Publikuar më 26.12.2013 | në Gazetën Shekulli
http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=37388&kat=116
Nga Rrapo Hajredin Danushi/Shoqata e të shpronësuarve “Pronësi me Drejtësi”
Fillimisht shpreh falënderim për shtypin që gjithnjë e më mirë po kryen rolin e tij si pushtet i pavarur dhe boton pa censurë shkrimet dhe opinionet për pronat. Është fakt se shumë qytetarëve agjencia e pronave i ka bërë pronarë, por pa të dhëna arkivore ose me të dhëna jo të plota në vlerë dhe dihet publikisht se pronarët e vërtetë janë gjykatave.
Ka raste kur për të njëjtën pronë ka disa vendime gjykate dhe pronari i vërtetë nuk është asnjeri prej tyre, por një tjetër, që nuk arrin ta fitojë gjyqin dhe arsyet dihen. Lidhur me programin e qeverisë “Rama” për pronat, ne nuk kemi qenë të ftuar dhe as të pranishëm në diskutim siç ka kërkuar OSBE-ja dhe me 15 pikat e programit i lexuam në gazetat e datës 20.12.2013.
Programi ka pasaktësi në themel dhe në bosht pasi shkel Kushtetutën dhe nuk mund të realizojë pronarë të ligjshëm me prona të ligjshme siç shkruhet në pikën e parë. Prandaj i transmetojmë publikisht Kryeministrit dhe hartuesve të programit të qeverisë se ky program përsërit të njëjtat gabime parimore që kanë pasur programet e qeverive të majta dhe të djathta që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën prej 1991 deri në 2013.
Ky program është shumë më i dëmshëm se rreziku nga armët kimike të Sirisë, për të cilat u mërzit ambasadori i SHBA. Zgjidhja e aspektit juridik të pronës mund të ishte realizuar brenda tre muajve të para të qeverisjes. Holanda, Gjermania, Britania e Madhe, Danimarka, Lituania dhe 54 institucione që e kanë të qartë katrahurën e korrupsionit me pronën dhe pasojat e saj, nuk janë shtete me të cilat mund të negociohet dhe t’u premtosh siç bëhet në një fashat para fushatës e zgjedhjeve.
Sali Berisha më 1991 kryesoi pluralizmin dhe instaloi sistemin kleptokratik dhe kontrollin politik mbi sistemin gjyqësor. Për të treguar papërgjegjshmërinë e qeverisë “Berisha” që arrin deri në përpjekjen për të komanduar edhe vendimet e GJEDNJ citojmë letrën ku ai i shkruan Strasburgut : “Në emër të qeverisë shqiptare i kërkojmë Gjykatës Evropiane që ankimet e përmendura të deklarohen si të papranueshme, si dhe të pranohen observacionet e palës shtetërore, duke i adresuar palët ankuese që të përdorin mjetin e brendshëm ligjor efektiv që do të zbatohet për kompensimin financiar në Shqipëri”. Kjo është rruga e gabuar e z. Fatmir Mediu (kryetar i PR) për kompensimin.
Protestat dhe revoltat që dëshiron të mbështesë PD-ja, çdo javë duhet të organizohen për kthimin fizik të pronës tek i zoti dhe nuk duhet të manipulohen për rritjen e fondit të kompensimit. “Lidhur me deklarimin e paraqitur në media, datë 22.12.2013 , pas tryezës se organizuar nga Partia Republikane sikur shoqata “Pronësi me Drejtësi” bashkohet në protestë me shoqatën e të përndjekurve politikë, me shoqërinë civile, me Partinë Republikane etj., deklaroj se dhe qëndrimi i artikuluar nga z. Fatmir Mediu, nuk është aspak qëndrimi i shoqatës “Pronësi me Drejtësi”. Ne nuk do lejojmë që kjo parti që ka premtuar dhe nuk ka bërë gjë, të vazhdojë t’i keqpërdorë kërkesat tona për qëllimet e saj elektorale.
