Vendim qeveritar për kalimin në pronësi të tokave të ish-ndërmarrjeve bujqësore përdoruesve.
Ndërsa prej 20 vitesh premtohet të realizohet kthimi i pronave dhe kompensimi i pronarëve të ligjshëm të shpronësuar nga regjimi komunist, ndërsa afati i zgjidhjes së këtij problemi përcaktuar në nenin 181 të Kushtetutës është shkelur me mbi 10 vjet dhe kërkohet të shtyhet edhe 20 vjet të tjera sipas strategjisë në fuqi të qeverisë, ndërkohë që Gjykata e Strasburgut i ka dhënë ultimatum Shqipërisë të zgjidhë kthim-kompensimin brenda dhjetorit të 2013 (vendimi pilot Puto etj. k. Shqipërisë), Qeveria shqiptare aprovon një vendim të ri që ka potencial ta komplikojë edhe më tej kthimin dhe kompensimin fizik pronarëve legjitim.
Vendimi për përcaktimin e procedurave të kryerjes së procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve, u aprovua nga Qeveria e Kryeministrit Sali Berisha më 6 mars 2013. Vendimi parashikon procedurat, afatet dhe kompetencat për kalimin në pronësi të tokave të ish-NBve përdoruesve. Kompetencat kryesore i janë dhënë komunave. Procedurat janë të shpejta dhe afatet për të kundërshtuar vendimet (15 ditë) shumë të shkurta. Megjithëse siç e përmend edhe titulli i vendimit dhe pika 1 e tij në princip bëhet fjalë për toka bujqësore, vendimi nuk përmban asnjë instruksion se çfarë provash duhet të paraqisë përdoruesi për të treguar se e përdor atë si tokë bujqësore. Po ashtu vendimi nuk iu jep asnjë instruksion komunave sesi duhet të veprojnë për tu siguruar që toka përdoret vërtet si tokë bujqësore.
Kjo heshtje mbi kararkterin “tokë bujqësore” apo “truall”, mbi afektimin konkret të saj nga përdoruesit aktualisht dhe në të ardhmen (për aktivitet bujqësor apo aktivitete të tjera/ndërtime që nuk kanë asnjë lidhje me bujqësinë) krijon potencial për abuzime dhe dëshmon se ky vendim, si shumë të tjerë, nuk ka fatkeqsisht për qëllim drejtësinë sociale por krijon mundësinë ligjore për të legalizuar okupimet e ndërtimet pa leje.
Veçoria e tokave të ish-NBve është se një pjesë e tyre janë truall që gjindet brenda vijave të verdha të qyteteve dhe jo tokë bujqësore. Ky është rasti sidomos i ish-NBve që gjindeshin në qytete. Një shembull konkret janë tokat e ish-NBsë Gjergj Dimitrov në Tiranë të cilat janë zaptuar nga anëtarë “të zgjedhur” të ish-ndërmarrjes, shumica të ardhur në Tiranë e të punësuar në NB në fillim të viteve ’90 dhe të cilët i kanë shfrytëzuar këto toka deri më sot për të ndërtuar (e shitur) banesa shumëkatëshe e objekte të tjera që nuk kanë asnjë lidhje me bujqësinë. Konkretisht këto troje, pronë e shtetit, mund dhe duhet të ishin përdorur për kompensim fizik të pronarëve legjitimë të Tiranës (të cilët mbahen në pritje duke i kompensuar financiarisht me pikatore). Por jo, ato iu jipen falas individëve merita e vetme e deklaruar e të cilëve është se në fillim të viteve ’90 qëlluan të jenë punëtorë të ish-ndërmarrjeve bujqësore Gjergj Dimitrov. Nuk bëhet fjala për drejtësi sociale, sepse këto troje asnjëherë nuk janë përdorur deri më sot për të ushtruar profesionin e bujkut. Ish-punëtorët e NBsë kanë ndërtuar e shitur ndërtesa pa leje dhe janë sot milionerë. Ndërkohë shumica e pronarëve legjitimë tiranas të shpronësuar nga komunizmi zvarriten nga një derë administrate në një derë gjyqi, kompensohen një minimum dhe iu kërkohet ta harrojnë kompensimit e plotë megjithëse Gjykata e Strasburgut insiston në vendimet e saj (shih rastin Puto) që kompensimi financjar të jetë i plotë dhe konform vlerave të tregut.
Fatkeqsisht asnjë nga forcat politike aktuale nuk ka predispozitën për të zgjidhur kthimin dhe kompensimin e pronarëve legjitimë të shpronësuar nga komunizmi, megjithëse bëhet fjala për një nga premtimet e para të “demokracisë” shqiptare të pas ’90. Po ashtu asnjë force politike nuk tregon interes për të qartësuar, thjeshtuar administrimin e të drejtave të pronësisë dhe përfundimisht për të respektuar të drejtën e pronës – si një nga themelet e shtetit shqiptar. Pyetje retorike – PSE?
Nënshkruani peticionin: KTHIM I PRONËS PRONARËVE TË LIGJSHËM, TANI!
I bashkohem plotësisht angazhimit tuaj, duke dhënë dhe unë kontributin modest ndaj kësaj çështjeje imediate që do riparuar me njëherë. Frederik Ruço.
Mirpresim mbështetjen tuaj!
Pingback: Intensification of “legalizations” | Defending Property Pursuing Justice Albania