e vendimeve të formës së prerë të marra nga gjykatat e brendshme si dhe të vendimeve administrative që lidhen me kompensimin dhe rikthimin e pasurive të konfiskuara gjatë regjimit komunist. Ky problem është identifikuar në disa vendime të Gjykatës, njëri prej të cilëve lidhet me çështjen  Beshiri[1], në të cilën Gjykata gjeti shkelje të Nenit 1, Protokollit 1 të KEDNJ-së, për shkak të moszbatimit, nga ana e autoriteteve, të vendimeve që u njihnin ankuesve të drejtën e kompensimit për pronën e të atit, të shtetëzuar gjatë regjimit komunist. Në këtë vendim Gjykata theksoi se në rastet e ekzekutimit të një vendimi i cili urdhëron shtetin të kryejë një pagesë, personit në favor të të cilit është marrë vendimi, nuk duhet t’i kërkohet të nisë procedura për ekzekutimin e vendimit me qëllim që të marrë shumën e përcaktuar.
  • Për shkak se autoritetet kanë dështuar në ekzekutimin e një numri vendimesh që lidhen me këtë problem, në 31 korrik 2012 Gjykata mori një vendim pilot për çështjen Manushaqe Puto dhe të tjerë. Gjykata vuri në dukje se për këtë çështje iu desh të aplikonte procedurën për vendimet pilot, duke pasur parasysh numrin e madh të problemeve që ka mekanizmi i kompensimit dhe që mbeten të pazgjidhura edhe pas vendimeve të mëparshme mbi të njëjtën temë. Gjykata mori në shqyrtim të gjitha masat që kishin ndërmarrë autoritetet shqiptare për ekzekutimin e këtyre vendimeve dhe renditi masat që duhet të merreshin në një kontekst të tillë. Duke mbajtur parasysh barrën e konsiderueshme  që do të sillte kompensimi financiar në buxhetin e shtetit, Gjykata i nxiti autoritetet të fillonin të përdornin forma alternative të “kompensimit”, të parashikuara në ligjin përkatës,[2] çka do të ulte trysninë në buxhet dhe/ose do të sillte edhe metoda të tjera të kompensimit.
  • Gjykata ka theksuar, gjithashtu, rëndësinë e vendosjes së afateve realiste, statutore dhe të detyrueshme për secilin nga hapat e procesit të “kompensimit” dhe ka bërë thirrje që të sigurohen burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore në institucionet e ndryshme shtetërore. Gjykata kërkoi ngritjen e një mekanizmi të efektshëm kompensimi brenda një periudhe 18 mujore, pra deri në 17 qershor 2014.
  • Në rezolutën e ndërmjetme, CM/ResDH(2013)115, miratuar në qershor 2013, Komiteti i Ministrave u bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të hartojnë me prioritet maksimal një plan veprimi, i cili do të mundësonte ngritjen, brenda afateve të vendosura nga Gjykata, të një mekanizmi kompensimi efektiv, duke mbajtur parasysh edhe masat e indentifikuara tashmë. Miratimi i kësaj resolute të ndërmjetme erdhi si pasojë e mospërmbushjes nga ana e autoriteteve shqiptare të detyrimit për paraqitjen e një plani veprimi të konsoliduar dhe të përditësuar në lidhje me ekzekutimin e vendimeve përkatëse. KM arriti në përfundimin se finalizimi i hartës së vlerës së tokës ishte e vetmja masë e ndërmarrë nga qeveria. Deri në tetor 2013 Komiteti i Ministrave nuk kishte marrë asnjë informacion të saktë mbi numrin e vendimeve administrative dhe gjyqësore të formës së prerë që duhet të ekzekutohen, koston e ekzekutimit të tyre dhe burimet e nevojshme. Po kështu, asnjë plan veprimi nuk është dorëzuar në KM.

Rekomandim

Si përfundim komisjoneri jep rekomandimin e mësposhtëm:

Mosekzekutimi i vendimeve të gjykatave të brendshme dhe atyre administrative mbetet ende një problem shumë serioz që pengon eficiencën e sistemit gjyqësor dhe që godet sundimin e ligjit në Shqipëri. Në një numër vendimesh të dhëna nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut kundër Shqipërisë janë konstatuar shkelje të Konventës për shkak të mosekzekutimit të vendimeve të gjykatave të brendshme dhe atyre administrative, ku përfshihet edhe vendimi pilot për çështjen Manushaqe Puto dhe të tjerë. Në këtë kontekst Komisioneri kujton Rekomandimin Rec(2003)17 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi zbatimin dhe Rekomandimin CM/Rec(2008)2 mbi kapacitetet e brendshme eficiente për ekzekutimin e shpejtë të vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe nxit autoritetet që, në mënyrë të menjëhershme, të ndërmarrin të gjitha masat që do të siguronin zbatim të efektshëm të vendimeve të gjykatave të brendshme dhe atyre administrative.

Versioni i plotë i raportit: shqip, anglisht.


[1]Vendim i 22 gushtit 2006.

[2]Ligji për Pronat i vitit 2004, parashikon kthimin e pasurive të paluajtshme urbane të cilat janë shpronësuar, shtetëzuar apo konfiskuar pas 29 nëntorit 1944. Ai përcakton gjashtë forma “kompensimi” në rastet kur kthimi fizik i pronës është i pamundur : (a) me pronë e të njëjtit lloj; (b) me pronë publike në zonat turistike; (c) me pronë të çdo lloji tjetër; (d) me aksione në kompani me pronësi shtetërore; (e) me vlerën e pronës objekt privatizimi, dhe (f) shumë monetare që korrespondon me vlerën e pronës në kohën e marrjes së vendimit

Ky zë u postua te Albanian Authorities, European Court of Human Rights, European Integration, Posts in Shqip, Uncategorized dhe u etiketua si , , , , , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s