Pjesëmarrja e zotit Agim Toro në atë tryezë është personale. Qeveria e re nuk mund të zbatojë dy standarde, të parin që dikujt i kthen pronën e trashëguar dhe dikujt tjetër nuk ia kthen pronën e tij, sepse me pushtim, korrupsion dhe ligje që nuk përputhen me nenin 181 të Kushtetutën atë pronë e ka përfituar një shtetas tjetër që është pjesë e klaneve të politikës ose është i asaj kategorie që pëlqen përvetësimin e tokës së tjetrit që e ka marrë nga sistemi kleptokratik 1991-2013. Objektivi i shoqatës tonë ka qenë dhe është kthimi fizik i pronës tek i zoti.
Pronari i ligjshëm është subjekti i shpronësuar nga diktatura komuniste dhe i keqtrajtuar si kulak, vetëm sepse kishte një pasuri të fituar me rrugët e drejta, të respektuara historikisht me përpikërinë më të lartë si në moralin dhe traditën shqiptare që nga mesjeta e njohur si Kushtetuta e Shkodrës. Pronarët dhe të përndjekurit janë plaga e shoqërisë shqiptare. Pas vitit 1945 shumë nga pronarët pasi ju konfiskuar pasuria, u diskriminuan si kulakë dhe u futën nëpër burgjet e diktaturës me sebepin e një fjale apo mendimi kritik për sistemin.
Ky objektiv i shoqatës nuk pengon asnjë individ që të kërkojë këtë kompensimin aktual që ofron qeveria për të zëvendësuar kthimin, por shoqata e kundërshton çdo manipulim në emër të shoqatës, çdo djallëzi dhe spekulim të politikanëve 1991-2013 që për të mbushur xhepat e tyre, kanë futur nëpër ligje frymën e shkatërrimit kombëtar.
E përsërisim se mos kthimi fizik i pronës i justifikuar me këtë lloj kompensimi që nuk mbaron edhe pas 700 vjetësh, është tallje me vendimin pilot të GJEDNJ, 31 korrik 2012, që ka shkaktuar prishje të identitetit kombëtar, ka ushqyer korrupsionin, ka mbajtur gjallë këtë hibrid të komunizmit . Ky sistem sistem kleptokratik ka mundur të realizojë që populli të manipulohet dhe të këndojë “hosana baraba” që hajduti i madh të bërtasë “kapeni hajdutin” se na vodhi pronat, se na rrezikon demokracinë se na pengon të marrim statusin.
Kjo politikë, që ka futur në luftë shqiptarët kundër shqiptarëve është rruga antikombëtare me të cilën po realizohet politika e agjencive të huaja. Themel i kësaj politike është neni 8 i ligjit nr. 7501. Jam i detyruar të përsëris dhe të theksoj se shoqata “Pronësi me Drejtësi” nuk është dhe nuk do të mund të përdoret si patericë e Partisë Republikane dhe as e partive që sot janë në pushtet.
Kryetarët e këtyre forcave politike z. Edi Rama , Ilir Meta dhe z. Lulzim Basha e dinë shumë mirë se refuzimi i statusit të vendit kandidat u bë vetëm për shkak të pronës. Ishte e dëmshme për popullin fakti se problemin e pronës komisioneri Stefan Fyle e maskoi në kuadrin e termit luftë kundër korrupsionit. Problemi i pronës zgjidhet nëse zbatohet thirrja “Vepro tani”, duke filluar nga vetë ambasadorët dhe ndonjë prej tyre përfshi ambasadorin e BE z. Ettore Sequi dhe komisionerin Stefan Fyle, të mos vazhdojë me dy qëndrime dhe me dy karrige.
Besoj se për këtë letër publike do ta mirëpresin dhe do të na kthejë përgjigje në gazetë z. Edi Rama, Ilir Meta , Lulzim Basha dhe do ta kenë në vëmendje pjesa e shëndoshë e shoqërisë civile si dhe ambasadorët.
Seri Allushi shoqata Dukati, Ju lumte pena zoti Danushi, por qeverite e radhes i ndikojne deputetet autore te ligjit 7501, qw jane ende ne Kuvendin e Shqiperise dhe qe lobojne fuqishem qe prona te mos shkoje tek i zoti, Ne duhet te riorganizohemi e te ndermarim protesta te forta e masive.