Çfarë kërkojmë prej Kryeministrit Edi Rama, prej gjithë Deputetëve, prej Politikës së Brukselit dhe Washingtonit

Demokracia fillon kur t’i ktheni shqiptarit pronën që ia grabiti diktatura

Duke ndjekur në TV diskutimet e deputetëve për programin e Qeverisë Rama, me datën 14-15 Shtator 2013, si shtetas ndjej detyrimin qytetar, moral dhe patriotik të ripërsëris edhe një herë ato që kam qenë I detyruar t’ju them politikanëve me dhjetra herë nga 1991 e deri sot. Kanë kaluar dy dekada dhe unë u plaka në drejtimin e Shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, duke ju përsëritur politikanëve të njëjtat gjëra që përmbidhen me fjalët: demokracia fillon kur ti ktheni shqiptarit pronën që ia grabiti diktatura, zbatoni detyrimet kushtetuese të përcaktuara qartë në nenet 41 dhe 181 të Kushtetutës, ndaloni vjedhjen e pronave që po e bëni në emer të ligjit, mos vazhdoni ta shkatërroni vendin, mos turpëroni më tej veten tuaj, do mbeteni përfundimisht të njëllosur. Dhe pa dyshim që rilindja e demokracisë kërkon të fillohet me korigjimin e gabimeve me pronën.

Pjesa e A.Z.Çajupit, që znj. Mersila Doda i lexoi krahut të majtë, në fakt i përshtatet të dy krahëve që kanë qenë në pushtet gjatë këtyre 22 vjetëve. Këtë situatë duhet ta kuptojë dhe ta analizojë në rradhë të parë Kryeministri Edi Rama, sepse për pronën ai ndodhet njëlloj si Sali Berisha në vitin 1991. Këtë vlerësim duhet ta bëjë dhe ambasadori i BE-së, Brukseli, Ambasadori i SHBA-së dhe specialistët e Shtëpisë së Bardhë që ndjekin politikën për Shqipërinë dhe Ballkanin, përndryshe përpjekjet e tyre për demokraci do jenë pa sukses.

Sistemi Berisha-Nano hartuar sipas udhëzimeve të Katovicës

Sali Berisha dhe  Fatos Nano,  duke mos kthyer pronën tek i zoti kanë ecur në rrugën e tradhëtisë kombëtare. Sistemi që u projektua nga Berisha–Nano sipas udhëzimeve të Katovicës, është hibrid i demagogjisë me disa elementë të çrregullt të demokracisë që kanë shërbyer për të maskuar  anarkinë, kleptokracinë dhe klimën e pandëshkushmërisë për individët që shkelin ligjin. Saliu bëri pronarë ata që nuk kishin asnjë pronë të trashëguar dhe la me gisht në gojë pronatët me premtimin e kompensimit !! Nga ky tranzicion pseudodemokratik dolën të fituar një pakicë që kishin  mbështetjen e ndonjë deputeti apo pushtetari dhe nuk pyetën për ligjet dhe për kushtetutën.

Nga deputetët e kësaj legjislature për pronën reflektoi drejtë z. Shpëtim Idrizi (PDIU), duke thënë se nuk mund të kërkohet zgjidhje e pronës së çamëve në Greqi, pa zgjidhur problemin e pronës së shqiptarëve në Shqipëri. Z. Namik Dokle analizoi mirë situatën, pranoi gabimet e bëra, denoncoi mbi 8000 të vrarë për shkak të anarkisë së pronës dhe sistemin korruptiv që është përhapur kudo. Në mënyrë të saktë u shpreh zoti Duka. Z Shehu çuditërisht e vuri theksin tek kompensimi dhe jo tek kthimi dhe kushtetuta, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shprehu shqetësim për gjetjen e parave për legalizimin ndërsa Sali Berisha dhe deputetët e tjerë nuk përmendën kthimin fizik të devijuar, të pa-përfunduar, pushtimin e pronave me ndërtime pa leje dhe pasojat e kësaj situate !!

