Pronat, KiE i “shtrëngon” lakun qeverisë: Të hartohet planveprimi konkret!

Botuar në Gazetën Telegraf më 17/02/2014

Pronarët gjithnjë e më shumë drejt Strasburgut, asnjë mekanizëm për zgjidhjen e problemit brenda vendit

Deri më sot statusi kandidat për në BE është prapsur për shkaqe të ndryshme, shumica e të cilave në një farë mënyre janë plotësuar. Ajo që ka mbetur e paplotësuar dhe në vend të progresit ka bërë edhe regres, është problemi i pronës. Prona është penguar për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe për interesa të vogla të personave që kanë abuzuar me pushtetin.  Në shkrime të mëparshme në gazetën “Telegraf”, kemi trajtuar mendimin se, mosekzekutimi i vendimeve të GJEDNJ tregon mungesë të seriozitetit, mungesë të shtetit ligjor dhe mohim të garancive juridike dhe Komiteti i Ministrave i KE-së nuk mund të tolerojë faktin se, vendimet e Gjykatës së Strasburgut ende nuk janë ekzekutuar, ku ka edhe raste skandaloze tashmë të bëra problem, kur vendimi e GjEDNJ nuk është ekzekutuar fare dhe Avokati i Shtetit i kohës ka raportuar se vendimi është ekzekutuar. Po ashtu janë dhe disa vendime të GJEDNJ të ekzekutuara në mënyrë të pjesshme, të cilat duhet të ekzekutohen konform normave ligjore. Problem tjetër që kërkon seriozitet dhe veprim aktiv nga Kryeministri Edi Rama është fakti se, pronarët gjithnjë e më shumë po i drejtohen Strasburgut, ndërkohë që, nuk ka asnjë mekanizëm për zgjidhjen e problemit brenda vendit.

KiE në AKKP për pronat

Delegacioni i KiE-së me përfaqësuesit znj. Corinne Amat, Drejtore e Përgjithshme e Ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ, znj.Lucja Miara, eksperte e Departamentit, znj. Laura Lelciu, eksperte nga Rumania e Departamentit, si dhe Avokatja e Shtetit Alma Hicka, zhvilloi një takim me përfaqësues të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në ambientet e kësaj Agjencie. Takimi i zhvilluar ishte në kuadrin e shkëmbimit të ideve për përmirësimin dhe ecurinë e procesit të kthimit dhe Kompensimit të Pronave, një proces ky i zvarritur prej vitesh si dhe hartimin e një plan veprimi konkret nga ana e Qeverisë Shqiptare në lidhje me zbatimin e detyrave të lënë në vendimin pilot të Gjykatës së Strasburgut.

Politikanët që nuk zgjidhin problemin e pronës mbyllin mundësinë për marrjen e statusit

Sipas Ligjit AKKP-ja ka të drejtë për të marrë vendime deri në datë 30 prill 2014. Vetë Drejtor i AKKP-së ka raportuar se në këtë institucion janë rreth 7000 dosje të pashqyrtuara. Logjikisht, kjo kohë nuk del për shqyrtimin e gjithë këtyre dosjeve. Veç kësaj, AKKP ka disa vjet që merr vetëm vendime për kompensim dhe vendimet për kthim fizik që mbeten për t’u deklaruar nga institucioni janë të rralla ose mungojnë. Kompensimi, siç dihet, bëhet me një ligj që nuk përputhet me Kushtetutën dhe po ashtu bie ndesh me rekomandimet e Komisioneri për të drejtat e njeriut të Këshillit të Evropës, Nils Muizhnieks.

Agjencia e Bregdetit

Është krijuar Agjencia e Bregdetit, por efektiviteti i saj pa bashkëpunim me shoqatën “Bregdeti” nuk mund të jetë rezultativ. Investitorët nuk afrohen pa qenë të sigurt për pronësinë e tokës. Pronarët e bregdetit kërkojnë tokat e të parëve dhe jo kompensime, kur kthimi është plotësisht i mundshëm. Shtyrja herë pas here e afateve kohore nuk është e drejtë dhe nuk jep zgjidhje dhe nuk do të pranohet si justifikim as nga Brukseli dhe as nga GJEDNJ. Në këto kushte, shoqatat tradicionale të pronarëve “Pronësi me Drejtësi” dhe “Bregdeti”, duke mos gjetur vullnet politik brenda vendit  kanë sensibilizuar masivisht opinionin ndërkombëtar.

Lidhur me kthimin e pronave në zonën turistike, pronarët kanë sensibilizuar se:

Respektimi i të drejtës së pronës duhet të jetë parakushti që Shqipëria të marrë statusin e kandidatit në BE. Dështimin e Shtetit për kthimin e pronës, konform Kushtetutës, e kanë pranuar zyrtarisht Presidenti i Republikës, kryetari i maxhorancës dhe kryetari i opozitës. Prandaj është e nevojshme korrigjimi urgjent i legjislacionit gjysmak që formalisht e njeh të drejtën e pronës, por praktikisht e mohon kthimin real të pronës tek i zoti.

