Gazeta Telegraf – http://gazetatelegraf.com –
Nga Seri ALLUSHI. Botuar në Gazetën Telegraf, 15/11/2013 @ 11:32
Qeveria të korrigjojë situatën mbi pronësinë
Brenda dy muajve të parë të qeverisjes Zoti Kryeministër ua bëri të qartë pronarëve të rinj që fabrikoi ligji 7501, se do tu japë tapitë e shumë pritura, duke konsoliduar emërimin e tyre si pronarë toke. Por, njëherësh zhgënjeu qindra mijëra pronarë të vërtetë që i trashëgojnë këto toka nga gjyshërit e tyre, të cilët e votuan aleancën PS-LSI, sepse shpresuan prej tyre kthimin e pronës. Duke u njohur me Programin e Qeverisë Rama për Pronat, nuk ka se si të mos tërheq vëmendjen ajo çfarë ka marrë përsipër lidhur me pronësinë mbi tokën. Konkretisht ja se si u shpreh ndër të tjera, Kryeministri në fjalën hyrëse të tij në kuvendin e Shqipërisë, për miratimin e Programit të Qeverisë. “…Çfarë 7501-shi e jep për tokën e bukës prej gati çerek shekulli dhe burrat po bëhen pleq pa e marrë, ndërsa fëmijët po bëhen burra pa e besuar se do ta marrin ndonjëherë, .., ne do ta japim në bazë të 7501-shit dhe pikë”.
Pra, programi i qeverisë garanton të gjithë ata që kanë marrë padrejtësisht tokat e pronarëve të vërtetë se do t’u japë certifikatën e pronësisë mbi tokën, pa çka se ligji 7501 është antikushtetues dhe i shfuqizuar nga Kushtetuta. Njëherësh ai shpreh keqardhjen se ata paskan çerek shekulli që nuk po e marrin dot tokën ligjërisht, por që qeveria e sapo ardhur në pushtet do ta zgjidhë problemin menjëherë e me një të rënë të lapsit, gjë që ua pohoi edhe buqëve te Frakullës. Në fakt, do kishte qenë më bukur që kryeministri Rama të kishte shkuar aty ku shoku Enver shpërndau tapitë e para të Reformës Agrare. Gjithsesi, Kryeministri të mos bëhet shumë merak se ata “pronarët e rinj” kanë 22 vjet që e kanë marrë tokën, disa e punojnë , disa nuk e punojnë e disa nuk e duan fare, por që qeveria do tua jap tapitë me patjetër.
Realisht për pronarët e vjetër ky është lajm i ri dhe më i keq se vetë ligji 7501, mbasi gjatë fushatës elektorale Kryetari i PS nuk e tha kaq shkoqur e kaq prerë, madje na tha se do të na gjente edhe dokumentet e pronave nga një shtet fqinjë dhe se zgjidhjen e problemit të pronave në Shqipëri do ta realizonte me konsulencën e një shteti të Bashkimit Evropian, gjë që na bëri optimist. Gjithashtu, në programin e qeverisë thuhet : “Për qeverinë e re nuk do të ekzistojë më termi “ish-pronar…” dhe qeveria do ta zgjidhë çështjen e pronarëve të vjetër duke i dhënë përparësi kompensimit në natyrë…etj“. Por lind pyetja, përse qeveria e fut veten në telashe kaq të mëdha? Meqenëse paska toka të lira le tua u japë atyre që nuk u ka lënë trashëgim gjyshi e stërgjyshi, ndërkohë që, pronarët e vjetër kanë tokat e tyre të trashëguara nga gjyshi dhe s’ka pse të lenë tokat e tyre e te marrin disa të tjera. Kjo është ngrehu “Prift të ulet Hoxha”. Po ashtu, në programin e qeverisë thuhet :“ …, zbatimi i Ligjit Nr. 7501, …, do të marrë një afat të përfundimit të veprimit të tij me atë çka është ndarë deri tani. Më tej, do të zbatohet vetëm Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për të drejtën e fitimit të pronës”.
Pra, Aleanca qeverisëse paska vendosur që u bë ça bë me ligjin 7501, do ta shpalli të realizuar e të përfunduar qëllimin e tij, pra do ta konsolidojë dhe më pas do kthehet nga zbatimi i Kushtetutës së Shqipërisë? Po si mundet të mendohet kështu? Kjo është një ide për të ardhur keq, me këtë mëndje as na pranon Evropa, e as ne s’kemi ç’të bëjmë në Evropë, përderisa bëjmë lodra edhe me kushtetutën e Republikës. Kushtetuta e Republikës nuk mund të hyj në fuqi kur të dojë Qeveria. Ajo ka hyrë në fuqi kur e ka votuar populli me Referendum mbarë popullor dhe detyra e Qeverisë është që ndryshe nga qeveritë e deritanishme ta zbatojë kushtetutën, ku për pronat janë votuar nenet si: Neni 41, pika b “prona private fitohet me dhurim, me blerje ose me trashëgim…”.Neni 181 “Kuvendi i Shqipërisë, brenda 2-3 vjetësh, duhet të ndryshojë ligjet për pronat, që kanë dalë para kësaj Kushtetute, duke i përshtatur sipas nenit nr.41”. Realisht ligjet që një qeveri ndërmerr, për të tjetërsuar pronën e trashëguar të dikujt dhe që janë në kundërshtim me kushtetutën nuk zbatohen në praktikë. Është kjo arsyeja që ky ligj (7501) nuk u zbatua në më shumë se gjysmën e fshatrave, që nga Tirana e deri në kufirin verilindor të vendit, por u shpërfill e u anashkalua, dhe secili pronar i vjetër mori tokën e tij që trashëgonte. Prandaj, Aleanca qeverisëse ka rastin historik, për të korrigjuar një padrejtësi të ligjëruar nga një parlament komunistësh që i mori tokën një pronari shekullor dhe bëri pronar një tjetër.