Clirimi i pronave nga poseduesit abuzivë të bëhet prioritet i 100 ditëve të para

Kryeministri Edi Rama ka sot përgjegjesinë historike për kthimin e pronës tek i zoti. Ky është problem më themelor për rilindjen e demokracisë.   Ajo që ne pronarët kërkojmë është që Kryeministri Edi Rama të vendosi prioritet të 100 ditëve të para, çlirimin e pronave nga poseduesit abuzivë dhe kthimi i pronës tek i zoti në përputhje me nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës. Kjo kërkesë nuk ka nevojë për premtim pasi është detyrim kushtetues, për të cilën deputetët betohen, por  që politikanët e derisotëm e kanë shkelur. Shqipëria nuk ka se si të pranohet kandidat ne BE pa kthyer pronën në përputhje me nenin 41 dhe 181 të Kushtetutës, në këtë gjendje kur shteti ligjor dhe shteti i të drejtës egzistojnë formalisht, por në fakt janë zëvendësuar me “shteti jam unë”, kur pronat i përfiton shkelësi I ligjit dhe janë me mijëra raste kur vendimet e gjykatave nuk ekzekutohen. Deputetët që mendojnë se problemi i pronës nënkupton  kompensim apo legalizim, janë pjesë e programit të Katovicës, që synojnë të mbrojnë ata që kanë përfituar padrejtësisht ato prona që duhet t’iu kthehen pronarëve ose janë prona të shtetit. Këta janë politikanët dhe klanet që kanë përfituar nga amullia e krijuar me ligjet kontradiktore 1991-2013 dhe në këtë kategori mund të jenë dhe Sali Berisha apo Jozefina Topalli, por faktet duhet t’i saktësojnë specialistët.

Zgjidhje përfundimtare dhe e qëndrueshme

Të gjithë deputetët i njohin përpjekjet e mëdha të shoqatës tonë për problemin e pronës, problem që e kemi paraqitur edhe në kancelaritë ndërkombëtare por që për 23 vjet kanë rënë në veshin e shurdhër të politikanëve që kanë drejtuar në periudhën 1991-2013. Shoqata e pronarëve me mbështetjen e shumë ekspertëve, ka hartuar draftin për zgjidhjen përfundimtare, të qëndrushme të problemit të pronave (shqip dhe anglisht). Drafti ynë përmbledh në një ligj të vetëm të 16 ligjet egzistuese, eliminon pikat e dobta dhe përplasjet midis tyre, respekton të drejtën e pronës në harmoni me detyrimet kushtetuese dhe kërkesat e BE dhe zgjidhja e problemit të pronës nuk nevojë për faturë financiare Ky projektligj i mbron vendimet e kthimit të tokës bujqësore të bëra me  ligjin 7501 deri në masën që nuk bien ndesh me nenin 41 të Kushtetutës.  Në faqen http://www.defendingproperty.com, ku është paraqitur projektligji, kemi pasur vleresime të ndryshme. Kryeministri Edi Rama nëse ka vullnetin ashtu siç ka premtuar,  tashmë e ka të gatshëm instrumentin, projektligjin me të cilin brënda 100 ditëve të para maxhoranca zgjidh aspektin juridik të pronës dhe zbatimi realizohet shpejt pasi nuk ka  faturë financiare për arkën e shtetit. Nëse Kryeministri Edi Rama e fillon me korigjimin e paudhësive me pronën, ai vendos postbllokun ligjor ndaj mafies së pronave, që deri sot është mbështetur nga politikanët. Me zgjidhjen e problemit të pronës, vendoset paqja sociale, Shqipëria futet në rrugën e duhur të zhvillimeve demokratike dhe njëkohësisht e djathta do të ndihmohet të shlyejë një pjesë të mëkateve.