  1. Padrejtësia nga regjimi i diktaturës komuniste vazhdon të thellohet.
  2. Moskthimi i pronës ka shkak pengesat artificiale ligjore, që bien ndesh me Kushtetutën.
  3. Pa zgjidhjen e drejtë të problemit të pronës është e pamundur anëtarësimi në BE.
  4. Kthimi fizik është zgjidhje në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe pa faturë financiare.
  5. Platforma e kompensimit dhe e legalizimeve, siç po kërkohet nga Qeveria, është e gabuar pasi shkel haptas Nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës dhe, realisht, nuk mund të realizohet as nga pikëpamja financiare as për 1000 vjet.
  6. Të shpronësuarit e Shqipërisë vazhdojnë të jenë viktima të interesave të klaneve dhe prona e tyre vazhdon të jetë e ndarë “për frymë” dhe sipas zërave kadastrale si në asnjë vend tjetër të ish kampit komunist, vetëm e vetëm që të përfitojnë klanet e mafies së trojeve turistike.
  7. Me ligjet ekzistuese Komisioni i kthimit të pronës në Qark (aktualisht të mbyllura) dhe Agjencia Qendrore në Tiranë prej krijimit të saj e deri sot, shpesh ka funksionuar si mekanizëm bllokimi për pronarët dhe lehtësues për vjedhjen e pronarëve të ligjshëm si dhe nxjerrjen e vendimeve sipas interesave klanore dhe proceseve korruptive.
  8. Jemi me vonesë për t’i thënë STOP korrupsionit, grabitjeve, dhe konflikteve që burojnë nga moskthimi i pronës tek i zoti, padrejtësi që vazhdon që prej vitit 1945, padrejtësi që në vitin 2003 u mbrojt nga ambasadori i OSBE-së, nën kujdesin e të cilit u mbrojt aneksi i Ligjit 9235  “Për kthimin dhe kompensimin e pronave”. Ky ligj u miratua në vitin 2004 por justifikonte dhe mbronte Ligjin 7501 pa bërë dallimin në zonat turistike.
  9. Shteti nuk mund të veprojë me dy standarde, ndryshe në krahinat e veriut dhe ndryshe në zonat turistike dhe se konfliktet e krijuara artificialisht në zonat turistike të bregdetit të jugut do të shuhen vetëm kur prona të shkojë tek i zoti, ashtu siç është vepruar thuajse 100% në të gjithë zonat e veriut si Tropojë, Dibër, Pukë. Lezhë, Mat, Kukës, Malësi e Madhe, Krujë dhe pjesërisht në Shkodër, Pogradec e Tepelenë.
  10. Kthimi i pronës tek i zoti, do të jetë faktor për të ulur varfërinë e popullit.
  11. Kthimi i pronës tek i zoti ndërpret arbitraritetin dhe korrupsionin e lartë në KKKP, KRRT ZRPP, AKKP, në gjykata etj., dhe ndërpret shkatërrimin barbar të plantacioneve të ullinjve, agrumeve pemishteve që i japin vlera të veçanta zonave turistike.
  12. Me ligjet aktuale për të mbrojtur interesat klanore, favorizohen konflikte të vazhdueshme dhe vetëgjyqësia që krijon grabitja dhe pushtimi i pronës private. Analiza e Shoqatës Kombëtare të pajtimit të Gjakrave ka raportuar se nga viti 1991 deri 2011 për probleme pronësie janë kryer 8 000 krime dhe vrasje.
  13. Mosrespektimi i titujve të pronësisë shkel kërkesat e Nenit 191 të Dokumentit nr. 11115 datë 20 dhjetor 2006 të Asamblesë Parlamentare të KE.
  14. Ka ardhur koha për plotësimin e kërkesave të  përsëritura të Këshillit të Europës dhe BE, për zgjidhjen e drejtë dhe ligjore të problemit të së drejtës mbi pronën e mohuar.
  15. Legjislacioni aktual dhe moskthimi i pronës tek i zoti, është shkak për nivelet e ulëta të investimeve serioze private të huaja në fushën e turizmit.
  16. Manipulimet dhe abuzimet e Komitetit të Zhvillimit të Turizmit, nëpërmjet aplikimit të titullit “Personi i stimuluar”, dhe AKKP kanë qenë pengesa objektive e moszhvillimit të turizmit për të cilin institucionet e specializuara ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë nga fundi i klasifikimit.
  17. Ligji 7501 realisht është zbatuar vetëm në 23-25 % të sipërfaqes së vendit, por nga Ministria e Bujqësisë është raportuar sikur është zbatuar në mbi 97% të vendit. Ky është deformim me letra i realitetit dhe ky ligj duhet amenduar për pjesët që nuk përputhen me Nenin 181 dhe 41 të Kushtetutës.

Këto dhe pretendime të tjera, pronarët i kanë materializuar në projektligj që sipas tyre nuk ka faturë financiare, përkundrazi e lehtëson barrën e shoqërisë shqiptare dhe të Shtetit për të paguar për transferimet e paligjshme dhe përfitimet e padrejta të pronave në periudhën 1991-2014. Në mënyrë që Shqipëria të marrë statusin, duhet vullneti politik i Kryeministrit Edi Rama për vlerësimin e propozimit që vjen prej shoqërisë civile dhe miratimin e projektligjit në Kuvend me procedurë të shpejtuar.


Marrë nga Gazeta Telegraf: http://gazetatelegraf.com

Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.

Reklama
Ky zë u postua te Albanian Authorities, European Court of Human Rights, European Integration, Posts in Shqip dhe u etiketua me , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s