Ne po i kujtojmë Qeverisë së re, se e drejta e pronësisë mbi tokën nuk është aq e thjeshtë për tu tjetërsuar. Ajo copë tokë që secili Shqiptar zotëron në këtë Shqipëri, përfaqëson identitetin e tij. Për atë tokë luftuan e u vranë Kosovarët gjatë një shekulli, e atë tokë po kërkojnë çamët sot e 70 vjet dhe do ta marrin. Çdokush duhet të dijë se kurrë e asnjëherë nuk mund të ndryshojë pronësia mbi tokën me ligje e vendime të qeverive që vijnë e prapë ikin. Atë e kanë zgjidhur e përcaktuar shekujt. Ajo nuk tjetërsohet dot sa herë që ndryshojnë sistemet politike apo qeveritë. Ajo nuk tjetërsohet dot edhe duke e vrarë pronarin trashëgimtar, sepse mbrapa janë trashëgimtarët e tjerë. Ajo, tokë ka një pronar brenda saj, madje edhe për emërtim ka atë të pronarit të saj e nuk mund ti ndërtohet emri kurrë ndonjëherë. Prandaj, shprehja goxha prepotente, “ ne do ta japim në bazë të 7501-shit dhe pikë” është fiks me konceptin komunist të deputetëve të kuvendit të vitit 1991, që ideuan e miratuan ligjin 7501, por për shkak të atij ligji deri sot janë vrarë mbi 8000 shqiptarë. Insistimi për të konsoliduar e përmbyllur veprimin e ligjit 7501, në fakt është këmbëngulje për të konsoliduar konfliktin dhe vëllavrasjen e përjetshme në ato fshatra që është zbatuar ligji 7501, nga zbatimi i të cilit janë krijuar një sërë problemesh serioze sociale dhe ekonomike. Konkretisht, ka krijuar armiqësi midis fiseve. Tokat që iu janë marrë pronarëve të vjetër, sot, por edhe në të ardhmen de fakto, janë e do të jenë me dy pronarë, gjë që pengon investigimet. Tregu i shit-blerjes së tokës, me ndarjen e tokës nuk funksionon, për shkak se toka ka dy pronarë. (sipas statistikave zyrtare) u krijuan ferma shumë të vogla me mesatarisht 1.1 ha tokë dhe kjo e ndarë në 4-5 vende të ndryshme, me një sipërfaqe mesatare të parcelave tejet të vogël 0,25 ha, duke bërë kështu pothuajse të pa dobishëm përdorimin e saj. Prandaj sot, po sipas statistikave zyrtare, rezultojnë mbi 100 mijë fermerë që kanë braktisur fare tokën dhe po kaq që kanë lënë toka djerrë. Në këto kushte çfarë bujqësie do konsolidojë Qeveria ? Pra, në konkluzion mund te themi me plot gojën se ligji 7501 në Shqipëri prodhoi e do të prodhojë edhe në të ardhmen vetëm toka djerrë, varfëri, armiqësi dhe vetëgjyqësi.
Por si mund të zgjidhet problemi ? Varianti i parë, dihet se kompensimi financiar i ish pronarëve është i papërballueshëm nga shteti, ndërkohë që fondi i tokës fizike të lirë për kompensimin nuk ekziston, sepse çdo metër tokë në Shqipëri ka një ish pronar. Në këto kushte, për të ndërprerë vëllavrasjen për pronat, për faktin që ligji 7501 është antikushtetues dhe ai realisht nuk është zbatuar në shumicën e fshatrave të vendit, si dhe bazuar në rekomandimet e institucioneve Evropiane dhe Ndërkombëtare, është e domosdoshme që në zbatim të nenit 181 të kushtetutës, aty ku ka konflikte ndarja e tokës të rishqyrtohet.
Varianti i dytë, Qeveria në vend të konsolidimit të ligjit 7501 dhe idesë që pas kësaj do ta zbatojë Kushtetutën, që do të ishte gabimi më i madh që mund të bëhej, të zbatojë nenin 181 të kushtetutës, duke marrë në shqyrtim Projekt-ligjin e paraqitur nga Shoqata Pronësi me Drejtësi dhe Shoqata Bregdeti, me të cilin solidarizohen edhe rreth 800 familje dukatase e qindra mijë pronarë trashëgimtarë në mbarë vendin. Vetëm kështu, do të mbyllej problemi i papërballueshëm i kompensimit të ish pronarëve, secili do të shkonte në identitetin e tij të trashëguar, do të shuhej situata konfliktuale, do të fillonte shit-blerja e tokave, do të mundësohej njësimi, zmadhimi dhe krijimi i kooperativave. (Siç tha dhe Kryeministri në Frakull), do të fillonin menjëherë investimet, ekonomia do të zhvillohej me shpejtësi dhe Shqipëria do të radhitej me dinjitet përkrah vendeve të tjera të Evropës. Në rast se nuk veprohet kështu, pra, nëse Qeveria nuk do të korrigjojë situatën e deri tanishme të pronësisë mbi tokën, duke amenduar ligjin 7501, atëherë, e ka lënë popullin në një konflikt që do të gjenerojë pa fund viktima, si dhe do të rrezikojë autonominë e vendit.
Artikull i marrë nga Gazeta Telegraf: http://gazetatelegraf.com
URL i artikulllit: http://gazetatelegraf.com/seri-allushi-certifikatat-e-pronesise-se-tokes-do-ta-ashpersojne-konfliktin-per-pronen/
Copyright © 2012 Gazeta Telegraf. All rights reserved.