LETËR PUBLIKE E SHOQATAVE “PRONËSI ME DREJTËSI” DHE “BREGDETI”
Për sa kohë që pronat e konfiskuara nga regjimi komunist nuk janë kthyer, Kushtetuta shqiptare shkelet, korrupsioni i bazuar në keqmenaxhimin e pronës do të vazhdojë të lulëzojë , titujt e pronësisë do të mbeten të pasigurt dhe asnjë investitor serioz nuk do të guxojë të investojë në Shqipëri.
Edhe mbas 20 vjetësh nga dita e pranimit të parimit të kthimit të pronave të konfiskuara padrejtësisht nga regjimi komunist dhe miratimi i legjislacionit përkatës, shteti shqiptar ende nuk zbaton detyrimet e tij kushtetuese (nenet 181 dhe 41 të Kushtetutës). As vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut nuk janë zbatuar dhe në korrik të vitit 2012 është ndërmarrë një nismë për procedurë gjykimi pilot .
Për fat të keq zgjedhjet e lira nuk e kanë zgjidhur problemin e pronave. Të vetëshpallurit të djathtë apo të majtë kanë përdorur pushtetin politik për të konsoliduar pushtetin e tyre ekonomik. Të dyja palët kanë abuzuar me të drejtat e pronarëve të ligjshëm . Më shumë se 6’000 njerëz janë vrarë në konfliktet që lidhen me mosrespektimin e titujve të pronësisë në 22 vitet e fundit sipas policisë shqiptare dhe OJQ-ve.
Abuzimet dhe keqadministrimi i të drejtave të pronësisë janë një problem i përditshëm dhe prekin një numër të madh njerëzish. Shkelja e ligjit dhe abuzimet në zyrat e ndryshme që merren me të drejtat e pronësisë apo edhe në gjykata ndodhin pothuajse cdo ditë. Sipas Bankës Botërore, Shqipëria tërheq një nivel shumë të ulët të investimeve të huaja për shkak të pasigurisë së të drejtave të pronësisë.
Strategjia e qeverisë, e ashtuquajtura Strategji për të Drejtat e Pronësisë, ka shumë mangësi pasi ajo nuk respekton Kushtetutën, i jep prioritet pa kushte dhe pa kufizime legalizimit të përvetësimeve të paligjshme të pronave dhe e lë në harresë dhe pa asnjë garanci kthimin e pronave tek pronarët e ligjshëm duke qënë kështu në kundërshtim të plotë me legjislacionin, jurisprudencën dhe me nenet 181 dhe 41 të Kushtetutës.
Zgjidhja e problemit të pronës fillon me respektimin e Kushtetutës dhe të shfuqizimit të të gjitha veprimeve të kryera në kundërshtim me të. Legalizimet duhet të merren në konsideratë dhe ti nënshtrohen kushteve dhe kufizimeve vetëm pasi të jetë realizuar procesi i kthimit fizik te pronave. Kompensimi i plotë dhe i menjëhershëm financiar i pronarëve të ligjshëm duhet të aplikohet vetëm në rastin e pronave të përdorura për nevoja publike.
Ne jemi të bindur që demokracia dhe stabiliteti në Shqipëri do të ecin përpara në qoftë se Parlamenti Europian dhe aktorë të tjerë ndërkombëtarë do të koordinojnë pozitat e tyre dhe të gjejnë zgjidhje për problemet që prekin të drejtat e pronësisë në Shqipëri duke i konsideruar me prioritet dhe si një kusht i rëndësishëm për proceset e integrimit.
Varianti anglisht i kesaj letre dorezuar më herët edhe z. Eduard Kukan dhe 6 antarëve të delegacionit të Parlamentit europjan qe vizituan Tiranën më 28.10.2013.