Në lidhje me diskutimet e shumë deputetëve, pavarësisht nga ndryshimet pozitive në këto 23 vjet si rrugët, tunelet, interneti, prokurimet elektronike, NATO etj. etj, populli nuk jeton në demoraci dhe sistemi nuk është aspak demokratik. Ish-kryeministri Sali Berisha nuk mbajti premtimin dhe shkeli parimin bazë të demokracisë: kthimin tek i zoti të pronës së grabitur. E gjithë periudha 1991-2013 eshte pseudodemokraci, ku korrupsioni me pronat arrin majat më të larta. Edhe sistemi i Enverit pati realizime të padiskutushme si zhdukja e analfabetizmit, zhdukja e malarjes, masivizimi i arsimit, hapja e universitetit, elektrifikimi i vendit etj, Nryshimet pozitive janë pasoje e punës, djersës dhe e parasë së popullit, por sa për sistemin pa asnjë dyshim Enver Hoxha ndërtoi sistem diktatorial, kriminal dhe antidemokratik. Megjithatë propaganda e quante atë “sistemi më demokratik  në botë“  edhe pse qytetari burgosej nëse dikush e spuinonte se ai kishte biseduar për liritë dhe të drejtat e njeriut, për rëndësinë e pronës private, për parimet e Helsinkit etj.

Besoj se të Qeveria dhe Kuvendi do ta kenë patriotizmin dhe mençurinë për të kuptuar se duhet filluar me korigjimin e gabimeve në ktimin e pronës, pas të cilës mund të bëhen kompensimet dhe legalizimet. Deklarojmë publikisht se jemi në pritje të veprimeve konkrete. Për aq kohë sa maxhoranca dhe Kuvendi, nuk do marri në shqyrtim draftin që i kemi propozuar, duke e përmirësuar atë për të realizuar titujt e pronësisë konform Kushtetutës, por do veprojë si ka bërë deri sot Sali Berisha,  ajo ecën në rrugën e tradhëtisë kombëtare.

Në emër të pronarëve urojmë vullnet të mirë dhe suksese për ndërtimin e themelit të demokracisë, që është realizimi i titujve të pronësisë në përputhje me detyrimet kushtetuese.

Rrapo Hajredin Danushi

Kryetari Shoqatës Kombëtare “Pronësi me Drejtësi”

Botuar në gazetat Dielli, Telegraf dhe Zeri i Popullit
Ky zë u postua te Albanian Authorities, European Integration, International Organisations (OSCE, World Bank), Posts in Shqip, Uncategorized dhe u etiketua si , , , , , , , , , nga defendingproperty. Faqeruani permalidhjen.

Rreth defendingproperty

Përmes www.defendingproperty.com shoqatat "Pronësi me drejtësi" dhe "Bregdeti" synojnë të sensibilizojnë shoqërinë civile shqiptare dhe ndërkombëtare dhe donatorët e miqtë e Shqipërisë mbi problemin e pronave dhe kërkesat tona për zgjidhjen e tij: kthim i menjëhershëm i pronave të konfiskuara nga komunizmi pronarëve të ligjshëm dhe mirëadministrim i të drejtave të pronësisë. Kthimi i pronave dhe respektimi i të drejtës themelore të pronësisë private janë nga premtimet kryesore të shtetit të ri demokratik shqiptar të fillimit të '90. Deri më sot ky angazhim nuk është realizuar. Përkundrazi, politikanët e të dyja anëve kanë abuzuar me pronat dhe i kanë përdorur si burim pasurimi personal ose klanor, ndër të tjera për të siguruar vota. Zgjidhja e këtij problemi 20 vjeçar kondicionohet nga funksionimin korrekt i shtetit ligjor dhe mposhtja e korrupsionit; zgjidhja do t'i hapë rrugën investimeve serioze dhe është një nga kushtet kryesore për integrim evropian. Me qindra raste janë dërguar para Gjykatës Europiane të të Drejtave Njerëzore dhe Gjykatave shqiptare. Në sit do të gjeni dokumentet tona kryesore si dhe KËRKESAT TONA URGJENTE PËR AUTORITETET SHQIPTARE https://defendingproperty.com/our-position/shqip/

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s